Beqir Elshani

Papritmas profesori nxori flamurin kombëtar prej çantës së zezë dhe me dy progje e vari në ballë të murit në odë. Në këtë çast, fytyrat e burrave u ndriçuan, kurse sytë e fëmijëve të pranishëm në odën e burrave shkëlqenin porsi yje. Drita e dritares së odës binte mu në sfondin e flamurit kuqezi, dukej sikur dielli kishte hyrë në odë. Për çdo nëntor të vitit profesori e mbante flamurin në çantë, dhe kudo që shkonte, e shpaloste para të gjithëve. Ai donte t’ua përkujtonte të gjithëve se për të valuar i lirë flamuri kombëtar në trojet tona, ende duhet luftuar. Organet e pushtetit jugosllav profesorin e kishin larguar prej detyrës për shkak se gjatë orës mësimore vazhdimisht fliste për bukuritë natyrore shqiptare dhe për heroizmin e popullit trim shqiptar. Jo vetëm kaq, sepse profesori shpjegonte me afsh atdhetar dhe pëllëmbën e dorës e mbështeste në hartë, mu në kufirin shqiptaro-shqiptar. Dukej sikur nxënësve ua brumoste dashurinë në zemër, që një ditë ajo vijë e dhunshme kufitare të zhduket nga faqja e dheut, në mënyrë që atdheu i bashkuar të jetojë i lirë. Kështu lënda mësimore e dheshkronjës ishte bërë e dashur për nxënësit dhe ora e mësimit kalonte shpejt.

I zoti i shtëpisë, xha Mirushi, u ngrit në këmbë dhe i nderoi të pranishmit në odë, pastaj ua uroi festën kombëtare të flamurit. Profesorin e falënderoi duke e përqafuar me gjoks.

– Të lumtë, profesor, ma zbukurove shtëpinë! – e përgëzoi xha Mirushi profesorin, pastaj iu drejtua të gjithëve. – Më ndihmoi fati që profesorin e takova në qytet, dhe ja tani kjo ditë u bë ditë kremte, ndonëse Dita e Flamurit është pasnesër.

Ndërkohë i biri i xha Mirushit, Valoni, doli jashtë për të vështruar rrugën në mos po kalonte patrulla policore. Shqetësimin e të birit e hetoi babai që ishte ulur nën ballinën e flamurit në krye të odës, nuk i erdhi mirë, prandaj ia tërhoqi vërejtjen të birit, që dikur kishte punuar drejtor në gjimnaz.

– Mjaft më me atë tutën tënde partiake! Tani të gjithë jemi njësoj para shkaut: si ti me librezë të kuqe, si profesori i dheshkronjës pa të. A e more vesh sesi djali i kryetarit të gjykatës komunale u kthye në arkivol nga Armata Popullore e Jugosllavisë, prandaj sot jemi pre e fashizmit serb, pa marrë parasysh veprimet tona. Askush nuk ka punuar më shumë se kryetari i gjyqit për pushtetin, megjithatë djalin ia kthyen në kufomë, – tha i zoti i shtëpisë, xha Mirushi, që tregonte se si durimit i kishte ardhur fundi.

Është vit i mbrapshtë i Jugosllavisë, që në gjendje shtetrrethimi me tanke ia hoqi kushtetutën Kosovës. Institucionet arsimore dhe fabrikat janë rrethuar nga forcat e shumta ushtarake dhe policore të federatës serbe. Kosova është në heshtje varri dhe me ankth i pret kufomat e njëpasnjëshme të ushtarëve shqiptarë që vriten prapa shpine gjatë shërbimit ushtarak. Në muzgun e mbrëmjes rrapëllojnë llamarinat, të cilat vendasit i godasin në shenjë revolte. Kjo rrapëllimë është me prejardhje, diku, nga fiset e largëta primitive, prandaj një veteran i luftës në çetën e Shaban Polluzhës, me të parë këtë skenë tronditëse, kishte thënë se nuk trembet shkau me potere të llamarinës, por me pushkë, këtë e kishte thënë duke luajtur gishtin e këmbëzës. Zonjat e shtëpisë mallkonin zbatimin e kësaj revolte të pakuptimtë; ato ankoheshin sesi kohët e fundit kishin mbetur pa govata për larjen e rrobave, meqë të rinjtë i mblidhnin të gjitha, dhe dilnin duke rrapëlluar porsi karnaval në rrugë. Tanimë nuk ka protesta të shqiptarëve kundër dhunës dhe shtypjes së egër serbe. Siç duket, ky lloj i gandizmit shqiptar i pëlqen diplomacisë ruse dhe franceze që janë miq tradicionalë të fashizmit serb. Shkrimtari francez, Andre Malro, me dajak i kishte rrahur akademikët serbë përse kishin lejuar të valojë flamuri kuqezi në Kosovë. Kundërshqiptari francez i kishte udhëzuar serbët sesi duhet ndaluar edhe gjuhën shqipe, jo më mbylljen e Universitetit të Kosovës. Prandaj mjafton që një veteran francez me autoritet t´i ndërsejë këta bisha serbofashiste, dhe këta menjëherë i hyjnë barbarisë kundër shqiptarëve në të gjitha anët e Jugosllavisë. Kjo do të thotë që francezi, përndryshe bir i revolucionit francez, për shkëlqimin e dinjitetit njerëzor di t’i mësojë të tjerët si duhet pushtuar Kosovën, në vend se t’i mësojë shqiptarët se si duhet të çlirohet Kosova nga egërsira serbe. Prandaj derisa Franca gjermanët i ka drejtuar kah bukuria e jetës, serbët i ka drejtuar kah kolonizimi i trojeve shqiptare për shtypjen dhe terrorizimin e popullit shqiptar.

Lexo po ashtu:  Kritikat therrëse/ Si u armiqësua Elez Biberaj me Edi Ramën

Profesori i dheshkronjës mori qëndrim mbi gjunjë nën flamur, prej nga ngjyra e flamurit kuqezi reflektohej në fytyrën e tij; ngriti duart në drejtim të flamurit, dukej sikur fëmijëve donte t’ua fuste në zemër dhe pyeti:

– Fëmijë të dashur, a e dini si këndohet Himni i Flamurit Kombëtar?

Fëmijët ngritën supet në shenjë mosdije, duke shikuar me habi njëri-tjetrin. Këta për herë të parë e shikonin flamurin shqiptar pa njolla të fashizmit serb. Pastaj profesori filloi recitimin e strofës së parë të Himnit mbi Flamur:

 Rreth Flamurit të përbashkuar
Me një dëshirë e një qëllim,…

Kur i zoti i shtëpisë, xha Mirushi, dëgjoi këndimin e himnit kombëtar nga profesori, trupi i tij po vlonte prej vrullit atdhetar, dukej sikur ishte bërë moshatar me fëmijët, edhe pse ishte gjysh. Shkëlqimi i flamurit dhe recitimi i profesorit i dha shkreptimë zemrës së kryezotit të odës.

– Im vëlla profesor, më lejoni që unë ta recitoj Hymnin e Flamurit, sepse po më vlon këtu… në zemër, – iu drejtua i zoti i shtëpisë duke mbështetur dy duart, njërën mbi tjetrën, në zemër. Plisi i bardhë i rrinte mbi brezin e rrudhur të ballit dhe pas pak me të dy gjunjët ulet në dysheme. Ishte po ajo paraqitje e tij kur gjatë luftës së dytë botërore e recitonte këtë vjershë të kushtrimit kombëtar para masës shqiptare dhe të pranishmit i dhuronin duartrokitje furishme.

Lexo po ashtu:  Dr. Jak Simoni: Betimi i Hipokratit  dhe stetoskopi i mjekëve

 

Rreth Flamurit të përbashkuar
Me një dëshirë e një qëllim,
Të gjith´Atij duke iu betuar
Të lidhim besën për shpëtim.

Prej lufte veç ay largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikësohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!…

– Të lumtë xha Mirush, vetëm vazhdo! Me ëndje dua të dëgjoj shqiptimin tënd, meqë unë nuk di më shumë se strofën e parë të himnit kombëtar… Pastaj ti e ke përjetuar luftën, ku krahas pushkës shumë herë e ke kënduar himnin kombëtar, – e përgëzoi profesori duke u paraqitur kinse nuk e dinte, mirëpo ai dëshironte që me ëndje ta dëgjonte shqiptarin me flokë të zbardhur se si e recitonte himnin që e kishte mësuar nga goja e mësuesit të tij të parë shqiptar, kurse profesori i dheshkronjës e kishte mësuar nëpërmes valëve të Radio Tiranës.

Pas recitimit të himnit jehuan duartrokitjet e fëmijëve dhe të burrave në odë. Një fëmijë iu afrua dhe e puthi në faqe:

– Xha Mirush, ju lumtë! Na gëzuat me recitimin e bukur të himnit, që mësuesi im kurrë nuk e ka thënë.

– Unë, Hymnin mi Flamur e kam mësue qysh kur isha fëmijë, nxënës në shkollën fillore, sikur ky nipi im. Atëherë mësuesi na qëllonte me shkop në duar, po qe se nuk e dinim përmendësh himnin. Mirëpo më vonë erdh pushtuesi serb, siç thotë populli, më i keq se turku, dhe na e ndaloi flamurin kombëtar. Ç´prej asaj kohe, qe 45 vjet, asht hera e parë që e recitoj Hymnin…, – tha kryeodari i emocionuar duke fshirë lotët e mallëngjimit.

– Më korite para shokëve, baba! – u ankua i biri, kurse të pranishmëve në odën e burrave u tha: – Nuk e kam ditur që babai kaq bukur e reciton Himnin e Flamurit. Kurrë nuk e ka recituar, kurse sot para shokëve dhe nipave po e reciton si aktor.

– Faji është yti… Ti nuk ke treguar interesim, prandaj edhe babai nuk të ka penguar. Drejtorët e shkollave kanë aftësi të flasin, mirëpo aftësinë për t’i dëgjuar të tjerët nuk e kanë, – ia priti mësuesi i vjetër, që ishte mik i xha Mirushit. Kjo është pengesë e konstruktit shoqëror, për shkak se urdhrat ju vinin prej së larti. Dihet, prej organeve të pushtetit, prandaj drejtorët i zbatonin pa e dëgjuar zërin e masës. Po të pyeteshin mësimdhënësit dhe nxënësit, ti me shokët e tu nuk do të udhëtonit me qindra kilometra larg për të vizituar varrin e Titos në Beograd. Përkundrazi, do të shkonit në Prizren për të vizituar Lidhjen Shqiptare, që është më afër se Beogradi, dhe më e domosdoshme për nxënësit shqiptarë, – kështu tha mësuesi, që dikur ishte larguar prej detyrës për shkak se nuk kishte pranuar të prekej flamuri shqiptar nga organet e pushtetit. I tërë qyteti mbante në mend fjalët e mësuesit para shërbëtorëve të kuq: “Kush prek në flamur, prek në gjakun e popullit shqiptar!”.

Lexo po ashtu:  Kur do të jetë vërtetë e lirë dhe sovrane Kosova?

– Memorialin e Titos kemi qenë të detyruar ta vizitojmë meqë edhe komiteti paguante shpenzimet e transportit, – plotësoi ish-drejtori i gjimnazit.

– Jo, i nderuar, nuk është ashtu. Komiteti ua ka paguar udhëtimin me djersën e punëtorëve të ndërtimtarisë, ku ne mezi merrnim vetëm një rrogë, dhe atë në fund të vitit, – ndërhyri një mik nga qoshja e fundit të odës, përndryshe punëtor në kombinatin ndërtimor “Ramiz Sadiku”.

– Përkundrazi, unë me të gjithë shokët e klasës në krye me mësuesin tonë e kemi vizitue shtëpinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, – përforcoi kryeodari, xha Mirushi. – Atëherë ishte kohë lufte dhe ne organizuem ekskursionin me qerre kuajsh, po ç’kuaj të fortë se, na dukej sikur fluturonim. Udhëtimin e kalonim duke kënduar dhe shumë shpejt mbërritëm në Prizrenin tonë legjendar. Gjatë udhëtimit mësuesi na thoshte se shkau nuk ka besë, prandaj duhet hapur sytë e të mos mashtrohemi me lajkat diplomatike të sllavëve. Serbët kur të shkelin të shkrumbojnë, kurse në konferencat europiane kukasin si qyqet.

– Ashtu është, xha Mirush, …mu sikur qyqet vajtojnë. Janë gjakatarë të mallkuar që natën na vrasin, kurse ditën qajnë nëpër konferencat europiane… – shtoi profesori i emocionuar.

– Shoku profesor, a mund të shkruani për ne Himnin e Flamurit, dëshirojmë që edhe ne ta mësojmë përmendësh porsi xha Mirushi, – jehoi zëri i një vogëlushes nga fundi i odës.

– Me dëshirë të zjarrtë do të shkruaj për të gjithë ju fëmijët, sepse ju jeni ardhmëria e botës shqiptare, – tha profesori që ishte duke menduar për rrugën plotë rreziqe për ardhjen e flamurit kuqezi.

Profesori menjëherë nxori fletoren dhe lapsin prej çantës së tij dhe filloi të shkruajë Himnin e Flamurit. Sapo e përfundoi vjershën, mori një letër të kuqe dhe vizatoi gjysmën e shqiponjës me laps të zi, të cilën e theu duke i bashkuar në dy pjesë të barabarta. Pastaj njërën faqe të gjysmë-shqiponjës së vizatuar e shtypi me shpinë të lapsit për kopjim. Tashmë fëmijët kureshtarë kishin rrethuar profesorin dhe të gjithë po vështronin me kujdes demonstrimin e tij. Fëmijët herë e shikonin flamurin në mur, herë e shikonin shqiponjën në vizatim. Pas pak, profesori hapi letrën e kuqe dhe shqiponja e plotë doli në flamur. Në çastin kur profesori e hapi letrën e kuqe, fytyrat e fëmijëve po shkëlqenin nga gëzimi, të dukej sikur profesori po u dhuronte krahët e shqipes që të fluturonin.

– Të lumtë, mik i dashur! Ti me artin tënd të atdhedashurisë, shumë shpejtë i përfitove zemrat e fëmijëve, – tha kushëriri i kryeodarit, përndryshe mjek që posa ishte liruar nga kazamatet jugosllave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *