Disa nga bankat më të mëdha në botë kanë lejuar kriminelët të transferojnë para të pista në shumën prej rreth dy miliardë dollarësh. Sipas BBC, e cila u referohet disa dokumenteve të publikuara së fundmi, oligarkët rusë përdorën bankat për të shmangur sanksionet, të cilat supozohej se i pengonin ata të transferonin para në Perëndim.

Publikimi i këtyre dokumenteve është i fundit në një seri rrjedhjesh gjatë pesë viteve të fundit, të cilat kanë ekspozuar marrëveshje të fshehta, pastrim parash dhe krim financiar. Dosjet e ashtuquajtura FinCEN (Rrjeti i Zbatimit të Krimeve Financiare) përbëhen nga më shumë se 2 500 dokumente, shumica e të cilave janë skedarë të dërguar nga bankat tek autoritetet amerikane midis 2000 dhe 2017. Dokumentet përmbajnë disa nga sekretet më të mëdha të sistemit bankar ndërkombëtar. Ato tregojnë se banka më e madhe britanike HSBC lejoi mashtruesit të transferonin miliona dollarë të vjedhura në të gjithë botën, edhe pasi mësuan nga hetuesit amerikanë se ishte një mashtrim.

Amerikania “JP Morgan” i dhe mundësinë një kompanie të transferojë më shumë se një miliard dollarë përmes një llogarie në Londër, pa ditur kush është pronari. Banka më vonë zbuloi se kishte gjasa që pas kompanisë të qëndronte një prej mafiozëve më të kërkuar në listën e FBI-së. Sipas dekomenteve, një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Presidentit rus Vladimir Putin përdori Bankën Barclays në Londër për të shmangur sanksionet që supozohej se do ta pengonin atë të merrte shërbime financiare në Perëndim. Siç thuhet, një pjesë e parave u përdorën për blerjen e veprave të artit.

Lexo po ashtu:  Paralajmëron Xi Jinping: Përtëritja e kombit kinez ka hyrë në një kurs historik të pakthyeshëm

Sipas departamentit të inteligjencës së FinCEN, Britania e Madhe konsiderohet një “juridiksion me rrezik më të lartë”, njësoj si Qipro. Kjo është për shkak të numrit të kompanive të regjistruara atje që paraqiten në raporte të dyshimta të aktiviteteve (SAR). Më shumë se 3 000 kompani nga Britania e Madhe përmenden në skedarët FinCEN, më shumë se nga çdo vend tjetër. Dokumentet tregojnë gjithashtu se banka qendrore e Emirateve të Bashkuara Arabe nuk reagoi ndaj paralajmërimeve në lidhje me kompaninë vendase që po ndihmon Iranin për të shmangur sanksionet. Gjithashtu, siç thuhet, Deutsche Bank lëvizi para të pista të fituara nga krimi i organizuar, nga terroristët dhe trafikantët e drogës.

Po ashtu, sipas dokumenteve, “Standard Charter”, bankë britanike, transferoi para në Bankën Arabe për më shumë se dhjetë vjet, pasi llogaritë e klientëve në bankën jordaneze u përdorën për të financuar terrorizmin. Sot, Dosjet FinCEN ofrojnë një pamje të pashembullt të korrupsionit financiar global, bankat që e mundësojnë atë dhe agjencitë qeveritare që shikojnë si lulëzon. BuzzFeed Neës i ka ndarë këto raporte me Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Hetues dhe 108 organizata mediatike në 88 vende. Rrjeti i Zbatimit të Krimeve Financiare, ose FinCEN, është agjencia brenda Departamentit të Thesarit e ngarkuar për luftimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimeve të tjera financiare. Dyshimet në lidhje me transaksionet e bëra në dollarë amerikanë duhet t’i dërgohen FinCEN, edhe nëse ato ndodhin jashtë SHBA-ve.

Lexo po ashtu:  Si u vra Çerçiz Topulli nga malazezët dhe ç’rol patën grekët?

Raportet e veprimtarisë së dyshimtë (të njohura si SAR) janë një shembull se si regjistrohen këto dyshime. Një bankë duhet të plotësojë njërin nga këto raporte nëse dyshon se disa nga klientët e saj po bëjnë biznes ilegalisht, dhe më pas raporti u dërgohet autoriteteve. Bankat duhet të garantojnë që nuk do t’i ndihmojnë klientët të pastrojnë para ose t’i zhvendosin ato në shkelje të rregullave. Bankat perëndimore mund të kishin bllokuar pothuajse secilën prej tyre, por në shumicën e rasteve ato i kanë qarkulluar paratë dhe kanë mbajtur tarifat e tyre. Dosjet FinCEN ekspozojnë një të vërtetë themelore të epokës moderne: Rrjetet përmes të cilave para të pista përshkojnë botën janë bërë arterie vitale të ekonomisë globale. Sipas ligjit, bankat duhet të dinë se cilët janë klientët e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *