Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë reaguar pas votimit kundër në Kuvendin e Kosovës për propozimin e kryeparlamentares Vjosa Osmani për futjen në rend dite të projektligjit kundër pandemisë.

Deputetja Labinotë Demi-Murtezi, përmes një statusi në “Facebook”, e ka quajtur të pamundur dhe të papranueshëm faktin se deputetët refuzuan këtë projektligj, “duke lënë qytetarët në mëshirën e fatit”, përcjell “Zëri.info”.

“E pamundur. E papranueshme. Kuvendi i Kosovës nuk e voton propozimin për futje në rend dite projektligjin kundër pandemisë. Konsensus i domosdoshëm dhe jetik, që e refuzuan të zgjedhurit e popullit, duke i lënë qytetarët në mëshirë të fatit”, ka shkruar Demi-Murtezi.

Fatmire Mulhaxha-Kollçaku deputetët e po kësaj partie i ka quajtur “hipokritë” që s’e votuan këtë iniciativë, ndërsa tha se zgjidhje e problemit janë zgjedhjet.

“Deputetët hipokritë që flasin për luftimin dhe parandalimin e COVID-19, por nuk votojnë iniciativën për miratimin e ligjit anti-COVID me procedurë të përshpejtuar???!!! Zgjedhjet janë zgjidhja. Me votë ata do të ndëshkohen nga sovrani, që po vuan nga pasojat e sëmundjes çdo ditë e më shumë”, ka shkruar në “Facebook” Mulhaxha-Kollçaku.

Lexo po ashtu:  Reagon UP-ja ndaj lajmit për angazhimin e një asistenti që qarkulloi në rrjetet sociale

Edhe deputeti i kësaj partie, Fitim Uka, tha se tash që po bien maskat po dalin deputetët që nuk po e votojnë projektligjin për pandeminë.

“Tash kur bien maskat dhe nuk e mbajmë distancën e kuptojmë që janë disa deputetë që nuk e votojnë projektligjin për pandeminë. Gjeni cilët janë?”, tha ai.

Propozimi i Osmanit nuk kaloi, pasi votimi për tejkalimin e procedurave për projektligjin nuk ka marrë votat e nevojshme, duke u votuar nga vetëm 59 deputetë.

“Kemi 59 vota për, as ligji nuk mund të hyjë në rend dite për shkak se nuk ka marrë pjesë një numër i deputetëve të pranishëm në sallë. Për fat të keq, ky ligj duhet të trajtohet në procedura të tejzgjatura, edhe pse situata është alarmante”, ka thënë Osmani pas votimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *