Duket sikur ka kaluar një epokë. Atë 6 gusht 1945 në Hiroshima bota ndryshoi. Dhe njeriu, edhe një herë, humbi pafajësinë e tij. Bomba atomike e krijuar në SHBA që shpërtheu mbi qytetin japonez, në pak sekonda vrau 70 mijë njerëz dhe filloi të thyente moralin e perandorisë japoneze. Goditja fatale erdhi tre ditë më vonë, më 9 gusht, kur një tjetër bombë po aq shkatërruese fshiu banorët dhe shtëpitë e Nagasakit.
Japonia u dorëzua. Dhe bashkë me Japoninë, edhe të gjithë ne. I jemi dorëzuar aftësisë tonë për të krijuar pajisje kaq të fuqishme, saqë të rrezikojnë vetë ekzistencën tonë dhe të qenieve të tjera të gjalla që popullojnë botën. Në pak sekonda kaluam nga njerëz, në shfarosës të mundshëm të universit.
Por le të kthehemi në atë 6 gusht 1945. Është ora 8.15 e mëngjesit: një avion bombardues amerikan fluturon mbi qiellin e Hiroshimës, i vetëm: është Enola Gay, që lëshon “Little Boy”, një bombë me uranium 235 e cila shpërthen në 580 metra lartësi. Pakkush, në atë moment, e dinte se cilat mund të ishin pasojat e shpërthimit. Por kur presidenti amerikan Truman vendos të hedhë një tjetër “superbombë” në Japoni, ai sigurisht që është i vetëdijshëm se sa shkatërrues është potenciali i këtyre pajisjeve. Ai mund të mos e dijë saktësisht se sa vdekjeprurës është rrezatimi, por ai e di se është në gjendje të vrasë mijëra njerëz në pak sekonda. Asnjë bombë në histori nuk ka arritur një fuqi të tillë.

Këtë herë – dhe jemi në 9 gusht – është goditur Nagasaki. Në realitet objektivi fillestar ishte Kokura, por një re e madhe atë ditë e detyroi pilotin të ndryshonte objektivin dhe të zgjidhte qytetin që ishte i dyti në listë: Nagasaki. Në orën 11.02, “Fat Man” (bombë me plutonium 239) shpërthen mbi qytet. Një tjetër masakër.

Lexo po ashtu:  Bashkë çdo gjë është e mundur, 4 gjëra që duhet të keni parasysh nqs partneri juaj vuan nga ankthi

Lufta përfundon dhe ne të gjithë hyjmë në një epokë të re: atë atomike. Gara e armëve bërthamore na çon drejt një lloj armëpushimi, Lufta e Ftohtë, e cila bazohet pikërisht në konceptin e rrezikut: askush nuk guxon të shpërthejë bomba atomike (të cilat ndërkohë kanë bërë “përmirësime” të mëdha, bëhen më të fuqishme dhe vdekjeprurëse) sepse të gjithë e dinë se ky do të ishte gjesti i fundit i njerëzimit. Një “ngërç” që vazhdon edhe sot. Ka mbi 12,500 koka bërthamore në botë (të dhëna nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm) pavarësisht faktit se çarmatimi bërthamor është duke u zhvilluar për shumë vite dhe pavarësisht faktit se 50 vende kanë ratifikuar TPNW, traktati për ndalimin e armëve bërthamore. Me pak fjalë, vullneti ekziston, por Realpolitika është më e fortë.

Kanë kaluar 79 vjet që nga ai 6 gusht 1945, i cili ndryshoi planetin. Në mbarë botën kujtimi i asaj tragjedie është zbehur dhe çdo vit frika se bota mund të përfundojë në flakë bëhen gjithnjë e më e zbehtë dhe më e largët.

Por çdo 6 gusht në Hiroshima, nga ora 6.30 deri në 8.50 të mëngjesit, ceremonia përkujtimore e shpërthimit dhe viktimave zhvillohet në Parkun Përkujtimor të Paqes: çdokush mund të marrë pjesë.
Çdo vit Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i kujton të gjithë botës rreziqet e armëve bërthamore me një fjalim dhe i kombinon këto fjalë me një apel për të gjitha shtetet për të eliminuar këto rreziqe.

Lexo po ashtu:  Edhe fëmijët mund të vetëvriten; Çfarë nuk dimë për shëndetin mendor të të vegjëlve tanë

Të kujtosh është e drejtë. Por për një ngjarje kaq të madhe e të dyfishtë nuk mjafton. Nuk mjafton sepse rreziku për të gjithë është jeta. Këtu shtrohet pyetja: çfarë mund të bëjmë ne, çfarë mund të bëjë secili prej nesh? Shumë pak. Gjithçka vendoset nga fuqitë e mëdha, nga interesat kombëtare. Ne si individë kemi vetëm mundësinë të ushtrojmë presion, të dëgjojmë zërin e atyre që duan të neutralizojnë “rrezikun e bombës atomike” në të gjitha format e tij. Një tjetër gjë që mund të bëjmë është të ndalojmë: për një minutë, vetëm një minutë. Ndaloni të “shihni” fuqinë shkatërruese të një bombe atomike dhe sa jetë mund të shkatërrojë në një sekondë. Ndoshta në vetë Hiroshima, një vend i largët për ne evropianët, por ku do të gjeni video, foto dhe dëshmi unike. Ka shumë hapësirë ​​rreth flakës së përjetshme që digjet (u ndez në fund të luftës). Kopshte, pemë, lule: një park rrethon flakën e përjetshme dhe Muzeun Përkujtimor të Paqes në Hiroshima, i cili mbledh gjithë dhimbjen e qytetit të plagosur nga bomba. “Ka turistë dhe ata janë kryesisht amerikano-jugorë. Por numri më i madh i vizitorëve janë japonezë dhe janë studentë”, sqaron Rie Nakanishi, drejtoreshë e Muzeut. Si për të thënë: jemi përballë një dhimbjeje të mbyllur, një vuajtje që nuk i ka kaluar kufijtë e kombit me të njëjtën forcë. Në fakt, në turet turistike të Japonisë, destinacioni i Hiroshimës nuk është ndër më të zgjedhurit. Por përballë këtyre monumenteve që shënojnë çmendurinë e njeriut, godinës publike të rrënuar nga vala e bombës dhe për mrekulli (pjesërisht) në këmbë, ajo minutë reflektimi duket se ka peshë më të madhe.

Lexo po ashtu:  Të disiplinosh një fëmijë në mënyrën e duhur, kjo është pjesa më e vështirë e prindërimit.

Nëse është e vërtetë që njeriu jeton me paradokse, ky është ndoshta një nga më të mëdhenjtë: pas atij gushti 1945, në një kohë të shkurtër harruam rrezikun drejt të cilit vrapuam dhe ende vrapojmë. Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, filloi gara e armëve për kokat bërthamore. Frika nga fundi i botës krijoi një ekuilibër dhe për dekada të tëra tensioni në botë rritej e ulej me kërcënimin bërthamor gjithmonë në plan të dytë. Për dekada ai pakt u respektua. Tani Putin thotë se është gati të përdorë “armë bërthamore taktike” në Ukrainë, pra më pak të fuqishme dhe me një gamë të reduktuar dhe të kontrolluar veprimi. Dhe frika është kthyer në sipërfaqen e botës. Filmi Oppenheimer na ndihmoi për të na kujtuar se ekziston një problem që na ka mbetur i pranishëm prej shumë vitesh, një problem që ne e krijuam dhe që nuk kemi mundur ta zgjidhim.
Çdo natë na zë gjumi dhe në mëngjes zgjohemi me një vrasës potencial gjithmonë pranë nesh, makthin e bombës atomike. / Sette/