Dieta mund të ketë më shumë ndikim në rrezikun për zhvillimin e kancerit, seç mund ta mendonit, ka zbuluar një studim i ri. Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore JNCI Cancer Spectrum, në 2015 janë evidentuar më shumë se 80.000 raste të reja kanceri, të cilat lidhen me dietën e varfër.

“Kjo është e barasvlershme me 5.2% të të gjitha rasteve të kancerit invaziv të diagnostikuara në vitin 2015 në Amerikë”, thotë Dr. Fang Fang Zhang, epidemiolog i kancerit në Universitetin Tufts në Boston, njëkohësisht edhe autor i këtij studimi.

Shkencëtarët vlerësuan 7 faktorë të ndryshëm dietik: konsumi i ulët i perimeve, frutave, drithërave dhe produkteve të bulmetit, dhe konsumi i lartë i mishit të përpunuar, mishit të kuq, pijeve të sheqerosura dhe të gazuara.

“Konsumimi i ulët i drithërave është faktori kryesor ushqimor i lidhur me përhapjen e kancerit në Amerikë, ndjekur nga konsumimi i ulët i produkteve të bulmetit, konsumimi i tepërt i nënprodukteve të mishit të përpunuar, konsumimi i ulët i perimeve dhe frutave, konsumimi i tepërt i mishit të kuq dhe i pijeve të sheqerosura”, thotë Zhang.

Lexo po ashtu:  LIGJI I KAMIONIT TË MBETURINAVE

Shkencëtarët kanë zbuluar se dieta e varfër (kequshqyerja) ndikon më shumë në zhvillimin e kancerit të zorrës së trashë dhe rektal.

Këshilla nga dietologia Blerina Bombaj

  • Rrisni konsumin e drithërave të plotë, duke kthyer gjysmën e atyre që konsumoni në integrale. Kjo do te thotë të vendosni tërshërë, thekër, bukë të zezë, makarona dhe oriz integral, kuinoa dhe hikerror, më shpesh në ushqimin e përditshëm.
  • Konsumoni 3 racione bulmet në ditë, duke preferuar më shumë kosin dhe djathin në vend të qumështit, mundësisht me yndyrë të reduktuar. Kjo do të rriste ndjeshëm parandalimin e kancerit të zorrës së trashë, duke qenë se bulmeti luan rol mbrojtës kundër këtij kanceri.
  • Ulni konsumin e nënprodukteve të mishit: sallame, proshuta, salsiçe, kremviçe, pancete, mish i tymosur etj.
  • Evitoni pijet e sheqerosura te fëmijët dhe adoleshentët, pasi ato lidhen me rritje të peshës trupore dhe rrjedhimisht me rritje të rrezikut nga kanceri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *