Policia e Kosovës do të hapë konkurs të ri për të rekrutuar policët që dhanë dorëheqje në veri të vendit. Këtë e ka konfirmuar edhe kryeministri Albin Kurti edhe vartësi i tij Xhelal Sveçla.

“Kemi më shumë policë në veri dhe do të rekrutojmë policë të rinj, në mënyrë që t’i kemi të pranishëm në këto zona”, tha Kurti për DW.

Të njëjtën e tha edhe Sveçla në ‘DPT te Fidani’ në T7, por edhe njoftoi se se ish-komandanti i Policisë në veri, Nenad Gjuriq, nuk do të ketë mundësinë të kthehet më në këtë institucion, raporton Gazeta Express.

“Do të hapim konkurs në momentin e parë që rregullohet brenda rregullores”, tha Sveçla. “Nuk ka më gjasë të kthehen në Policinë e Kosovës, ata edhe ashtu kanë qenë në hetim. Nenad Gjuriq më nuk mundet të kthehet në Policinë e Kosovës”.

Derisa për dekorimin e Gjuriqit nga ana e presidentit serb Vuçiq, Sveçla tha se ai është veç një shpërfytyrim i asaj që çfarë raporti kanë pasë.

Lexo po ashtu:  Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB: Ideja e Ramës për konferencën ndërkombëtare është e rrezikshme

“Është tentativë e Vuciqit që t’i trimërojë të tjerët, kinse nuk i lë në baltë. Ka një kategori kriminelësh që kanë vepruar në atë zonë, janë pasuruar dhe pastaj kanë ikur. Unë jam i bindur që kjo situatë kaotike nuk mund të vazhdojë më”.

Ndërkaq, kryeministri Kurti tha se edhe për kryetarët e dorëhequr të komunave në veri të vendit vlen e njëjta.

“Dhe aty ku kryetarët e bashkive kanë dhënë dorëheqjen, nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ne, përveçse të shkojmë në zgjedhje të reja në ato komuna, për të zgjedhur kryetarët e rinj. Unë mund të marr vendime politike në lidhje me marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, por vetëm në lidhje me funksionimin e brendshëm të shtetit. Unë nuk mund të marr vendime sepse është kushtetuta dhe ligji që parashikojnë dhe rregullojnë çdo problem dhe situatë”.

Kurti tha se këta njerëz u nxitën nga Beogradi dhe shtoi se ekziston kjo pakicë e vogël që punon në emër të Beogradit, duke u bërë presion serbëve të Kosovës, sepse disa makina të serbëve të Kosovës janë djegur nga kjo pakicë.

Lexo po ashtu:  Rifillojnë fluturimet nga Kukësi / 4 destinacione nga WizzAir, Rama: Synojmë të shtojmë dhe Anglinë. Do të punësohen 500 të rinj

“Beogradi ka këtë qëndrim të dëmshëm. Pushtimi rus në Ukrainë dhe agresioni ushtarak atje, si dhe përkrahja e Beogradit për Kremlinin, janë kërcënim për vendin tonë. Ne jemi shumë të shqetësuar, por nuk kemi frikë. Sepse ne jemi në të drejtën tonë, në territorin tonë, dhe ky është vendi që na përket të gjithëve dhe të cilit i përkasim të gjithë, si qytetarë të Republikës. Rreth 100 paralajmërime janë lëshuar nga policët tanë ndaj drejtuesve të automjeteve me targa të paligjshme dhe nuk ka pasur asnjë ankesë apo incident. Pra popullsia serbe po bashkëpunon me policinë tonë. Është kjo pakicë e pakicës që dëshiron që Kosova të kthehet në Serbi dhe që nuk heziton të jetë e dhunshme dhe të përdorë masa ekstremiste, në mënyrë që ta bëjë jofunksional vendin tonë. Por Republika jonë do të mbizotërojë”, kishte thënë Kurti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *