Shqipëria nuk bëhet me shqiptarë.

Sa herë e kemi dëgjuar këtë shprehje që përshkruan një gjendje të lodhshme, të pashpresë të këtij tranzicioni që nuk ka më emër?

Është ilustrimi më i thjeshtë dhe i thukët i asaj kundërnarrative të brendshme, e një bindjeje gati shpirtërore për dështimin tonë të përbashkët në këtë vend që nuk po e ndjejmë më tonin.

Është një kundërnarrativë private, gjysmë publike, informale që i kundërshton narrativën zyrtare që e mësojmë në shkollë, që e riprodhojmë si papagaj në publik e me të cilën një pjesë e jona ndërtojnë akuza, mbyllin mendjen, qetësojnë ankthet dhe shpjegojnë të gjitha komplotet e kësaj bote.

Është narrativa e jetës sonë, e përvojës që na godet me kamzhikun e së vërtetës së përditshme në rrugë, në pallat, në dyqane, në lokale, në shkollë, në punë, në institucione, me akademikë dhe rrugaçë, lypësa dhe politikanë. Që na thotë: ta gëzosh Shqipërinë, kjo është.

Është ajo narrativë që ka ulur flamurin kuq e zi dhe ka ngritur flamurin e rreckosur të skamjes, injorancës, ligësisë dhe hipokrizisë.

Lexo po ashtu:  Vëllai i madh të rrafë dhe nuk të lë të qash!

E megjithatë asgjë nuk e zgjon shqiptarin e sotshëm nga gjumi i narkozës së shqiponjës, së ngazëllimit me iluzionet e veta që i mbarështon jo duke besuar në to, por duke i blerë me para korrupsioni si totem të statusit të autoktonit. Duke injoruar dhe shpartalluar nevojën dhe dobinë për qytetari, pikërisht sepse kjo e fundit kërkon shikim kritik, mendim të pavarur, paanshmëri dhe shqyrtim të veseve tona që po kalbëzojnë të gjithë trupin e shoqërisë.

Kjo lloj shqiptarie është një mjekësi ligjore që tenton jo të diagnostikojë shkaqet e sëmundjes, apo të vdekjes, por të mbajë kufomën në koma të përjetshme.

E megjithatë Shqipëria nuk bëhet me shqiptarë. Sigurisht, jo me këtë lloj shqiptari që e ka gënjeshtrën e vetes interes parësor.

Që ngre lapidarë çdo injoranti të pasuruar, që rrihet e kacafytet për çdo banalitet, që nuk di të ndajë një gjë ndershmërisht, që urren të vërtetën, vendin e dytë, qetësinë, reflektimin, pritjen dhe durimin. Që i fut mik edhe hijes së vet, që urren sidomos punën dhe suksesin e tjetrit.

Lexo po ashtu:  DW/ Kriza në veri të Kosovës – Serbia mes Rusisë dhe Perëndimit

Që e ka jetën një projekt imitimi dhe improvizimi duke kërkuar të afirmohet me kuletë në një botë që është aq e pasur sa bën të duket lypsar çdo mafioz që ka tronditur Perëndimin.

Është një marrëzi që nuk ka të ndalur për dekada, e cila cedon tek identiteti duke imituar ndërkohë që shpall me hungërimë patriotike se ky majmun është më origjinal se origjinalja.

Është një paudhësi që e sheh të realizohet aq lehtë te mënyra sesi çedukojmë fëmijët tanë, sepse realisht nuk kemi se çfarë t’u mësojmë veçse si të vjedhin dhe shtiren. Të shtiren me shokët, të shtren me ne, sepse ashtu u shtirën edhe ata para nesh me NE duke na shërbyer historinë që deshën jo të Vërtetën. Dhe e bënë këtë siç thonë për të shmangur konfliktet, për të na ruajtur nga Vetja.

Thjesht lanë një qese serum për një sëmundje terminale që duhet operuar, duke shtuar edhe ata dozën e tyre në filozofinë e fasadës.

Lexo po ashtu:  Tregtarë të rëndomtë flamujsh

Kjo lloj shqiptarie ka të vërtetë veç kombësinë, sepse në raport me historinë është e rreme kokë e këmbë, një rindërtim i preferuar i vetes sipas parimit të shmangies së çdo pyetjeje të vështirë.

Është një shqiptari që është asgjë më shumë se diagnoza e një sëmundjeje që po çon në shëprbërje një shoqëri që nuk do me asnjë kusht të ballafaqohet me veten dhe lejon të tërhiqet për hunde nga një elitë kriminelësh dhe hajdutësh që ç’është më e hidhura, po tenton jo vetëm pushtetin, po imponon etosin e vet si model për brezin tjetër. Atë model që ne brenda në shtëpi nuk e konkurojmë dot për fëmijët tanë, të cilët na mbetet veç se t’i shpëtojmë sa më parë nga vendi i tyre./Skerdilajd Zaimi/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *