I dashur Hyskë,

Ti e di që unë tani punoj në gazetën “Bubullima e djathtë”. Ç’është e vërteta ajo është e majtë, se nuk mund të ketë bubullimë të djathtë. Bubullimat gjithnjë kanë ardhur nga e majta, por nejse, është quajtur që në fillim e djathtë dhe ashtu ka mbetur. Shkurt të flasim, këtë letër po ta shkruaj për të të kërkuar një intervistë tjetër për rubrikën e re që kemi hapur: “Vicklat e qytetarit modest në ekonominë e tregut”. Intervistës tënde të parë, kur unë nuk kam punuar në këtë gazetë, më thanë se i kanë hequr një pjesë dhe ty të paska mbetur qejfi, por të premtoj se kjo nuk do të ndodhë me të dytën të porositur nga unë. Siç ma treguan miqtë e mi në redaksi, pjesën e hequr, ma mbushën mendjen se kishin të drejtë. Ishte tepër e rrezikshme, o Hyskë! Ti në atë pjesë tregoje një histori të një shahu të Persisë. Po, po! Sesi ky shahu i ngriti çmimet e mallrave dhe dërgoi vëzhgues në popull për të marrë vesh se çfarë thonë njerëzit.

– “Janë zemëruar shumë!” – thanë vëzhguesit.

– “Të dyfishohen çmimet!” – tha shahu dhe i dërgoi vëzhguesit përsëri në popull.

– “Po çmenden nga zemërimi! – thanë vëzhguesit.

– “Të pesëfishohen çmimet! – urdhëroi shahu dhe i dërgoi përsëri vëzhguesit mes njerëzve.

– “E, çfarë thonë tani njerëzit? – pyeti shahu vëzhguesit.

– “Po shkulen së qeshuri! – thanë vëzhguesit.

Këtë histori, o Hyskë, bëri mirë që ta hoqi redaksia nga intervista. Nuk mund të bëhet një paralelizëm i tillë mes liberalizimit të çmimeve tona me liberalizimin e çmimeve të shahut të Persisë. Pastaj ti e sheh se megjithëqë janë liberalizuar, askush nuk shkulet së qeshuri, përveç tezes sime. E di se çfarë më ndodhi me tezen? Ne paguanim para pak kohëve për energjinë elektrike mesatarisht 7 mijë lekë të vjetra. Pardje na erdhi fatura të paguajmë 35 mijë lekë të vjetra!

– “Ç’është kjo?” – tha tezja kur pa faturën.

– “Tridhjetë e pesë mijë, teze! – thashë unë, duke i ngritur tri herë të dhjetë gishtërinjtë e të dy duarve dhe një herë pesë gishtërinjtë e shenjës “Vitore”.

Lexo po ashtu:  Më 8 Korrik do të mësojmë më shumë rreth sistemit operativ misterioz të Microsoft

Tezja u shkul së qeshuri. Atëherë m’u kujtua ajo historia e shahut të Persisë, që e tregoje ti në intervistën e parë. Sidoqoftë, përveç tezes unë nuk kam parë njeri të qeshë me ngritjen e çmimeve. Por duhet të dish edhe një gjë: Sa më i lartë të jetë çmimi i një shoqërie, aq më e vlefshme është kjo shoqëri. Logjika këtu të shpie…

U zgjata pak, megjithëse thashë që do të shkruaja shkurt. Fjala është për intervistën e rubrikës “Vicklat e qytetarit modest në ekonominë e tregut”. Këtë intervistë mund të ta kërkoja edhe në telefon, por ti e di se sa do të më kushtonte pastaj një intervistë. Duhet të lija mbi telefon rrogën e një muaji dhe honoraret e një viti. Prandaj mendova të të drejtohem me letër. Për të ardhur deri atje ku je ti, vetëm për biletën e autobusit dhe për fjetjen në hotel, duhej të shitja Lulushen time me çmim të liberalizuar në tregun e lirë, o Hyskë…

Intervistën, Hyskë, bëje të përmbajtur. Siç e kupton edhe vetë, rubrika “Vicklat e qytetarit modest në ekonominë e tregut” përmbledh shkrime kritike kundër pretendimeve apo vicklave të qytetarëve të thjeshtë në shoqërinë e re kapitaliste. Dhe të flasim hapur, vickla nostalgjike hedhin shumë; Jo u ngritën çmimet, jo u shtuan krimet, jo po përhapet droga, jo po bën kërdinë korrupsioni jo po na vjen ajo e mallkuara Sida e ku ta di unë. Këto gjëra a i ka Evropa? I ka! Ku shkojmë ne? Në Evropë! Atëherë pa Sida e pa drogë e pa kapitalistë e pa çmime të larta si mund të na pranojë Evropa. Më mirë i izoluar nga Evropa dhe pa Sida, apo i hapur me Evropën dhe me Sida. Ja, këtu vijmë edhe tek pyetja e parë e intervistës: “Vicklat e qytetarit modest dhe Sida, diskoteka , jeta moderne dhe moda”. Unë nuk dua të të jap mend, por në këtë pikë të intervistës duhet të kritikosh mentalitetin e vjetër që ishte kundër kapitalistëve. Dhe mos i kurse fjalët e mira për kapitalistët e rinj. Qytetarin modest thumboje me takt. Iku koha e heroit të ashtuquajtur të gjirit të popullit! Heroi i sotëm është kapitalisti. Fjala kapitalist tingëllon krenar. Leri ato që thoshte Gorki se gjoja fjala njeri tingëllon krenar! E provuam sesi tingëllonte kjo fjalë! Na ndriti!

Lexo po ashtu:  Vjen në shqip libri i fundit i albanologëve Fischer dhe Schmitt

Cilat janë vicklat e tjera të qytetarit modest? Ryshfetet! Qytetari modest hedh vickla kundër ryshfeteve, që edhe këtë fjalë e thotë turqisht. Ryshfet e ka kuptimin shqip shpërblim. Po pa shpërblim apo ryshfet a mund të ketë demokraci moderne? A mund të ketë Evropë? Porta për në Evropë hapet me çelësin e ryshfetit. Pra, erdhëm tek pyetja e dytë e intervistës: “Vicklat e qytetarit modest dhe ryshfeti apo shpërblimi”. Ideja e kësaj pike duhet të jetë: nuk ka civilizim pa ryshfet. Izolohu nga vota dhe mos merr ryshfet! Nëpunësi ynë, administratori ynë, drejtori ynë, ministri ynë pa ryshfet kthehet në asket. Madje mirë do të ishte ta trajtoje raportin e ryshfetit dhe asketit. Nëpunësi kthehet në asket po të shkëmbejë vetëm shkresa të thata. Shkresa duhet lagur me lëngun e ryshfetit. Ryshfeti i jep blerim shkretëtirës së shkresës, e bën pjellore. Mirëpo qytetari modest, i nxitur nga social-komunistët, hedh vickla kundër ryshfetit! A e di ky qytetar modest se ryshfeti deri dje ka qenë i përndjekur ekonomik dhe do të thosha edhe i përndjekur politik? Pse nuk kemi pasur zhvillim ekonomik? Nuk kemi pasur se e kishim burgosur ryshfetin. Tani që e lamë të lirë ryshfetin, u mbushën qytetet me kioska. Në parqet e qyteteve tona sot nuk rriten pemë pa kokrra, por kioska me kokrra, madje me koka që do të thotë koka – kola, makar koka – Vasili. Ndërsa qytetari modest hedh vickla edhe kundër kioskave, duke sharë edhe qeverinë dhe në përgjithësi edhe administratën. Ky qytetar na thënka se qeveria e paska mendjen vetëm tek kioskat dhe nuk na paska hapur fabrika dhe uzina! Na paska lënë me mijëra e mijëra të papunë dhe na paska nxjerrë taborë – taborë në asistencë! E ç’na duhen ato palo fabrika kovaçhana? Më mirë të papunë, se me punë rrangallash. A e kupton ky qytetar modest se papunësia është tregues civilizimi? Puno dhe rri i izoluar! Më mirë i papunë dhe i hapur me Evropën se me punë dhe i izoluar nga Evropa. Erdhëm, i dashur Hyskë, tek pyetja e tretë: “Vicklat anakronike të qytetarit modest kundër qeverisë përparimtare në fushën e asistencës dhe papunësisë”. Këtu duhet dhënë një shpjegim i themeltë që të kuptohet se nuk mund të ndërtohet kapitalizmi demokratik pa të papunë dhe pa asistencë. Sa më shumë asistencë dhe papunësi, aq më tepër demokraci dhe liri. Duart i ke të lira dhe bën ç’të duash. Nuk ke zgjedhën e punës! Dhe kjo është një nga meritat më të mëdha të qeverisë sonë, që nuk i kupton qytetari modest.

Lexo po ashtu:  Apple me një smartfon të ri surprizë për ata që nuk pëlqejnë ekranet e mëdha

Kështu, i dashur Hyskë, po e mëkëmbëm korrespodencën tonë që e patëm ndërprerë për një kohë të gjatë për arsye politike. Ti atëherë ke qenë i përndjekur politik, kurse unë monist – stalinist – social – komunist. Kurse tani unë jam i djathtë radikal që përkrah metodën shok në ekonomi, domethënë e rrufeshme si shok elektrik. Duke njohur pikëpamjet e tua t’u drejtova për këtë intervistë thellësisht të djathtë. Prandaj mos harro të lavdërosh në shkrimin tënd veçanërisht rritjen e çmimeve. Fol seriozisht dhe mos u tall me rritjen. Ai që godet rritjen, puthet me zbritjen. Në intervistë përdor edhe nga ato aforizmat e mprehta që i ke pasur qejf si “Ish-profesori i filozofisë marksiste ka dëshirë të bëhet dervish”, “Më thuaj me cilin pi, të të them ç’meze ha”, “Hoxhesha dhe priftëresha në shpalljen e Miss-Albania”, “Priftëreshës iu shfaq në ëndërr kryemyftiu”, “Në kishën e vogël fshihet prifti i madh”, “Lopa po të dinte se ku shkon qumështi, do të bënte grevë urie”, “Ku shkel plaka, derdhet kaka”, “Gomari nuk ka nevojë për mikrofon, se pëllet”, “Njeriu është tradhtar i majmunit”, “Është bërë si pulë e lagur nën tharësen elektrike”, “Qeni është ujk me shkollë”…

Mos harro ta mbyllësh intervistën me një mendimin tënd që na ka ardhur gojë më gojë deri këtu në kryeqytet. Mendimi është ky:

Thirrja e Shoqatës së Endacakëve: “Shtoni radhët tona!”

Bamkë Çomaga

Tiranë, 10 maj 1994

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *