Pas 50 vitesh, shërbimet sekrete amerikane kanë deklasifikuar një seri dokumentesh që kanë si të përbashkët tentativën e administratës amerikane për të bojkotuar, në vitet ‘70, qeverinë  e Salvador Allendes, në Kili, që krijoi bazat për ardhjen e diktaturës së egër të Pinochet.

Allende, pas shumë tentativash, ishte zgjedhur si president i vendit latino-amerikan, i pari me ideologji marksiste në një vend që deri në atë kohë shquhej prej dekadash demokracie liberale.

Për administratën Nixon, dhe veçanërisht për sekretarin e Sigurisë Kombëtare të kohës, Henry Kissinger, pushteti i Allendes ishte një rrezik real për hegjemoninë amerikane në atë vend, si dhe një mundësi për përhapjen e socializmit në vendet e tjera të kontinentit.

Pikërisht vendimmarrjen mbi këtë rrezik dëshmojnë dokumentet e zbardhura, që flasin për ditë plot tension në Uashington, ku Kissinger tentoi fuqimisht të bindte presidentin Nixon për një ndërhyrje të drejtpërdrejtë.

Por, një akt i tillë amerikan do të kishte një efekt të paparashikueshëm për SHBA, sidomos sepse do të godiste një president të zgjedhur në mënyrë demokratike, edhe pse pas një gare të fortë mes kandidatëve.

Lexo po ashtu:  “I dashur shok...." Letra e Gandhit drejtuar Hitlerit për shpëtimin e njerëzimit

Një Këshill Sigurie në Shtëpinë e Bardhë është regjistruar në dokumentet  e reja, dhe tregon se ndërhyrja direkte u shmang nga pozicioni i sekretarit të Shtetit, William Rogers, që sugjeroi strategjinë e bojkotit që do të dobësonte pozicionin e presidentit kilian, e mbështetur edhe nga sekretari i Mbrojtjes  me fjalët: “Duhet të bëjmë gjithçka për ta dëmtuar, dhe pastaj ta rrëzojmë”.

Nixon u bind. “Po pati një mënyrë për të rrëzuar Allenden, të bëhet”, ishin fjalët e regjistruara të presidentit. Kështu ndodhi. Në pak muaj, kompanitë ndërkombëtare më të rëndësishme që kishin bazë në Kili u tërhoqën nga vendi, ekonomia e cila po vuante edhe një proces shtetëzimi të ndërmarrjeve mori goditjen finale, të papunët filluan protesta gjithmonë më të zjarrta, përreth pallateve të pushtetit të kryeqytetit Santiago.

Vetëvrasja e bujshme e Allendes në 1973 çoi në ngritjen e juntës ushtarake të gjeneralit Augusto Pinochet, 17 vjet diktaturë ku një pjesë e mirë e intelektualëve dhe studentëve me parime marksiste ose thjesht pro Allende u zhdukën në mënyrat nga më të ndryshmet, bashkë me çdo institucion demokratik në vend./A2CNN/

Lexo po ashtu:  Arma karajfile e Ali Pashë Tepelenës

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *