Gjermania ka pranuar për herë të parë gjenocidin e kryer kundër popullatave Herero dhe Namas në Namibi, gjatë epokës koloniale. Për këtë, Berlini do të dhurojë 1.1 miliardë euro për të nxitur zhvillimin e vendit afrikan.

“Ne do t’i kategorizojmë zyrtarisht këto ngjarje për ato që janë, duke i parë nga perspektiva e sotme: gjenocid”, tha ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, në një deklaratë, duke përshëndetur arritjen e një marrëveshjeje me Namibinë pas më shumë se pesë vjet negociatash të vështira mbi ngjarjet në Afrikën Jugperëndimore të kolonizuar nga Gjermania në vitet 1884 dhe 1915.

Kolonët gjermanë vranë dhjetëra mijëra Hereros dhe Namas gjatë masakrave të kryera midis 1904 dhe 1908, ngjarje që shumica e historianëve i kanë konsideruar si gjenocidi i parë i shekullit XX. “Në dritën e përgjegjësisë historike dhe morale të Gjermanisë, ne do t’i kërkojmë falje Namibisë dhe pasardhësve të viktimave për mizoritë e kryera”, citohet Maas nga DW.

“Në shenjë të njohjes së vuajtjeve të mëdha që u janë shkaktuar viktimave, Gjermania do të mbështesë rindërtimin dhe zhvillimin në Namibi përmes një programi financiar prej 1.1 miliardë eurosh”, shtoi ai. Maas u kujdes të bënte të qartë se kjo nuk është një bazë ligjore për kompensim dhe se një njohje e tillë nuk i hap rrugën asnjë “kërkese ligjore për kompensim”.

Lexo po ashtu:  Kosova është e rrezikuar edhe nga ‘përfaqësuesit’ shqiptarë të Beogradit në Prishtinë e Tiranë‼

Kjo shumë do të paguhet për një periudhë 30-vjeçare, sipas burimeve pranë negociatave. Përfituesit do të jenë kryesisht pasardhësit e këtyre dy popullatave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *