Koalicioni i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, përmes një reagimi për media ka reaguar ndaj përleshjes fizike në debatin e mbrëmshëm mes Dardan Molliqaj nga PSD dhe Haki Abazi nga Vetëvendosja.

Në këtë reagim “Demokracia në Veprim” thekson se është duke i përcjellë me shqetësim ballafaqimet e kandidatëve në debate publike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

“Liria e fjalës paraqet një ndër liritë fundamentale të njeriut, por e njëjta kufizohet në momentin e cenimit të të drejtave fundamentale të të tjerëve. Gjuha denigruese dhe seksiste e shpërfaqur në debate televizive në mes të kandidatëve, përveç që dëmton rëndë procesin zgjedhor, e minon vlerën e debatit dhe i kontribuon tensionimit të ambientit politik. Për më tepër, dhuna e ushtruar në çfarëdo forme është e pajustifikueshme dhe e papranueshme. Aktet e dhunës dëmtojnë kredibilitetin e procesit zgjedhor, krijojnë ambient të pasigurt politik dhe rrezikojnë të nxisin përplasje qytetare”, thuhet në reagim.

Përmes këtij reagimi DnV-ja u bën thirrje kandidatëve të subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit, të përmbahen nga gjuha denigruese e seksiste, sulmet verbale dhe fizike.

Lexo po ashtu:  Rexhep Qosja, “Çështja Shqiptare”

“Subjektet politike dhe kandidatët e tyre duhet të kultivojnë vlerat bazike të demokracisë duke treguar pjekuri dhe profesionalizëm në debate dhe duke lejuar konkurrueshmëri të ideve dhe platformave. DnV-ja fton Policinë e Kosovës, që të reagojë shpejt dhe në mënyrë efikase në qartësimin e situatave dhe në informimin e drejtë të publikut. Institucionet e sigurisë duhet të garantojnë kushte për fushatë politike të qetë, me mundësi të barabarta për të gjitha subjektet politike për paraqitjen e programeve të tyre zgjedhore”, thuhet në reagim./MekuliPress /

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *