Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ISHKSH) në Maqedoninë e Veriut, ka reaguar ndaj mbulimit të gjurmëve të shtëpisë së lindjes së Nënës Terezë.

ISHKSH ka kërkuar nga autoritet maqedonase të Shkupit që t’i rikthejë themelet e shtëpisë së Nënës Terezë dhe teksti në pllakën përkujtimore për vendndodhjen e shtëpisë së Nënë Terezës të bëhet edhe në gjuhën shqipe. “Pas ndryshimeve të bëra në sheshin e Shkupit “Maqedonia”, me ç’rast janë mbuluar gjurmët e shtëpisë së Nënës Terezë, ndërsa me parkun e vendosur para pllakës përkujtimore praktikisht është mbyllur rruga që të vendosen lule edhe te pllaka, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, përkatësisht Departamenti për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, shpreh indinjatë dhe habi të thellë për këtë veprim të papërgjegjshëm të Qytetit të Shkupit”, thuhet në reagimin e ISHKSH.

Po sipas ISHKSH-së, në kohën kur e gjithë bota mburret me emrin dhe veprën e Nënës Terezë dhe ajo është bërë identiteti dhe letërnjoftimi i vendit tonë, të mbulohen gjurmët e shtëpisë së saj dhe të pengohet mundësia e vendosjes së luleve në pllakën përkujtimore nuk ka si lexohet ndryshe, pos si një veprim i papërgjegjshëm.

Lexo po ashtu:  Tanku i Drenasit që i “mbijetoi” luftës, serbët tentuan disa herë ta marrin

“Nisur nga kjo, kërkojmë nga Qyteti i Shkupit që sa më shpejt ta korrigjojë këtë lëshim, t’i rikthejë themelet e shtëpisë së Nënës Terezë, ndërsa në të mirë të marrëdhënieve të mira ndëretnike, është koha e fundit që teksti në pllakën përkujtimore të bëhet edhe në gjuhën shqipe”, thuhet në reagimin e ISHKSH-së për mbulimin e themeleve të shtëpisë së lindjes së Nënës Terezë në Shkup./Kallxo/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *