Opinionisti i “Koha Ditore”, Augustin Palokaj, shkruan në një shkrim të djeshëm se sjellja e Bashkimit Europian gjatë ndërmjetësimit të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, ishte e tillë që e dëmtoi procesin. Duke menduar se ambiguiteti do të ishte një mjet në duart e palëve për të prezantuar në mënyrë të përshtatshme para opinionit publik propozimet e bëra, BE-ja, konkretisht dyshja Lajçak-Borrell, kanë minuar të gjithë ecurinë e dialogut. Më poshtë një pjesë nga opinioni i Palokajt përmes të cilit mund të kuptohet edhe më mirë se çfarë dëmi ka bërë Europa në Ballkan dhe sidomos dyshja e mësipërme:

…Gjithçka në atë proces kishte dykuptimësi apo shumëkuptimësi. Vetë fjala “lehtësues” (fasilitator) ishte zgjedhur qëllimisht për të mos thënë se BE është “ndërmjetësuese” (mediator). Sepse ndërmjetësohet mes palëve të barabarta, e për BE-në Kosova e Serbia nuk ishin, e nuk janë as sot formalisht, palë të barabarta. Edhe vet dialogu për të njëjtën arsye është quajtur si dialog mes “Beogradit dhe Prishtinës”, po ashtu qëllimisht për të pasur kuptime të ndryshme dhe për të mos përmendur emrat e shteteve. Asnjëherë në Bruksel nuk i kemi parë duke u takuar Kryetarët e këtyre dy qyteteve. Ai është emëruar ashtu, për shkak se Serbia dhe 5 shtete të BE-së nuk pranojnë se Kosova ekziston si shtet. Qeveria e Serbisë vazhdon edhe pas 13 vjetësh të pretendojë se po bën dialog me “përfaqësuesit e Prishtinës”, apo “përfaqësuesit e shqiptarëve” apo me “autoritetet vetëqeverisëse nga Prishtina sipas Rezolutës 1244”. E ky emërtim ishte një zgjidhje e mirë edhe për BE-në, sepse me këtë u adresuan shqetësimet e 5 vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën…

Kjo qasje, pos që u dëshmua e pasuksesshme, është edhe manipuluese. BE-ja me këtë qasje është bërë edhe pjesë e mashtrimeve. Janë mashtruar edhe serbët e Kosovës se “dialogu është për interesin e tyre” dhe se “ata po jetojnë në Serbi, sepse Kosova dhe Metohia janë pjesë e Serbisë”. Por edhe pjesë e mashtrimeve të qytetarëve të Kosovës se dialogu “është mes dy shteteve” dhe se “qëllimi i dialogut është njohja e ndërsjellë”…Kjo qasje e BE-së në dialog bëri shumë dëme për Kosovën në skenën ndërkombëtare. Serbia e shfrytëzoi për të parandaluar disa njohje dhe për të tërhequr disa prej tyre. Sepse shumë vendeve u është dukur e logjikshme kur Beogradi u ka thënë se “sikur çështja e statusit të ishte e kryer, pse atëherë po ndodh dialogu në Bruksel?”. E disa shtete të largëta kanë vendosur të mos e njohin Kosovën nëse “BE-ja nuk ka qëndrim të qartë”. Disa herë kur e kemi parashtruar këtë çështje te zyrtarët e BE-së janë irrituar, duke thënë se “nuk është ashtu”…

Por dëmi më i madh ka qenë krijimi i konfuzionit në terren që ka shkaktuar edhe paqartësi, panik, dhunë dhe shpërthim të tensioneve. Kjo ka ndodhur sidomos me Serbët në veri të Kosovës. Ata akoma nuk e dinë se a duhet ndërruar apo jo targat e veturave, a jetojnë në Kosovë apo në Serbi, apo në “Kosovën e Metohinë si krahinë jugore e Serbisë”. Nuk e dinë a është policia e Kosovës polici e tyre apo “okupatore” siç u thotë Serbia e BE-ja heshtë. A janë Serbët që i bashkohen policisë së Kosovës profesionistë që duan t’u shërbejnë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike apo janë “tradhtarë të cilët do t’i mbulojë turpi dhe t’i gjykojë historia”.

Në vend që t’i jepet fund kësaj qasjeje destruktive, e cila u dëshmua e rrezikshme, BE-ja vazhdon të prodhojë edhe më shumë ambiguitet. Është e paqartë a ka apo nuk ka “marrëveshje të Shkurtit” dhe “aneks të Ohrit” të muajit mars. Me një logjikë të shëndoshë do të duhej të thuhet se nuk ka marrëveshje. Atë e ka fundosur ambiguiteti. Për më tepër, e ka fundosur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke refuzuar që ta nënshkruajë, duke thënë publikisht se nuk e ka pranuar e as miratuar, por vetëm është pajtuar “për një koncept normalizimi”.

Lexo po ashtu:  A mund të bëhemi aq pro shqiptarë sa amerikani Engel?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *