Gazetari i Berat Buzhalës, nga portali “Nacionale”, Vullnet Krasniqi dhe kameramani i tij janë sulmuar këtë të premte nga disa persona teksa po raportonin nga protesta kundër festivalit të filmit “DokuFest” në Prizren. Protesta ishte iniciuar nga qytetarët dhe komuniteti mysliman i qytetit dhe për këtë ka folur edhe hoxha gjatë faljes. Por gjatë marrjes së intervistave gazetari është sulmuar nga disa persona të cilët e kanë quajtur atë provokues.

Të dyshuarit janë arrestuar, siç ka konfirmuar tashmë edhe Policia e Kosovës. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi e ka konfirmuar arrestimin e një të dyshuari duke shtuar se rasti është cilësuar si “sulm ndaj personit zyrtar”.

“Hetimet i kemi filluar me Prokurorinë e shtetit për sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Momentalisht nuk mund të japë më shume informacione” – tha ai.

Sulmi ndaj ekipit të portalit “Nacionale” është dënuar ashpër edhe nga përfaqësuesit e gazetarëve dhe të shoqërisë civile. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës sulmin ndaj gazetarëve e ka cilësuar të papranueshme duke kërkuar dënimin e autorëve.

Lexo po ashtu:  Poshtërsia e një lajmi partiak

https://www.facebook.com/watch/?v=1439144413544659

“AGK, është i tronditur me sulmin ndaj ekipit të portalit Nacionale, gazetarit Vullnet Krasniqi dhe kameramanit, Arbër Latifi në Prizren. Krasniqi dhe Latifi ishin atje për të raportuar për protestën e thirrur nga imamët lokalë kundër festivalit “Dokufest”. Sipas raportimeve të medies, ata janë sulmuar dhe shtyrë fizikisht nga një pjesë e turmës protestuese derisa po kryenin punën e tyre. Ky është një sulm i papranueshëm dhe kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve. AGK-ja, kërkon nga Policia arrestimin e menjëhershëm të sulmuesve dhe përballjen e tyre të menjëhershme me drejtësinë”, – thuhet në reagimin e AGK-së.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *