Dy rastet e para të COVID-19 në Kosovë dhe fashizmi i Serbisë edhe ndaj serbëve të Kosovës

Dy rastet e para të koronavirusit u konfirmuan sot në ora 17:30 edhe në Kosovë, pas 15 analizave të fundit, që e çojnë në total 108 numrin e personave që u është bërë analiza në Kosovë. Nga dy personat që kanë rezultuar pozitivë, një është shtetase Italiane. Qeveria e Kosovës rimblidhet sot në mbrëmje për ndërmarrjen e masave shtesë. Para tri ditëve, ndër masat e ndryshme, qeveria kishte marrë edhe vendimin e pezullimit të mësimit në të gjitha nivelet e sistemit arsimor. Pavarësisht masave, ishte e pritshme që virusi do përhapej edhe në Kosovë. Çështja tani qëndron në frenimin e përhapjes së shpejtë të virusit.

Mirëpo, ajo që më ka bërë edhe më shumë përshtypje ka qenë qasja e të ashtuquajturit drejtor i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç. Kur më herët këtë javë qeveria e Kosovës mori vendimin për mbylljen e shkollave, Gjuriçi me deklarata publike tentoi ta pengonte zbatimin e këtij vendimi për shkollat e Kosovës që janë në komuna me shumicë serbe, duke thënë se shkollat do mbyllen të hënën e javës që vjen, dhe jo këtë javë. E gjitha kjo vetëm për të sfiduar sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Lexo po ashtu:  “Kërkesat e Rusisë çojnë në një rend botëror të ri e të rrezikshëm”

Pra, tani që kemi edhe konfirmimin e 2 rasteve të para me koronavirus në Kosovë, kemi edhe rikonfirmimin se qeverisë së Serbisë nuk i intereson aspak mirëqenia dhe shëndeti i fëmijëve serbë të Kosovës, i mësuesëve serbë të Kosovës, e familjeve serbe të Kosovës. Këta qytetarë të pakicës kombëtare serbe në Kosovë janë mish për top i politikave shovene të Serbisë.
Boiken Abazi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *