Deputetet gra të Kuvendit të Kosovës kanë reaguar kundër vërsuljes dhe kanosjes ndaj Vjosa Osmanit nga ana e deputetit të LDK- së, Xhavit Ukaj, në Kuvendin e Kosovës.

Përkundër bindjeve politike, gratë deputete të Kuvendit dënojnë si të ulët veprimin e deputetit Ukaj.

Nënkryetarja e Kuvendit Arbërie Nagavci, thotë se ky veprim i deputetit dëshmon se ende ka punë për të bërë në vetëdijesimin dhe parandalimin e dhunës ndaj grave, përcjell “Zëri.info”.

“Kjo vërsulja e sotme dhe gjuha denigruese e një deputeti ndaj Kryetares së Kuvendit vetëm se na dëshmon se sa shumë punë kemi akoma për të bërë në edukim e vetëdijesim, në parandalim të dhunës ndaj grave. Kur dikush sillet në mënyrë kaq banale në Kuvend, paramendojeni se çfarë mund të ndodhë në familje e institucione tjera”, ka thënë ajo në reagimin e saj.

Edhe deputetja Labinotë Demi-Murtezi ka reaguar pas këtij veprimi të deputetit Ukaj ndaj kryeparlamentares në Kuvendin e Kosovës.

Demi-Murtezi thotë se qeverisja e uzurpuar sulmuan gruan më të votuar dhe figurën më të lartë femërore në institucionet udhëheqëse.

Lexo po ashtu:  Kosova e para në Evropë për numrin e vdekjeve nga ajri i ndotur, askush nuk ofron zgjidhje

“Në rastet e vazhdueshme të paprecedentë në Kuvendin e Kosovës, ndodhi edhe kjo kur një deputet i vërsulet për ta sulmuar Kryekuvendaren Vjosa Osmani. Institucionalistët e dështuar në qeverisjen e uzurpuar, sulmuan gruan më të votuar në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe figurën më të lartë femërore në institucionet udhëheqëse të Kosovës”, ka shkruar Demi-Murtezi.

Ndërsa, ish-deputetja Shqipe Pantina, përmes një postimi në “Facebook”, po ashtu ka dalë në mbrojtje të Vjosa Osmanit. Ajo thotë se deputetët në Kuvend janë për të përfaqësuar popullin jo për të ngritur zërin e për të treguar forcën e muskujve.

“Kuvendi do duhej te ishte vendi ku matet fuqia e argumentit e jo forca e muskujve apo e zërit. Sidoqoftë çdo popull ka në krye njerëzit që i meriton! Asnjë deputet në Kuvend nuk ka pikë nga qielli dhe secili përfaqëson dikë aty”, ka shkruar ajo.

Deputetja nga radhët e PDK-së Eliza Hoxha është shprehur e shqetësuar për sulmin ndaj Osmanit.

“E pahijshme sa edhe e dhimshme me pa burreca që i sulen grave në krye të detyrës, imagjinoni nëpër shtëpi se si është nga soji i tyre”, ka thënë Hoxha në një status të saj Facebook.

Lexo po ashtu:  Sot ka ditëlindjen Konica i madh

Deputetja Musliu: Sulmi u nxit nga Pacolli

Sulmi ndaj kryeparlamentares Osmani ka ndodhur derisa në foltore të Kuvendit ishte deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

Ajo përmes një postimi ka sqaruar se si ka ndodhur ngjarja. Por, nuk ka dënuar sulmin ndaj Osmanit.

Musliu për këtë përplasje apo vërsulje ndaj kryeparlamentares e ka fajësuar deputeten Fitore Pacolli.

“Në momentin që unë marrë fjalën që të bëjë demantimin për shpifjet dhe të pavërtetat, deputetja e VV-së Fitore Pacolli tenton të ma pamundësoi fjalën duke bërtitur me zë të lartë që unë mos të dal nga rendi i ditës. Me që Fitore Pacolli nuk ndalej unë detyrohem t’i them ‘mbylle gojën kur unë flas’. Në këtë rast Kryetarja e Kuvendit në vend që t’ia tërheq vërejtjen Fitore Pacollit, e cila pengonte fjalën time, ajo ma tërheq mua vërejtjen gjë që i acaroj deputetët e LDK- së, të cilët i tërhoqën vërejtjen kryetares së Kuvendit që mos të ketë qasje selektive sepse vetëm para pak minutave deputeti i VV-së Sali Zyba ofendoi anëtarët e kabinetit qeveritar duke i quajtur paranojak, e fjalë të tjera fyese”, ka sqaruar Musliu.

Lexo po ashtu:  ‘Gara’ e vaksinave/ Pfizer tejkalon Moderna, rritet efektshmëria e vaksinës, shkon në 95%

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *