Departamenti i Shtetit amerikan publikoi sot raportin për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2020, ku në pjesën për Kosovën përmend disa nga problemet më të rëndësishme, përfshirë kufizimet e padrejta ndaj mediave, ku hynin dhuna ose kërcënimet për dhunë ndaj gazetarëve, korrupsioni dhe mosndëshkimi në qeveri, sulmet kundër anëtarëve të pakicave etnike ose bashkësive të tjera.

Në raport thuhet se Qeveria ndërmori hapa për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarë që kryen abuzime të të drejtave të njeriut, por nganjëherë i mungonte vazhdimësia.

Shumë njerëz në qeveri, opozitë, shoqëri civile dhe media raportuan për raste të zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion ose që vepronin pa u ndëshkuar. Shumë zyrtarë të korruptuar vazhdojnë të jenë në pozita në sektorin publik, thuhet më tej në raportin për Kosovën.

Ndër tjerash thuhet se raporte të besueshme këmbëngulën se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare u përpoqën të frikësonin përfaqësuesit e medias. Problemet e financimit gjithashtu kërcënuan pavarësinë e medias dhe se gazetarët hasën vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike.

Lexo po ashtu:  Veglat e lashta muzikore dhe roli i tyre në trashëgiminë kulturore

Po ashtu thuhet se OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare aludojnë për dështime të shumta nga sistemi gjyqësor për të ndjekur penalisht korrupsionin, duke vërejtur se shumë pak raste të ngritura kundër zyrtarëve të lartë rezultuan në padi dhe se dënimi i zyrtarëve të nivelit të lartë të shpallur fajtorë për korrupsion ishte shpesh i butë.

Në raport përmendet se në të paktën katër çështje korrupsioni të profilit të lartë, Gjykata e Lartë gjeti se gjykatat më të ulëta kishin shkelur kodin penal në favor të të pandehurve.

Ndër tjerash, në raport përmendet edhe dhuna në familje, ku thuhet se Zyra e Prokurorisë për ndihmën ndaj viktimave raportoi një numër të rritur rastesh dhune në familje gjatë vitit, nga 946 raste sa ishin në vitin 2019, në 1.145 raste që nga tetori.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *