Në Malin e Zi votohet sot për parlamentin e ri. Zgjedhjet paraardhëse në këtë vend për pak u kthyen në katastrofë. Në prag të tyre, policia arrestoi një grup agjentësh të dyshuar rusë, serbë dhe shtetas malazezë që kishin planifikuar të bënin një grusht shteti, të vrisnin kryeministrin e vendit, Milo Gjukanoviç, dhe të sillnin në pushtet një qeveri pro-Moskës.

Në vitin 2019, 13 persona u dënuan për sulmin, duke përfshirë dy politikanë malazezë, Andrija Mandic dhe Milan Knezevic – të cilët u dënuan me pesë vjet burg – dhe dy shtetas rusë, të dënuar për 12 deri në 15 vjet burg në mungesë. Pra, kur Gjukanoviç, tani president, flet për një komplot për të penguar Partinë e tij Demokratike të Socialistëve (DPS) të fitojë një mandat tjetër në detyrë në zgjedhjet që mbahen sot, nuk e thotë këtë pa baza.

Në një prononcim për AP këtë javë, Gjukanoviç tha se “po zhvillohet një luftë mediatike dhe politike” kundër tij dhe partisë së tij nga ata që duan të vnën Malin e Zi “nën ombrellën e Beogradit dhe Moskës”. Si shumë kombe të Evropës Lindore dhe Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi e ka gjetur veten të vendosur në mes të dy sferave rivale të ndikimit, Perëndimit dhe Lindjes. Nën drejtimin e Gjukanoviçit, Mali i Zi e ka bërë të qartë zgjedhjen e vet properëndimore.

Dikur aleat i udhëheqësit serb, Sllobodan Miloševiç, Gjukanoviç më vonë i ktheu shpinën Serbisë dhe e udhëhoqi Malin e Zi drejt pavarësisë në vitin 2006. Ai filloi me Brukselin negociatat për anëtarësim në BE, të cilat janë ende në proces. Disa muaj përpara zgjedhjeve të fundit, Gjukanoviç nisi procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, një lëvizje që çoi në protesta në rrugë dhe, siç pretendohet, grusht shteti. Mali i Zi u anëtarësua në NATO në 2017.

Lexo po ashtu:  E rrezikshme: Bletët po ndërtojnë foletë e tyre duke përdorur plehra plastike

Qasja e Gjukanoviçit drejt Evropës dhe Perëndimit padyshim që ka trazuar Presidentin e Rusisë Vladimir Putin, megjithëse Moska gjithmonë e ka mohuar se ka pasur dorë në grushtin e shtetit të 16 tetorit. Ajo ka zemëruar gjithashtu Serbinë, e cila ka zhvilluar lidhje të forta me Rusinë nën Presidentin Aleksandar Vučić, i cili vizitoi Moskën në 2017.

Polarizimi

Por kjo ka ardhur edhe me një polarizim brenda Malit të Zi, ku 55.5% votuan për pavarësinë nga Serbia në 2006, ndërsa 44.5% ishin kundër. Për çështje të tjera, malaziasit janë të ndarë në mënyrë të ngjashme: 54% e popullsisë, për shembull, mbështesin anëtarësimin në BE, nga pothuajse 67% vetëm dy vjet më parë.

Edhe për çështjet ka ndarje të ngjashme. Një ligj që i kërkon Kishës Ortodokse Serbe, organi më i madh fetar në vend, të provojë pronësinë e tokave të saj është çështje kryesore zgjedhore dhe ka çuar në protesta masive në rrugë dhe pretendime se qeveria po kufizon lirinë fetare.

Për Sinisa Vukovic, pedagog në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare (SAIS) në Universitetin Johns Hopkins, kjo më shumë pasqyron faktin se për shumë malazezë ligji nuk ka të bëjë me pronësinë e pasurive të kishës, por me dy vizione konkurruese për atë që Mali i Zi është, dhe ku po shkon ai. Nga njëra anë, kritikët e ligjit e shohin Malin e Zi si një vend që duhet të rreshtohet me Beogradin dhe Moskën, me botën e krishterë ortodokse, sllave, pjesë e së cilës ka qenë për dekada, nëse jo shekuj. Nga ana tjetër, Gjukanoviç sheh pas Kishës Ortodokse Serbe dorën e Beogradit dhe, përmes saj, të Moskës.

Lexo po ashtu:  10 miliardë dollarë prej metalesh të çmuar hidhen çdo vit si mbeturina elektronike, thonë Kombet e Bashkuara

“Qeveria beson se për të rregulluar shkallën e interesave serbe në Malin e Zi, ajo duhet të rregullojë rolin e kishës,” tha Vukoviç.

Arsyeja që kjo çështje në dukje lokale – dhe tejet komplekse – është e rëndësishme gjeo-politikisht, argumentoi Vukoviç, është sepse ajo përfaqëson një ndarje që ka jehonë në të gjithë Ballkanin perëndimor. Në Serbi, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Maqedoninë e Veriut.

“Mali i Zi është një provë lakmusi. Duke i kushtuar vëmendje Malit të Zi, ju kuptoni se për çfarë do të thotë kjo divergjencë. Këto janë probleme që kanë ekzistuar për dekada, në mos shekuj, dhe tani ato janë ngulitur. Tani është çështje e tipi me ne ose kundër nesh”, tha ai.

Është pothuajse e sigurt që, pas të dielës Gjukanoviç do të duhet të bëjë kompromis për të formuar një qeveri. Sipas Qendrës së Malit të Zi për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (CEDEM), 35% e malazezëve mbështesin listën zgjedhore të Gjukanoviç, shumë më pak se një përqindja që duhet për të qeverisur, që do të thotë se atij do t’i duhet të bëjë koalicion.

Koalicioni me grupin kryesor opozitar pro-serb, pro-rus dhe rrjedhimisht anti-Gjukanoviç, Fronti Demokratik, përjashtohet si mundësi, kështu që Gjukanoviç do të duhet të kërkojë mbështetjen e partive të vogla, gjë që zakonisht vjen me një çmim politik.

Lexo po ashtu:  Merkel po e shpëton sërish Europën!

Çfarëdo që të ndodhë të dielën, Gjukanoviç – i cili e ka drejtuar Malin e Zi si kryeministër, president ose kryetar i partisë së tij për gati 30 vjet – pothuajse me siguri do të mbetet. Ky, për disa malazias, ky është problem.

“Do të ishte mirë që demokracia në Mal të Zi të ndryshojë partinë në pushtet”, thotë Milena Besic, drejtore i CEDEM, “por opozita nuk ka përdorur për 30 vjet mundësinë për t’u bërë një alternativë adekuate.”

Pranimi në BE ka ngecur për shkak të kapitujve 23 dhe 24 të marrëveshjes, përkatësisht në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ndërsa vendi ka miratuar ligjet e kërkuara, Brukseli ka vërejtje për zbatimin e tyre.

Në një raport të vitit 2019, Komisioni Evropian tha se korrupsioni në Malin e Zi “është i përhapur në shumë fusha dhe mbetet shqetësim” dhe se përgjigjja e drejtësisë penale ndaj korrupsionit të nivelit të lartë “mbetet shumë e kufizuar”. Për qytetarët, korrupsioni është shqetësimi i tyre i dytë më i madh, sipas një sondazhi të BE në fillim të këtij viti.

Situata u përkeqësua më tej pas vitit 2016, kur partitë e opozitës bojkotuan parlamentin. Si rezultat, ligjet u miratuan nga parlamenti që u votuan vetëm nga qeveria dhe aleatët e tyre. Kjo u reflektua me rënien e besimit të qytetarëve te institucionet.

Marrë me shkurtime nga Euronews/TvT

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *