Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka urdhëruar ushtrinë amerikane që t’i tërheqë rreth 9,500 trupa nga Gjermania. Ky vendim pritet të shkaktojë shqetësime në Evropë rreth përkushtimit të ShBA-së në rajon.

Një zyrtar i lartë amerikan ka thënë se me këtë vendim, numri i përgjithshëm i trupave të ShBA-së në Gjermani do të zvogëlohej në 25,000, krahasuar me 34,500 sa është tash për tash, shkruan “The Guardian”.

Ky zyrtar tha se vendimi është rezultat i punës disamujore të zyrtarit më të lartë ushtarak amerikan, gjeneral Mark Milley, dhe se nuk ka të bëjë asgjë me tensionet mes presidentit Donald Trump dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila e pengoi planin e kreut të Shtëpisë së Bardhë për mbajtjen e Samitit të G7-ës këtë muaj.

Një zyrtar tjetër i administratës amerikane tha se 9,500 trupat e tërhequr nga Gjermania do të dërgohen në vende të tjera, përfshirë Poloninë dhe disa shtete të tjera aleate, ndërsa një pjesë e tyre do të kthehet në atdhe. Ky zyrtar tha se ka më pak nevojë për kontigjent të madh të ushtrisë në Gjermani për shkak të rritjes së shpenzimeve të përgjithshme të NATO-s.

Lexo po ashtu:  Qeveria e shumëpritur Kurti: Gjashtë ministra nga Vetëvendosje, gjashtë nga LDK’ja, tre nga pakicat

Zyrtari i dytë tha se ky ndryshim është urdhëruar përmes një memorandumi të nënshkruar së voni nga këshilltari për siguri kombëtare i presidentit Trump, Robert O’Brien. Thuhet se Shtetet e Bashkuara kishin filluar të punonin në këtë plan që në shtator të vitit të kaluar.

Vendimi për tërheqjen e mijëra trupave amerikane nga Gjermania është kthesa më e re në raportet mes dy vendeve, të cilat shpesh kanë qenë të tendosura gjatë presidencës së Trumpit. Ai i ka bërë presion Gjermanisë që t’i rrisë shpenzimet e mbrojtjes dhe e ka akuzuar Berlinin se është bërë peng i Rusisë për shkak të varësisë energjetike nga ky shtet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *