Ndikimi negativ që një shishe verë mund të ketë te shëndeti i njeriut është i barabartë me atë të 5 cigareve në javë për meshkujt dhe 10 të tillave për femrat. Ky ishte përfundimi në të cilin arriti disa muaj më parë një studim i kryer në Universitetin e Southhamptonit në Britani, i publikuar në revistën “BMC Public Health”. Studimi bënte një krahasim të drejtpërdrejtë mes rrezikut të kancerit që sjell alkooli dhe cigarja.

Por reagimet pas studimit nuk ishin të gjitha njësoj. Një pjesë e panë atë si të padobishëm, të tjerë si inovativ dhe të rëndësishëm. Analiza dhe mënyra se si u prit ajo reflekton debatin për rreziqet që paraqet konsumi i alkoolit dhe cila është rruga më e mirë për të komunikuar me njerëzit në lidhje me këtë.

Studiuesja Theresa Hydes dhe kolegët e saj u bazuan në të dhënat e Cancer Research UK (CRUK) dhe në mënyrë specifike te rastet e kancerit që lidheshin me alkoolin dhe me duhanin. Studimi u pasua me jo pak kritika.

Një postim në blogun e CRUK vuri në dukje se të përdorësh duhanirjen si krahasim mund të japë përshtypjen se njerëzit mund të shkëmbejnë një faktor rreziku me një tjetër dhe gjithashtu ngre shqetësimin se krahasimi i duhanpirjes me një aktivitet që është më i pranueshëm në aspektin social, mund ta bëjë atë të duket diçka normale. Shqetësimet e ngritura nga ekspertë të tjerë në intervistat me Qendrën Shkencore për Mediat (London, UK) përfshinë mungesën e përshtatjes për faktorët gjenetikë dhe faktin që shumica e duhanpirësve pijnë më shumë se 5-10 cigare në javë, duke i bërë gjetjet e studimit të duken larg asaj që ndodh realisht.

Lexo po ashtu:  Çfarë duhet të keni kujdes nga i nxehti përvëlues

Shpjegimi që vetë autorja e studimit ka dhënë në lidhje me krahasimin mes cigareve dhe alkoolit ishte se “numri i rasteve të kancerit që i atribuohen alkoolit pak njihet nga publiku”.

Është e vërtetë se, pavarësisht lidhjes së fortë mes konsumit të alkoolit dhe një sërë kanceresh përfshirë kancerin e zorrës së trashë, atë të ezofagut, të gjirit, perceptimi publik që mbizotëron është ai sipas të cilit alkooli është më pak i dëmshëm se droga të tjera dhe nuk shihet që në krye të herës si kancerogjen. Për shembull, në një sondazh me 2100 të rritur në Angli, vetëm 13% e të anketuarve në vitin 2015 e identifikuan kancerin si pasojë e konsumit të alkoolit.

Kjo mungesë historike e qartësisë në mesazhet që përcillen lidhur me shëndetin publik dhe konsumimin e alkoolit ilustrohet nga një studim i botuar kohët e fundit në revistën “The Lancet”, i cili hedh poshtë pretendimin e gabuar sipas të cilit alkooli në sasi të moderuar mund të ketë efekte pozitive në shëndet.

Lexo po ashtu:  Këto fruta anti-kancerogjene, ju duhet t’i përfshini patjetër në dietën tuaj

Studime të mëparshme, kryesisht me karakter vëzhgues, kanë evidentuar një rrezik më të ulët të goditjeve në tru te njerëzit që konsumojnë një ose dy pije alkoolike në ditë, krahasuar kjo me ata që pinë më shumë se kaq.

Bazuar në këto studime, ideja se një ose dy gota verë në ditë ishin të dobishme u përhap gjerësisht në media. Megjithatë, studimi i ri përdori një metodë të re për të analizuar të dhënat gjenetike të 160 000 vullnetarëve kinezë të monitoruar për 10 vjet.

Kur u përshtatën për gjenotipet, studiuesit arritën në përfundimin se lidhja në formë U-je mes alkoolit dhe rrezikut të goditjes në tru (ishemive) zhdukej, çka i bëri ata të kuptojnë se konsumi i alkoolit rrit njësoj presionin e gjakut dhe rrezikun e ishemisë dhe konsumimi në sasi të moderuar nuk ka asnjë efekt mbrojtës.

Pa dyshim, qartësia dhe saktësia e mesazheve që përçohen në lidhje me shëndetin publik për alkoolin mbetet prapa asaj për duhanin dhe droga të tjera. Përkundër mangësive, shumë prej të cilave janë pranuar nga autorët, analiza e kryer nga Hydes dhe kolegët e saj ofron një mënyrë të re të komunikimit të rreziqeve të konsumit të alkoolit për publikun. Duke krahasuar konsumin e alkoolit me pirjen e duhanit, ata shfrytëzojnë sukseset e mundimshme të fushatave antiduhan për të ndërgjegjësuar thellë publikun për lidhjet midis duhanit dhe kancerit. Nëse ka apo jo ndikimin e dëshiruar në ndërgjegjësimin e publikut dhe konsumin e alkoolit, çdo përpjekje për të sjellë risi në mënyrën se si flasim për alkoolin dhe risqet që ai mbart, duhet vlerësuar. 

Lexo po ashtu:  A e dini pse gjeli këndon çdo mëngjes?

/The Lancet/ TemaTv /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *