Ylli Polovina

Partizani Musa Hysi, në pasluftë oficer artilerie, në fund të vitit 1984 më dhuroi një kopje të daktilografuar të kujtimeve të tij në dorëshkrim. Në të përfshihej, përveç pak shënimeve rreth fshatit të Vërzhezhës, vendlindjes së tij në Skrapar dhe disa faqeve për origjinën e familjes atërore, vetëm periudha e rezistencës kundër pushtimit italian dhe gjerman.

Megjithëse e mbushur me hollësi nga më interesantet, fryt i një kujtese të shkëlqyer të autorit, ky dorëshkrim do të hynte në një rast të zakonshëm, sikur të mos binte në sy një karakteristikë e veçantë e tij.

Ai dorëshkrim zotëronte edhe një pamje që e bënte të domosdoshme bërjen publike. Musa Hysi në kujtimet e veta i kishte kushtuar shumë faqe luftimeve të brigadës së tij në betejat për çlirimin e tokave jugosllave, por pa lënë mënjanë apo anashkaluar sipërisht atë të pranisë së njësisë, më pas, në Kosovë.

Për shkak të një përparësie historishkrimi të komanduar prej udhëheqjes politike të kohës publikimet deri në fund të vitit 1980 bëheshin në shumicë për të dëshmuar kontributin shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore në çlirimin e popujve të Jugosllavisë, por nuk porositej ndonjë vëmendje e posaçme për të rrëfyer se çfarë panë me sytë e tyre partizanët shqiptarë, kur hynë dhe qëndruan në Kosovë, si edhe trojet e tjera shqiptare në federatën fqinje. Ky pengim ndryshoi pas demonstratave studentore në Prishtinë në mars 1981 dhe, me siguri ju kujtohet, që në këto momente shpërthimi të mobilizimit për t’u qenë sa më afër bashkëkombësve dhe treguar gjithë të vërtetën çfarë po ndodhte atje, u realizuan kryevepra si “Koha e shkrimeve” e Ismail Kadaresë.

Patjetër kjo duhet të ketë qenë edhe rrethana shtysë përse partizani Musa Hysi pati shkruar në kujtimet e tij të daktilografuara në vetëm pesë kopje, çdo gjë që kishte përjetuar në Kosovë në fillim të vitit 1945.

Ishin faqet më të nxehta të dorëshkrimit, më të ndjerat, më emocionueset, më ngashërueset, më të fortat për t’u ngulitur në kujtesë dhe për të mos u shuar kurrë prej saj.

Qe kjo arsyeja që 32 vite më parë vendosa për të pritur ditën kur duhej të shkruaja për ekzistencën e këtyre kujtimeve. Edhe pse tridhjetë e dy vite janë shumë për të gjetur mundësinë e kryerjes së një promovimi, nuk më duket gjithsesi se jam tepër vonë.

Në fakt për Kosovën çdo shqiptar, kurdo që të përpiqet të japë një kontribut njohjeje për shtypjen etnike të vuajtur dhe njëkohësisht heroizmin e rezistencës në mbrojtje të identitetit të saj kombëtar, është në kohë.

Nuk e kemi vonuar partizanin skraparlli Musa Hysi, edhe pse një peng e kemi: ai nuk mund t’i shohë këto faqe të gazetës “Dita”, e përditshme që u jep kurajë luftëtarëve kundërfashistë që dëbuan italianët musolinianë dhe gjermanët nazistë.

Që prej 4 gushtit 2006, pra pothuaj plot dhjetë vite të shkuara, ai nuk jeton më. Në emër të tij dhe me të në zemër, do t’i lexojnë të tjerë, mes tyre jo vetëm bashkëshortja Ruze dhe katër fëmijët e tyre me emra plot mesazh: Pëllumbi, Vera, Shpendi dhe Shqiponja.

Janë edhe ata pak partizanë të mbetur gjallë si edhe ata shumë bij e bija të tyre, nipër, mbesa…

Shkodra e 29 nëntorit 1944

Në atë fundnëntor 1944, saktësisht në datën njëzetë e nëntë kur hynë, sepse sapo qyteti ishte çliruar, Shkodra iu duk Musa Hysit shumë i madh dhe i bukur. Deri atëherë kish parë vetëm Beratin.

Qyteti ishte plot lëvizje dhe zhurmë, por edhe në gjendje të turbullt të rendit publik. Përreth flitej shumë italisht, tamam sikur befas qyteti të kishte kapërcyer detin dhe të ndodhej në gadishullin Apenin. Qenë shumë kolonë italianë nga ata që pushtuesit i patën sjellë për të romanizuar Shqipërinë. Tani kërkonin të riktheheshin në atdheun e tyre nëpërmjet Bunës, duke përdorur barka vendase apo të tjera që vinin aty me ngut nga bregdeti malazez apo përtej.

Lexo po ashtu:  Unë them mos ikni!

Ndërkaq patrulla të shumta partizane grumbullonin njerëzit e dyshimtë dhe një pjesë edhe i arrestonin. Kishte mjaft të ardhur nga Shqipëria e jugut dhe e mesme. Që të gjithë këta donin të largoheshin në Itali. Derisa të gjenin rastin e ikjes fshiheshin nëpër miqtë e tyre jo vetëm në qytet, por dhe nëpër fshatrat rrotull.

MusaHysi

Në një histori të tillë u gjend papritur edhe Musai me një shok të tij. Në 1 dhjetor i vendosën për strehim tek shtëpia e një malësori që kishte disa vite ardhur në Shkodër. Banesa ndodhej në lagjen “Skënderbej”. Kur shkuan gjetën aty edhe një person, për të cilin i zoti i shtëpisë tha se e kishte mik. Pasi u bëri të ditur emrin e vet, ky të dy partizanët filloi t’i pyeste për njësitë ku bënin pjesë, për emrat e komandantëve dhe të komisarëve, armatimet. Një çast madje pohoi se po priste të vinin aleatët, anglezët, dhe se qe i shqetësuar prej vonesës së tyre.

Biseda do të kishte përfunduar pa shkaktuar ndonjë dyshim sikur në derë të mos hynte me vrull një shok i tij, i cili e thirri me një emër tjetër nga ai i prezantuar dy partizanëve. Ardhësi i tha të iknin sa më shpejt prej andej, kështu që tjetri u ngrit, por Musai me shokun e vet kapën armët dhe ua drejtuan. Të dy ngritën duart lart. I lidhën.

I bënë kontroll “mikut” që gjetën në banesë dhe i zbuluan me vete një pistoletë “Beretta”. Në dhomën ngjitur kërkuan me ngulm dhe ndeshën në një automatik gjerman si edhe në një kollan me 100 fishekë. Gjithë natën Musai me shokun e vet bënë roje me radhë për dy të lidhurit dhe në mëngjes i dorëzuan në komandë.

Kjo qe edhe dita kur e lajmëruan se, për t’iu bashkuar brigadës së tyre të tretë që kishte vazhduar ndjekjen e trupave gjermane në Jugosllavi, do të shkonin fillimisht në drejtim të Kosovës dhe prej andej drejt Bosnjës.

Musa Hysi u ngazëllye. Po i realizohej një ëndërr e vjetër.

Shkoi tek intendenti, i cili i dha uniformë oficeri italian dhe këpucë gjermane me qafa. I erdhi keq që flaku rrobat laramane që deri atëherë kishte, e sidomos opingat prej llastiku.

Skuadra e tyre për rrugëtim do të përbëhej nga shtatë vetë dhe katër kafshë të ngarkuara me gazeta dhe libra shqip. Nga qyteti i Shkodrës u dhanë po ashtu dy shoqërues për t’u treguar rrugën. Do të ishte me ta edhe kali i shalës i Neshat Hysit, komandant i njohur partizan. Quhej “Tigri” dhe qe mjaft i bukur, i verdhë me kafe të hapët, me një balluke të vogël në ballë. Ishte edhe shumë i urtë, gjithashtu i shpejtë sa nuk e zinte plumbi. Vetë i zoti, Neshati, do të vinte pas skuadrës së të shtatëve, në një distancë të caktuar sigurie. Me ta do të bashkohej vetëm kur do të hynin në Prizren.

Nisja e shtatëshes u bë në orën 10.00 të 2 dhjetorit 1944.  Moti qe me re, në Shkodër madje nisi të binte një shi i imët. Lumin Drin e kaluan në Vaun e Dejës, me lundra. Kuajt nuk donin të hipnin në to dhe u detyruan t’i futnin me forcë.

Në ecje drejt Kosovës bënë tri ditë rrugë me pushime netëve në fshatrat Gomsiqe, Arrës dhe Shënmëri. Në Kukës mbërritën me dy-tri orë ditë. Aty morën vesh se grupi i armatosur i Muharem Barjaktarit kishte bërë plan për t’i goditur para se të hynin në Kukës, në një thellimë të mbuluar me shkurre sa një bojë njeriu, por ky, i vënë në dijeni rastësisht, e pati kundërshtuar. “Nuk vras shqiptarë të jugut, pati thënë prerë, janë vëllezërit tanë”.

Lexo po ashtu:  “Kur ti nuk i ofendon nxënësit me fjalë si budall/icë, hajvan, idiot/e, meriton pagë më të lartë”

Nga Kukësi në Prizren autoritetet e vendit shtatëshes marshuese u dhanë një kamion transporti, në të cilin do të vendoseshin edhe thasët me gazeta dhe libra shqip. Kuajt e ngarkesës do të ktheheshin për Shkodër bashkë me shoqëruesit. Me kalin e shalës “Tigri”, i cili nuk mund të vendosej në karrocerinë e kamionit, do të udhëtonte drejt Prizrenit vetëm Musa Hysi. I thanë se rruga qe e mirë, e drejtë, pa asnjë rrezik. Po të mos e ngiste me vrap, pra të ecte vetëm me ngadalë, mbërrinte në Prizren për tri-katër orë.

ø;

ø;

Drejt Kosovës, hipur mbi “Tigrin”

Gjithnjë duke ecur nëpër rrjedhën e lumit të Drinit të Bardhë, kur kaloi kufirin e ndarë padrejtësisht nga disa fuqi të mëdha të vitit 1913, zemra i dhembi. A do të prishej një ditë ai dhe shqiptarët do të bëheshin një shtet?

Skraparlliu Musa Hysi ecte hipur mbi “Tigrin” dhe përpinte panoramën e mahnitshme në të majtë e të djathtë të lumit, gjersa arriti në një vend të banuar, i cili për nga sasia e madhe e shtëpive iu duk se do të qe Prizreni. Në të vërtetë vendasit, që iu mblodhën përreth  kur ai qëndroi në oborrin e shkollës dhe po e shihnin me kërshëri (fliste shqip, por kishte uniformë ushtarake italiane, këpucë gjermane dhe yll të kuq nën strehën e kapelës, i thanë se ai vend quhej fshati Zhurja. Prej andej Prizreni qe vetëm 15 kilometra larg.

Kur hyri në Prizren vetvetiu i erdhën në buzë vargjet për Abdyl Frashërin, aq shumë të kënduara në krahinën e tij- Pastaj u përqendrua i tëri në trokëllimën e patkonjve të “Tigrit” elegant nëpër kalldrëmin e qytetit. Edhe ajo zhurmë, prej gëzimit të madh, iu dukej si muzikë. Kafe “Barin”, ku kishte porosi të ndalte dhe të zinte vende për të fjetur edhe për komandant Neshatin, që po vinte më pas, e gjeti menjëherë. Pronari thirri një vojnik serb. Qe një  ushtarak i gjatë, i cili filloi t’i bëjë shërbim kalit, por pa i dhënë as ujë dhe as tagji. “Është shumë i lodhur, shpjegoi me shenja e ndonjë gjysmë fjalë shqip, do t’i jap pas një ore”.

Ndërkaq brenda në bar, sapo Musai u ul në një tavolinë, kamerierja i vuri përpara një gotë konjak dhe një filxhan kafe. Konjakun nuk dinte ta pinte, s’e kish parë ndonjëherë me sy, prandaj për ta hequr qafe e ktheu gotën të tërë. I xixëlluan sytë. Pastaj nisi të pijë kafen. Dreqi e mori, tha me vete, ndoshta duhej pirë e para kjo e dyta. Në dy-tri minuta, sapo mësuan se vinte nga Shqipëria, përreth iu mblodhën një turmë e madhe. E pyetnin pa pushim për gjithçka. Skraparlliu tregonte dhe tregonte edhe ai pa u ndalur. Pauzat e vetme qenë çastet kur kthente gotat e konjakut që prizrenasit ia qerasnin njëri pas tjetrit me shprehjen “Këtë e ke nga unë”.

Ndjeu që gjuha iu trash, goja iu bë zjarr, trupi iu mbush me djersë, fjalët që i nxirrte nuk i ngjanin më të tijat. I thirri mendjes të kishte kujdes mos të nxirrte sekretet e brigadës dhe nisi të përtypë, me shpresë se mund të shpëtonte nga dehja, bajame dhe fiq të thatë që i vunë përpara.

I zoti i barit dhe disa prizrenas e shëtitën nëpër qytet, e çuan dhe tek një hamamllëk për të bërë banjë, por refuzoi. Tha se vetëm pak ditë më parë e kishte bërë një larje në Shkodër, kurse e vërteta qe krejt ndryshe. Nuk pati bërë banjë që nga gushti i atij viti, ku qe larë në lumin Osum të Beratit.

Pasdite vonë ia mbërriti edhe komandant Neshati. Në hotel-bar u thanë se nuk kishte siguri dhe mirë do të qe të flinin duke bërë me radhë roje. Madje edhe bravat e dyerve të dhomave qenë të thyera, nga që netëve hynin dhe i shqyenin njerëz të armatosur me yll në ballë, por të cilët, siç ngulte këmbë hotelxhiu, ishin çetnikë, monarkistë të maskuar si partizanë jugosllavë.

Lexo po ashtu:  Është turp për çdo politikan me prirje demokratike që të bashkëpunojë me një regjim të tillë

Kështu partizanët e ardhur nga Shqipëria i vunë nga pas derës një shtrat, caktuan një radhë për të ndenjur pa fjetur dhe e kaluan natën nëpër ankth. Por nuk ndodhi asgjë.

Të nesërmen u mblodhën tek monumenti i Abdyl Frashërit dhe vijoi marshimi. Këtë herë për në Prishtinë. Të gjithë do të hipnin në një kamion kurse Musa Hysi i vetëm do të qe kalëruar mbi “Tigrin”. Në Prishtinë do të takohej me shokët në një pikë, vendndodhjen e të cilës ia thanë, por skraparlliu e harroi që në çastet e para.

Tek ecte i ftohti u shtua. Nisi bora. Bukuria e Fushë Kosovës e ngazëlleu. Në Prishtinë mbërriti në të ngrysur. Edhe këtu kaos, rrezik gjithkund prej sulmeve të çetnikëve.

Të nesërmen vazhduan rrugën drejt Mitrovicës, ku hynë natën. Këtu gjithkund flitej  vetëm serbisht dhe vepronin patrulla të shumta partizane sllave. U treguan letrën që kishin nga komanda e tyre dhe nuk i penguan.

Të nesërmen të shtatët dhe me “Tigrin” përdore u nisën për në Novi Pazar. Terren i thyer, pyje të mbuluar me borë, mjegull e dendur. Prej kësaj të fundit humbën rrugën. Kur më në fund u riorientuan dhe hynë në Novi Pazar vunë re se këtu jetonin me alarm nga sulmet e bullgarëve, të njohur si aleatë të gjermanëve.

Ndërkohë popullsia vendase shprehte respekt për partizanët shqiptarë. Thoshin se ata nuk trazonin gjë, hanin çfarë t’u jepje dhe flinin atje ku i vendosje.

enver-hoxha-dushan-mugosha-dhe-miladin-popoviqi

Morri në Jugosllavi, armik i dytë pas nazistëve gjermanë dhe çetnikëve

Kur hynë në Novi Sad, nuk fjetën aty. E kaluan natën në një fshat të vogël. Këtu u strehuan në shtëpinë e një vendasi, por ndërsa u përpoqën të dremitnin, nuk mundën. Sa mbyllnin sy u kruhej trupi. Kishin marrë morra gjatë rrugës. I zoti i shtëpisë u erdhi menjëherë në ndihmë. Hodhi një dorë me dru në vatër dhe ndezi një zjarr të hovshëm. U tha shtatë partizanëve shqiptarë të hiqnin nga trupi teshat dhe dy vetë në të dy skajet e zjarrit të mbanin të nderura mbi prush pantallona apo xhaketa, pallto, bluza, triko e këmisha, gjithçka që mund të hiqnin.

Kështu edhe bënë. Nga shkundja dhe sidomos të nxehtit morrat binin në zjarr me shumicë dhe kërcisnin si kokrra kripe.

Kishin pasur morra edhe në Shqipëri, por me këto që u qenë ngjitur në Jugosllavi ndryshimi ishte shumë i dukshëm. Këtu qenë të mëdhenj, si të kultivuar posaçërisht. Po ashtu në Shqipëri morra mund të kishin partizanët, por jo banorët. Në tokat e sllavëve të jugut po shihnin që morrat u rrinin në trup me bollëk edhe njerëzve që jetonin normalisht nëpër shtëpitë e tyre. I zoti i banesës ku nuk fjetën dot, por të paktën u dhanë dermën atyre insekteve të neveritshëm, me këtë rast bëri të njëjtin veprim vetëpastrimi edhe me teshat e tij.

Kjo, përpiqet të shpjegojë në kujtimet e tij të pabotuara partizani nga Skrapari Musa Hysi, ndodhte edhe për shkak të një ushqimi të njëllojtë dhe mjaft të varfër: gjatë tërë dimrit pothuaj  vetëm patate. U thoshin “kërtolla”.

Kështu kur njësitë partizane ndodheshin në Sanxhak në ndjekje të trupave gjermane, në muajin shkurt, shpërtheu një tifo e morrit, e cila u ndërpreu jetën dhjetëra luftëtarëve dhe shkaktuar vdekje njerëzore jo më pak se vetë luftimet. Morri në Jugosllavi u bë armik i dytë pas nazistëve gjermanë dhe çetnikëve.

/gazetadita.al/ /MekuliPress/ – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *