Si grupi i hakerëve Anonymous ashtu edhe Dark Storm kanë marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin kibernetik që e mbajti rrjetin social X jashtë funksionit për disa orë të hënën.
Hakerët e Anonymous deklaruan në një postim se ata janë duke “luftuar kundër fashizmit që ka zënë rrënjë në SHBA” dhe se fuqia e Donald Trump dhe Elon Musk “u ka shkuar në kokë”.
Nga ana tjetër, grupi Dark Storm gjithashtu ka marrë përgjegjësinë për sulmin, sipas një postimi në Telegram. Ky grup ka shprehur mbështetje për palestinezët në konfliktin në Lindjen e Mesme.
Gjatë sulmit, platforma X, e cila është në pronësi të Elon Musk, mbeti jashtë funksionit për disa orë të hënën. Vetë Musk ka pretenduar se sulmi erdhi nga adresa IP që ndodhen në rajonin e Ukrainës.