Mes varreve
E patem lanë me pi kafe për sot. Ai m’ thirri. E kishte nji prandjenjë të ftoftë për mua dhe kot i bërtisja: O mirë jam mirë! Ia kam vu thesin n’krye xhebrailit e setrën ia kam kthye mbrapsht!
Ngazëllehej si fëmijë!
___Pushkë zanin e lis trupin t’ka nipalani, thoshte! Nesër dua me pi kafe me ty. Këtu, n’soliterin e parë, të Kult Plusi!
Dje thirri. Dje foli dhe u knaq kur i thashë: Nesër daja t’pret të Kult Plusi! E dje asht vetëm nji natë mes të sotmës. E sot asht vetëm nji ditë nga e djeshmja!
Ai s’erdhi të kafja. Shkoi të varri n’arkën e drunit! Unë i shkova të koka! E koka kishte vetëm gjumë! Varri, kishte vetëm dhé e dërrasa. Edhe pak njerëz që s’flisnin! Që s’afroheshin afër gropës e arkës me trupin e tij t’pa jetë! Kishte edhe emna. Pa numër! Qytet memec ishte nji kodër që zbriste të nji përrua!
Erdhi Ademi! Mbi krihët e malësorëve erdhi. Unë e prita n’ballë t’varrit. Por sytë e përlotun m’folen: __Ke qenë hije randë nipalan. Kurrë s’ke durua me tu përlloqë këpucët me maje! Ore! Nuk ecë për tokë vëllau i Azem Shkrelit. Përhava vinë e shkojnë poetët shkreljanë!
Ai, shallbardhi me tirqit e vjetër e xhamadanin e grimcuem vitesh, e vuni dorën të veshi dhe malësorçe i çoi fjalë Zhuj Selmanit!
__Prite se t’erdhi! Çoi fjalë Azemit e t’atit Ujkan që ta marrin me allçin e shaluem se s’mundet me i përlloqë këpucët me maje!
Unë ia këputa kangën malësorit t’ri; __mos e t’mero Zhujin, se ky nuk ka vdekë. Ky asht nisë hijeve e përrojeve këtij fundshtatori, me t’birin, Aliun. Po e kërkon nji firajë ku mundet mu shtri e me pa qyqën tue knua n’rrem. Edhe do tufa klekash asht tue i kërkua për t’birin.
Hoxha e rrudhi ballin! Ç’asht kjo vdekje Ilirishte me kangë paskrahu e me deklamim vargjesh mbi varrin e hapun!
Vajtim pagan asht, thashë e nji grusht dhe ia hudha mbi fytyrë!
Kur ia vunë dërrasat e dheu u ba kodër mbi trupin e tij thashë:
__Pse shkrove për Shkrelin e Rugovën e nuk e bane dekën n’Ashtën e Shkrelit! Edhe ti edhe yt vëlla Azemi, tanë krijimtarinë ua kushtuet atyne bjeshkëve por trupat ua falet Prishtinës!
Pse s’ua çuet eshtnat atje ku i përkundi djepi?!

Jo! Unë s’do t’kalbem n’kodrat e Dragodanit. N’Drelaj me pret Bubulina. Rugovës ia kam falë rrashtën! /Çun Lajçi

Lexo po ashtu:  Pse i admirojmë njerëzit modest?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *