Pas zgjedhjes së njeriut të kryengritjes së dhunshme të 6 janarit dhe atij që drejtësia amerikane u përpoq ta pengojë për të garuar.

Fitorja tronditëse e miliarderit të konvertuar në politikan, Donald Trump, e cila do të ushtrojë ndikim në pikat më të nxehta të globit, nuk do të kalojë e pavërejtshme as në provincën tonë të vogël dhe të largët.

Nëse në SHBA ai do të ketë një fuqi absolute, duke kontrolluar edhe senatin që kaloi në shumicë tek republikanët, me shumë mundësi edhe kongresin e sëbashku me to edhe Gjykatën Supreme; nëse mbi NATO-n, Ukrainën, apo çështjen palestineze efektet e kësaj fitoreje priten të jenë rrënqethëse; për Shqipërinë mund të ketë vlerë mënyra sesi ai u zgjodh dhe rruga që ndoqi për t’u bërë i dyti president në historinë e Amerikës, që rikthehet në Shtëpinë e Bardhë pasi është larguar njëherë prej saj.

Në kontekstin tonë aktual është e rëndësishme të shikohet se si bëri për vete zemrën e shumicës së amerikanëve një njeri që kundërshtoi me dhunë rezultatin e zgjedhjeve, që u lëshoi thirrje mbështetësve të tij të sulmonin Kapitolin, se si ia doli ai të fitonte pavarësisht çështjeve të panumërta hetimore dhe proceseve që i hapën.

Po ta shqyrtosh në thelb, ky rrugëtim bie ndesh me të gjitha predikimet që diplomatët dhe zyrtarët amerikanë të nivelit të mesëm dhe të ulët, predikojnë prej vitesh për Shqipërinë.

Në 6 janarin e katër viteve më parë, pasi nuk kishte njohur fitoren e kundërshtarit të tij Joe Biden, të çertifikuar nga të gjitha institucionet, pasi kishte bërtitur pa prova të qara se vota e tij ishte vjedhur, Trump që ende nuk kishte dalë nga presidenca, u bëri thirrje mbështetësve të tij të ndesheshin për të rifituar Amerikën. “Nëse nuk luftoni për demokracinë vendi juaj do të zhbëhet”, u tha ai turmave duke u premtuar se do të marshonte bashkë me ta drejt Kapitolit për t’i bërë presion kongresmenëve që të mos miratonin rezultatet e prtetenduara si të trukuara. 

Lexo po ashtu:  Dr. Jak Simoni: Betimi i Hipokratit  dhe stetoskopi i mjekëve

Ndonëse numri i të vdekurve shkoi në katër, megjithë skenat e dhunës dhe shkatërrimit brenda kongresit amerikan, Trump vazhdoi t’i quante sulmuesit “njerëz specialë” dhe të shkruante në Twitter se i “dashuronte” ata që nuk e pranonin vjedhjen e pavërtetuar të votës. 

Katër vite më pas, amerikanët e dërguan këtë profil politikani në krye të vendit të tyre. Por, pas gjithë kësaj, a nuk duken qesharake deklaratat patetike të ambasadës së SHBA në Tiranë, kur digjet ndonjë karrige në kuvend, kur hidhet ndonjë fishekzajrre mbi kryeministri, apo kur zhgarravitet ndonjë mur i bashkisë? 

Nejse, këto episode simbolike, që tregojnë se popujt nuk ndjejnë të njëjtën frikë nga destabiliteti sa dhe burokratët që reagojnë nga errësira e zyrave të tyre, janë vetëm ana sipërfaqësore e asaj se si fitorja e Trump mund të përkthehet këtej nga anët tona. Thelbi qëndron tjetrëkund. Dhe ai lidhet me surprizën shokuese të një kandidati, të cilin, përndjekja nga sistemi i drejtësisë i vendit të vet, nuk e pengoi dot të fitonte. Që kur u zhvesh nga posti, Donald Trump është përballur me një numër të pafund procesesh penale dhe civile. Penalisht ai u hetua për ndërhyrje në zgjedhje, për manipulimin e dokumentave të klasifikuara, për tentativat e korruptimit të pornostares Stormy Daniels që mos fliste kundër tij, si dhe për sulmin mbi Kapitol. Përpos këtyre ai u përball me procese civile për fshehje taksash dhe agresion seksual. Qëllimi i gjithë kësaj fushate u akuzua nga mbështetësit e vet republikanë si një tentativë për të penguar idhullin e tyre të garonte në zgjedhje.

Lexo po ashtu:  Disa qeveri po përdorin koronavirusin, për të kufizuar të drejtat e grave

Por fillimisht, Gjykata Supreme e rrëzoi një pretendim të shtetit të Kolorados për ta nxjerrë Donald Trumpin nga gara presidenciale, ndërsa, këtë të martë, shumica e qytetarëve amerikanë e hodhën poshtë iluzionin se mund të ketë institucione, qoftë edhe ato të drejtësisë, që mund të përcaktojnë, në vend të tyre, se kë ata duan të zgjedhin në krye të vendit. Amerika dëshmoi se nuk e gëlltit dot instrumentalizimin e garës ose tkurrjen që një kastë e caktuar rreket ti bëjë mundësive të pamata për të vendosur.

Por shembulli i kësaj Amerike, bie katërcipërisht ndesh me praktikën që zyrtarët e mandatuar prej saj po praktikojnë në Tiranë, ku me anë të të ashtuquajturës reformë në drejtësi, po nxjerrin nga loja elektorale të gjithë rivalët e pushtetit. Të njëjtat metoda, të cilat dështuan të pengojnë Trumpin, po përkrahen në mënyrë të suksesshme nga diplomatët e SHBA për të nxjerrë jashtë gare krerët e partive opozitare shqiptare dhe për të zhbërë rezultatin e votës popullore, siç ndodhi në Himarë. Ata që kërcënuan zgjedhësit shqiptarë me “ngënie bari”, që dhunuan çdo kod diplomatik duke bërë thirrje për të mos votuar për “non gratat”, tani kanë zgjedhur të mbështesin një segment të drejtësisë, që pretendon të bëjë ndryshimin e elitave politike duke shmangur dhe kapërcyer votën. Kjo është diametralisht e kundërt me verdiktin popullor të kësaj të marte.

Lexo po ashtu:  1001 arsye për të mos i thënë mirupafshim Shqipërisë

Pra, si konkluzion, mund të thuhet se mbi 70 milionë amerikanë e kanë bërë të duket qesharake qasjen që politika e jashtme amerikane po eksperimenton këtu tek ne. Por ama kujdes! Ndonëse duket sikur ky përfundim shkon në favor të opozitës zyrtare në vend, e cila ka qenë e humbura e madhe e kësaj farse me drejtësinë, askush nuk duhet të ushqejë iluzione se, këtëj e tutje, gjithçka detyrimisht do të ndryshojë për mirë.

Historikisht Amerika ka dëshmuar se vlerat dhe parimet që vlejnë për të, nuk janë të detyrueshme edhe për satelitët e vegjël që e ndjekin nga pas. Pikërisht ajo që filozofi dhe intelektuali socialist, autori i  “Një histori popullore e SHBA”, Howard Zinn e konsideron si hipokrizia amerikane, nuk është çudi të përsëritet edhe këtë radhë.

Aq më tepër një lider kontrovers si Donald Trump nuk jep asnjë garanci për kultivimin e këtyre vlerave. Prandaj, ndonëse fitorja e miliarderit republikan e rrëzoi fabulën e deritanishme, nuk është e thënë se farsa e një autokracie me mbështetje amerikane nuk do të vazhdojë.