Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk do ta neglizhojnë dialogun me Serbinë por as nuk do të shpejtojnë.

Këto komente kreu i qeverisë i bëri gjatë vizitës që e bëri në komunën e Pejës, ku ka shkuar për të inspektuar dëmet e shkaktuara nga erërat e forta.

“Ne në parim jemi për marrëdhënie të mira fqinjësore, jemi për marrëdhënie të mira bilaterale në frymën evropiane jemi edhe për dialog parimor e të përgatitur mirë e për këtë gjë kemi takuar edhe përfaqësuesit politik e diplomatik nga perëndimi si nga Brukseli po ashtu edhe nga Washingtoni. Në ditët në vijim prioritet i qeverisë sonë është përgatitja e buxhetit 2020, është programi qeverisë që del nga marrëveshja e koalicionit dhe është plani i punës së qeverisë. Nuk e neglizhojmë dialogun, nuk duhet të vonohemi për dialog por nuk duhet as të ngutemi”, tha Kurti.

Kurse sa i përket mundësisë së zgjedhjes të ndërmjetësuesit sllovak të Bashkimit Evropian për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, Kurti ka thënë se edhe me të do të takohen dhe se në këto takime do të shpalosin qëndrimet e shtetit të Kosovës për të mbrojtur interesin nacional të vendit.

Lexo po ashtu:  Media franceze: Lufta e Ukrainës mund të përshpejtojë integrimin e Shqipërisë në BE!

“Ne nuk mund të ndikojmë se kush zgjidhet në Bruksel dhe se çfarë emisarësh ata caktojnë për ndërmjetësim por natyrisht që ne të gjithë ata i presim në takime ku shpalosim qëndrimet tona dhe mbrojmë interesin nacional të vendit tonë. Do të kemi koordinimin edhe qeveritar edhe shtetëror duke përfshirë edhe opozitën në mënyrë që përfaqësimi ynë të jetë edhe dinjitoz edhe i fuqishëm edhe i suksesshëm. Ashtu siç e kemi takuar zotërinë Borrell kur ka ardhur në Prishtinë do ta takojmë edhe emisarin e tij, çoftë në Prishtinë apo Bruksel”, theksoi kryeministri i Kosovës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *