Mitingje rivale u mbajtën në kryeqytetin Minsk të Bjellorusisë të dielën, një javë pas zgjedhjeve të diskutueshme që i dhanë drejtuesit të gjatë Aleksandar Lukashenko një mandat tjetër në detyrë.

Dhjetëra mijëra protestues që vunë në dyshim legjitimitetin e zgjedhjeve të fundit u mblodhën në “Marshimin për Liri”, të thirrur nga kandidatja e opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya.

Ndërkohë, mijëra vetë u mblodhën në mbështetje të Lukashenkos, i cili tha të dielën se nuk do të zhvillojë zgjedhje të reja.

Duke iu drejtuar njerëzve, Lukashenko mohoi akuzat për manipulimin e zgjedhjeve dhe fajësoi ndërhyrjen e huaj për ditët e trazirave, duke pretenduar se NATO-ja ishte duke grumbulluar armë rreth 24 kilometra nga kufiri me Bjellorusinë.

Bjellorusët kanë protestuar në kryeqytetin Minsk dhe qytete të tjera që kur zyrtarët e zgjedhjeve shpallën Lukashenkon, që ka 26 vjet, në pushtet, fituesin e zgjedhjeve të 9 gushtit, me mbi 80 për qind të votave kundër kandidates kryesore të opozitës, Sviatlana Tsikhanouskaya, me rreth 9.9 për qind.

Ambasadori i Bjellorusisë në Sllovaki, Igor Leshchenya shprehu mbështetjen e tij për protestuesit në një video pa datë të botuar të shtunën nga media bjelloruse Nasha Niva.

Lexo po ashtu:  Scholz dhe Nehammer: Ballkani Perëndimor ka nevojë për një perspektivë të qartë të anëtarësimit në BE

“Solidarizohem me ata që dolën në rrugët e qyteteve bjelloruse në marshime paqësore në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohej. Bjellorusët e kanë arritur këtë të drejtë përmes vuajtjeve”, thotë Leshchenya.

Mijëra vetë dolën në rrugët e Minskut përsëri të shtunën, duke iu përgjigjur thirrjes së Tsikhanouskayas për t’u mbledhur gjatë fundjavës dhe për të vazhduar një lëvizje që përbën sfidën më të madhe ndaj kontrollit të Lukashenkos që ka qenë në pushtet për 26 vjet, që nga viti 1994.

Protestuesit gjithashtu marshuan në qendrën e televizionit shtetëror bjellorus, duke kritikuar transmetimet që sipas tyre janë të njëanshme në favor të Lukashenkos dhe që japin një imazh jo të drejtë të protestave.Rreth 100 anëtarë të stafit dolën dhe u bashkuan në protestë, duke thënë se kanë planifikuar të fillojnë një grevë të hënën.

Përballë sfidës më të madhe të sundimit të tij nën presionin për të dhënë dorëheqjen, Lukashenko bëri thirrje për ndihmë nga Moska në një bisedë telefonike me Presidentin rus Vladimir Putin, duke e përshkruar situatën si “një kërcënim jo vetëm për Bjellorusinë”.

Lexo po ashtu:  Vatikani: Transgjinorët mund të pagëzohen dhe të jenë prindër të mirë

Lukashenko u tha shefave ushtarakë më vonë gjatë ditës se Putini kishte ofruar “ndihmë gjithëpërfshirëse” për “të garantuar sigurinë në Bjellorusi”.

Kremlini tha në një deklaratë se të dy presidentët ranë dakord se “problemet” në Bjellorusi do të “zgjidhen shpejt” dhe lidhjet e vendeve do të forcohen.

NATO-ja hodhi poshtë të dielën akuzat e Presidentit të Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko se po përforconte forcat ushtarake afër kufirit perëndimor të vendit, por tha se po e vëzhgon nga afër situatën në vend.

Presidenti Lukashenko ishte shprehur më parë se tanket dhe avionët e NATO-s janë vendosur 15 minuta larg kufirit të Bjellorusisë.

Një zëdhënëse e NATO-s tha në një deklaratë se, “nuk ka shtim të forcave të NATO-s në rajon. Prania shumëkombëshe e NATO-s në pjesën lindore të Aleancës nuk është kërcënim për asnjë vend. Ajo është rreptësisht mbrojtëse, proporcionale dhe me synimin për të parandaluar konfliktin e për të ruajtur paqen”.

Zëdhënësja i bëri thirrje Bjellorusisë të respektojë liritë themelore, përfshirë të drejtën për protesta paqësore.

Lexo po ashtu:  114 vite nga Kongresi i Manastirit, kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë e shqiptarëve

Fqinjët perëndimorë të Bjellorusisë, Polonia, Lituania dhe Letonia janë anëtare të NATO-së. Aleanca dërgoi katër grupe luftarake në këto vende si dhe në Estoni për të parandaluar inkursionet e mundshme ruse, pas aneksimit nga Moska të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Numri i trupave në këto grupe të gatshme luftarake, të udhëhequra nga Britania, Kanadaja, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, është rreth 5,000.

Të shtunën, Polonia nënshkroi një pakt mbrojtjeje të përbashkët me Sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo, në bazën të të cilit Shtetet e Bashkuara do të shtojnë numrin e trupave në Poloni.

Marrëveshja përfshin trajnimin e forcave polake në aspektin e zbulimit dhe komandës, dhe një rritje të mundshme të shpejtë në praninë e atjeshme ushtarake të SHBA me deri në 20 mijë trupa, në rast të shtimit të kërcënimit.

Rusia ka thënë se nuk ka synime për të sulmuar NATO-n dhe e akuzon aleancën për destabilizim të Evropës. /Zëri i Amerikës/
*Titulli i redaksisë MekuliPress

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *