Koment

Kur kutia e votimit përjetohet si gijotinë

Shkruan: Dr Sadri Ramabaja

Prishtinë, 16 dhjetor – Revolucioni Francez (1789) promovoi me burbujë atë që filozofi Zhan Zhak Rusoi (Jean-Jacques Rousseau) kishte shestuar në netët pa gjumë: idetë për drejtësinë sociale dhe barazinë para ligjit. Njëra nga aforizmat e tij që afishohet më së shpeshti në rrjetet sociale sot, pas dështimit të afishuar të neoliberalizmit në dy republikat shqiptare, është edhe kjo: Demokracia ekziston aty ku askush nuk është aq i pasur sa të blejë dikë tjetër dhe askush aq i varfër sa për t’u shitur.
Rruga e gjatë nga Revolucioni francez deri tek revolucionet moderne kaloi nga gijotina tek kutia e votimeve.
Si gijotina edhe kutia e votimeve në esencë kishin dhe kanë idenë humane: kalimin e pushtetit nga njëra palë tek tjetra me sa më pak dhimbje. Por, nëse gijotina prente koka individësh, për të tumirë ndryshimin e pushteteve, kutia e votimeve kursen jetë njerëzish dhe mënjanon anarkinë.

Sistemi ynë politik në formë mund të ketë ende elemente të demokracisë liberale (zgjedhjet dhe alternimi i pushteteve…), por në esencë ai kaherë ka rrëshqitur në diktaturë. Ndërkaq diktaturat heret a vonë, prodhojnë revolucione. Revolucionet moderne megjithatë nuk do të thotë se kanë ikonografinë dhe shpirtin e atij francez të vitit 1789. Në Kosovë ai pati ikonografi festive dhe kaloi nëpër kutitë e votimit më 6 tetor 2019.

Lexo po ashtu:  Kosova nuk ka asnjë ngjashmëri me Afganistanin !

Kundrrevolucioni ndodhi më 5 mars 2020, sërish përmes votës, por pasi ishte tradhëtuar zëri i popullit nga trashëgimtarët luajal të titizmit që po vegjetonjnë tutje nën akronimin LDK.
Kundërrevolucioni i 5 marsit 2020 për shumëçka më kujton sivëllain e tij të janarit 1925, kur falangat e Zogut të mbështetura nga 5000 ushtarë e oficer serb e bjellorus, tok me ca mercenarë kosovarë, kishin marrshuar drejt Tiranës dhe kishin rrëzuar nga pushteti kryeministrin më erudit e më liberal që kishte Evropa e asaj epoke – Theofan Stilian Nolin.

Klasa politike e Kosovës që prodhoi miksimi i trashëgimisë titiste (LDK-ja) me nusproduktin e puçit brenda LPK/UÇK-së të majit 1998 (PDK-ja), ndërkohë më shumë ia ka frikën kutisë së votimit se pararendësit e tyre francez giotinës!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *