Qeveria Kurti 2 pritet që të betohet para deputetëve të Kuvendit të Kosovës deri në fund të këtij muaji. Lëvizja Vetëvendosje, që e vetme siguroi 58 mandate, ka nisur komunikimet me subjektet e komuniteteve pakicë joserbe për të siguruar 61 votat e nevojshme, ndonëse dy deputetë tashmë kanë shprehur publikisht gatishmërinë për të votuar qeverinë e re.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në një intervistë për KosovaPress, beson se presidentja në detyrë Vjosa Osmani nuk do të humbasë kohë dhe do të thërrasë seancën e parë të legjislaturës së tetë e gjithashtu do të caktojë mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të LVV-së, që në këtë rast do të jetë Albin Kurti.

Haxhiu tha se situata me pandeminë por edhe zgjedhja e presidentit janë arsye që institucionet të formohen sa më shpejtë.

“Unë nuk besoj që do i konsumoj të gjitha këto 30 ditë (afate ligjore), besoj që presidentja apo ushtruesja e detyrës, Vjosa Osmani do e thërras seancën më shpejt duke pasur parasysh rëndësinë për t’u krijuar institucionet legjitime që kanë dal nga votat e qytetarëve, e pastaj që padyshim besoj që aty afër do formohet edhe qeveria e re që është shumë e rëndësishme edhe për shkak të pandemisë që po përballemi por jo vetëm. Unë besoj që nëse gjithçka shkon kështu siç aktualisht po shkon, fundi i marsit padyshim që do na zë me qeveri të re, dhe pastaj me duhet të bëhemi gati që ta zgjedhim edhe presidentin e ri për faktin se aktualisht jemi me ushtruese detyrës dhe ditët po shkojnë. Pra, ne jemi si me thënë edhe peng i kësaj sepse ne duhet të veprojmë më shpejt në mënyrë që Kosova të mos mbetet pa zgjedhjen e presidentit të ri”, theksoi Haxhiu.

Lexo po ashtu:  Konjufca e Palmer diskutojnë për dialogun

Haxhiu, duke shprehur gatishmërinë që edhe në Qeverinë Kurti 2 të marrë përgjegjësitë si ministre e Drejtësisë, tha se ende nuk dihen emrat e ministrave dhe zëvendësministrave të kabinetit të ri qeveritar.

Mirëpo, Haxhiu garantoi se ministrat e rinj, emrat e të cilëve që do të bëhen shpejt të ditur, do të jenë persona me integritet të lartë moral, politik dhe profesional.

“Ajo çka dihet tani për tani është emri i kryeministri dhe emri i presidentes, zotëri Albin Kurti kryeministër i ardhshëm dhe zonja Vjosa Osmani presidente e ardhshme. Nuk dihen ende emrat e zëvendëskryeministrave apo emrat e ministrave apo ministreve, dhe besoj që shumë shpejt ajo do bëhet publike. Ne jemi në fazat e komunikimit edhe brenda partisë, besoj që shumë shpejt do i kemi për qytetarët edhe emrat e Qeverisë Kurti 2. Ajo çka dihet patjetër është se do jenë persona që do ta kenë integritetin më të lartë profesional, moral dhe politik, sepse me aq shumë sfida do përballemi sa që vetëm një qeveri e tillë me persona të tillë do ia dal mbanë. Unë do jem aty kudo që e vlerëson dhe konsideron Lëvizja Vetëvendosje dhe organet e partisë, padyshim që asnjëherë nuk i jam frikësuar pozicioneve që kam mbajtur dhe do i kryej me përgjegjësinë më të lartë morale dhe qytetare”, thotë ajo.

Lexo po ashtu:  BE: Ende herët për komente rreth shtetit të Urdhrit Bektashi

Haxhiu tha se tashmë kanë nisur diskutimet me disa përfaqësues të komuniteteve joserbe. Ndërsa u shpreh se tashmë Elbert Krasniqi dhe Emilia Rexhepi do të votojnë Qeverinë Kurti 2.

“Tashmë siç e keni parë ne i kemi 58 deputetë të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, për ta bërë qeverinë na duhen edhe 3. Tashmë ne jemi në komunikim me disa përfaqësues të komuniteteve jo shumicë në Kosovë. .Ju e dini bashkëpunimin tonë që kemi pasur me Elbert Krasniqin nga IRDK, ai fatmirësisht ka fituar mandatin e deputetit që do jetë bashkë me ne, po ashtu në këtë rrugëtim është edhe Emilia Rexhepi. Në anën tjetër jemi edhe me disa deputetë duke komunikuar në mënyrë që të marrim mbështetjen për qeverinë e re. Unë besoj që edhe për komunitetin që përfaqësojnë deputetët, qoftë të komunitetit turk, boshnjak, ashkalinj, romë, egjiptian është e rëndësishme që ta mbështesin një qeveri e cila nuk do bëjë dallime tek komunitetet por do i trajtoj qytetarët në mënyrë të barabartë. Prandaj, unë mendoj se qeveria duhet të formohet sa më parë“, deklaroi ajo.

Anëtarja e kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu për KosovaPress ka folur edhe për zgjedhjen e Vjosa Osmanit si presidente të Kosovës. Ajo tha se votat që ajo mori në zgjedhjet e 14 shkurtit duhet të merren seriozisht nga partitë në opozitë.

Lexo po ashtu:  Protesto

Madje, ajo tha se pas formimit të qeverisë do të nisin edhe komunikimin me këto parti për të zgjidhur edhe çështjen e presidentit.

“Votat që ka marr zonja Osmani janë sinjal i qartë që subjektet opozitare duhet ta trajtojnë seriozisht këtë çështje në mënyrë që ta jetojnë vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhjet e 14 shkurtit. Padyshim që ne do kemi komunikime tona me ato subjekte sepse nuk do shkojmë në një seancë me njëfarë arrogance dhe jo ju duhet të qëndroni në sallë, por besoj që do e trajtojnë seriozisht pozicionin e tyre në raport me zgjedhjen e presidentes…Jo deri tani nuk kemi asnjë komunikim apo takim me subjektet tjera, presim të konstatohet Kuvendi i Kosovës, e pastaj qeveria në mënyrë që të kemi takime apo komunikime me ta”, u shpreh Haxhiu.

Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit u rendit partia e parë me 49.9 % të votave të fituara. E pasuar nga PDK me 16.9 %. LDK me 12.64 % renditet partia e tretë. AAK fitoi 7.07%. Lista Srpska ka fituar 10 vendet e rezervuara në Parlamentin e Kosovës për komunitetin serb, ndërsa 10 vende u takojnë pakicave joserbe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *