De Rada dhe Naim Frashëri janë dy vëllezër dioskurë të Romantizmit shqiptar. Dy binjakë të mëdhenj dhe të papërsëritshëm. Dy botë paralele, por jo identike. De Rada dhe Naim Frashëri kanë sharmin gjenial të letërsisë moderne shqipe, dhe janë të pakrahasueshëm me të tjerët. De Rada më i madh në moshë, është i njohur nga Naim Frashëri, por diferenca e moshës midis tyre nuk krijon asnjë kundërthënie. De Rada ka projektin e tij gjuhësor të dialektit kalabrez të arbëreshëve për ta shndërruar në një gjuhë shqipe gjithëpërfshirëse. Ky projekt madhështor është gjithsesi lokalist dhe pa perspektivë.

De Rada mendonte që dialekti i tij me të cilin shkroi kryeveprat do të zotëronte ardhmërinë e gjuhës shqipe. Por nuk rezultoi kështu. Naim Frashëri kishte një projekt më strategjik dhe më të vërtetë për gjuhën shqipe. Gjenialiteti i Naim Frashërit ishte se ai u bë demiurgu i gjuhës letrare shqipe. De Rada nuk ishte një demiurg i tillë. De Rada krijoi një univers poetik të pashembullt. Naim Frashëri krijoi gjithashtu një univers poetik të pashembullt. De Rada kronologjikisht është më përpara Naim Frashërit. Estetikisht, De Rada është gjithmonë në një pararojë të paarritshme. Por Naim Frashëri, në pikëpamje të strukturës së gjuhës letrare, është gjithashtu më përpara De Radës. Estetikisht nuk qëndron më pas, por është i ndryshëm. Ajo që e vlerëson dhe e nderon lart Naim Frashërin është se ai më 13 janar 1884, në letrën ngushëlluese që Sami Frashëri, dërguar Jani Vretos nga Stambolli për Jeronim De Radën është edhe poezia e quajtur “Vaji mbi shtëpinë e Radhanjet” e Naim Frashërit:


Vllastar i lashtë i Shqipërisë,

në dhethit të Italisë,

bir i Radhës, Josif,

jetën e rith e ndërrove,

tët at fort e helmove,

edhe këdo që të njif,

Shqipëria, kujt mirë i doje,

në gjuhët tënde e shqip shkroje,

gjithmonë të kujton,

mbi varr të shkruan këto fjalë:

Josif, o shpirt, o djalë!

Vëdiqe, po emri yt rron,

ndaj të Dhimitrit Kamardë,

pasëqyrë për djalmit.

Vëlla Dhimitër Kamarda,

prej tij në prisnim letre,

po të të ardhkej radha.

Shkuakësh në jetë tjetër.

Vretoja dhe Naimi

me Saminë të vëllanë,

brenda ndë zemërë ju kanë.

Të trembëdhejtë të kallëndorit 1884, në Kostantinopoli”.

Kjo vjershë e Naim Frashërit nuk është përmendur ndër studimet e bëra rreth poetit, si krijim i ri. Ajo që është e rëndësishme të theksohet ka të bëjë me shënimin përkatës që De Rada ka bërë me rastin e kësaj poezie të Naim Frashërit. Merita e këtij zbulimi i takon deradologut dhe studiuesit të shquar, Jup Kastratit të ndjerë.

De Rada shkruan: “Nëse janë një ngushëllim për dhimbjen tonë këto vajtime, në të cilat shqiptarë të shkëlqyer vajtojnë zhdukjen e vëllezërve, të ndarë prej tyre që prej 400 vjetësh, janë, njëkohësisht, edhe një shfaqje e qartë e shpirtit të zjarrtë kombëtar, që tërheq shqiptarët më të mirë kah Flamuri i Madh i Atdheut. E ne i botojmë si ngushëllim. Në të vërtetë letra të përzemërta, nga të gjitha anët, kërkojnë të zbusin dhimbjen tonë. E, me keqardhje, nuk mund t’i qesim në dritë, se nuk janë shkruar shqip, ndër të tjera, një tingëllim fisnik e i butë, hartuar prej Zef Noçiti nga Specano. Por është detyrë absolute prej babai dhe prej atdhetari të bëjmë të njohur letrën e çmueshme të zonjës Elena Gjika, e lindur prej princash që, tashmë mretërojnë në Rumani.”.

Dhe ja letra e Dora D’Istrias, e shkruar frëngjisht në Firence më 29 dhjetor 1883: “Zotëri, lexova me dhimbje të thellë te “Fjamuri i Arbërit”, dhimbje shumë të madhe që ju po qani e po vajtoni. Unë e di mirë se, për prindërit, për dhimbje të tilla (për dhimbje dhe fatkeqësi të tilla) nuk ka fjalë ngushëlluese. Ndërkaq, megjithatë, unë nuk mund të përmbahem pa ju thënë se marr pjesë në lotët tuaj e që jam e dëshpëruar duke ditur që një baba dhe një vend që po lind, mbeten pa një djalë dhe pa një qytetar, i cili premtonte kaq shumë”.

Të tërë paragrafët e mësipërm vërtetojnë se midis shqiptarëve personalitete të shekullit XIX kishte lidhje jo vetëm korrespondence, por edhe lidhje intime. Është interesante të vihet re se Epistolari Rilindas është i vetmi epistolar i rëndësishëm në Rilindjen shqiptare. Një dukuri e tillë nuk u përsëdyt më pas. Dhe është e pakuptueshme pse nuk u përsëdyt. Por nuk është vendi për ta sqaruar këtë gjë. Në poezinë epitafike të Naim Frashërit mund të vihet re se emri i djalit të De Radës thuhet në formën Josif. Emri i familjes Rada, thuhet Radhanjet. Janë  të rralla poezitë që përkujtojnë birin e një shkrimtari arbëresh siç është poezia e Naim Frashërit. Por, kjo poezi tregon shumë më tepër se vargjet e saj. Zef De Rada ishte djali i parë i Jeronim de Radës. Jeronimi pati katër djem: Zefin, Mikelanxhelin, Rodrigon dhe Hektorin. Zefi kishte lindur në Makie në janar të vitit 1852. Gjatë viteve 1869-1870 qe nxënës gjimnazi në kolegjin e Koriliano Kalabros. Në moshën 17 vjeç, nga shënimet dhe udhëzimet e të atit hartoi gjoja “Gramatikën e gjuhës shqipe”. Vepra në të vërtetë është e të atit të tij, De Radës. Më 1879 Zefi u martua me një vajzë arbëreshe nga Shën Kozmo. Pati me të dy djem, nga të cilët i pari vdiq tetë ditë para se të mbyllte sytë i ati. Mbas një sëmundjeje të gjatë gjoksi, Zefi vdiq më 19 nëntor 1883, 31 vjeç.

Lexo po ashtu:  “Dështimi është vetëm mundësia për t’ia filluar sërish nga e para, vetëm se këtë herë me më shumë mençuri”

/MekuliPress.com/

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *