Çipi i palaçove
– Faik Konica

“Avropa” dhe “Evropi” janë bisedimet e ditës dhe të orës në Shqipëri. Po Evropa s’përfillet aspak. Ç’është “Avropa” ose “Evropi”? Pas besimit të shqiptarëve, është një vend i çuditshëm, larg nga Shqipëria. Që Shqipëria është edhe ajo një pjesë e “Avropës” ose “Evropit” – asnjë shqiptari nuk ia qas mendja. Një njeri niset nga Vlora të vejë matanë të kanalit, fjala vjen në Pidochisull – Adriatico, dhe miqtë e tij thonë: “Shkoi në Avropë” ose shkoi në Evropi”. Për të zbuluar përsenë e errët të këtij mendimi, u bëra një pyetje katër njerëzve më të kuptuar që ka Shqipëria dhe më patundërisht të sigurt nga vetja e tyre.


Selim Qeroz-Fodulli më përgjigjet:

“Efendëm, çdo vend ku populli mban shapkë dhe ku s’ka bërë hyqm devlet-i-alie-osmanie-ja, është Avropë”.

Napoleoni i Gjirizave më thotë: “Tradhtor, tallesh me mëmëdhetarët! Ti e di shumë mirë ku është Avropa, dhe në ke harruar, të ta përmend unë: Avropa njihet tërë ai vend ku venë kapella, ku ka makina shumë, ku burrat s’kanë trimërinë tonë dhe ku gratë s’janë të ndershme.”

Lexo po ashtu:  Infermierët sot protestojnë me moton: “Na quajtët heronj, andaj mos na vrisni”

O Anaksagoras Uliksi më shkruan: “En onomati tu patras tu iu, qe tu ajiu pnevmatos, amin.” Ne orthodhoksët besojmë se, atje ku mbaron i panajioteti imon anatoliqi ekslia dhe merr fund kalendari ynë i palajthitur, nis Evropi. Dhila-dhi Evropi është tërë ai vend ku urdhëron Pap dhe kisha latine me protestantët dhe mesonët dhe ku shkon i lajthitur, i cili shkel urdhrin eks anothen dhe i ha 13 ditë hakë Perëndisë. Po më duket, zot, se tallesh, tutesti peripezis. Prosohin, se në Amerikë kemi ton Papa laga Dyztabanin, kampionin e shpifjeve, i cil s’pret veç se një shenjë për të nisur nga zanati i tij, Lipon, prosohin!”


Gazi Punikua hedh nga goja jargë, një erë të qelbur dhe këto fjalë: “Avropa është vendi ku s’hanë mish të mbajtur në akull, pasta dhe shumë gjëra të tjera, që ne, aziatikët e ndershëm, nuk i përfillim. Mesela, pinë verëra të gënjeshtra të Francës, që s’kanë aspak erë rrushi. Nëm verë të Negozhdit që ndjehet një orë lart! Nëm raki! Nëm bozë! Atje ku s’i gjen këto, atje është Avropë.”

Lexo po ashtu:  30 vite nga helmimi masiv i nxënësve kosovar në kohën e regjimit serb


Dhe me të mbyllur këto bileta, gjej në tryezë një këngëzë që kisha shkruar pak javë më parë në mes dy shakave me ca “Vatrane”. Këngëza e ka titullin Avropa, Evropi – dhe Evropa, dhe ja ku e shtyp për të zbavitur këndonjësit një minutë:

Lot “Avropa”, me “Evropin”

Njëra-tjetrës i hedh topin

Edhe Evropa bën sehir.

Një të shtën’Avropa topit:

Nëpër dor’i shkoi “Evropit”.

Dhe evropa bën sehir.

Pyet “Avropa”: Ç’u bë topi?

-E ke ti! – i thot’Evropi.

Dhe Evropa bën sehir.

Hop! “Avropa” me “Evropin”

Zihen, goditen për topin.

Dhe Evropa bën sehir.

Bam “Avropa”, bam “Evropi”!

Ulërijnë: Ku ishte topi?

Evropa s’bën sehir –

Po mbledh dhe në xhep vë topin

Dhe pastaj na rrëmben shkopin,

Dhe as qesh, as do sehir!

1922 /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *