Elife Luzha

Aftësia për të komunikuar na bën të jemi  qenia më e privilegjuar dhe më e pushtetshme në planet. Ndoshta kjo bindje ka bërë që shpeshherë të thuhet se, jo aftësia për të menduar, siç thoshte filozofi Rene Deckartes, por aftësia për të komunikuar na bën të ndjehemi njerëz. Në përditshmërinë tonë është e pamundur të mos komunikojmë. Komunikojmë në shtëpi, në rrugë, në shkollë në punë, e kudo tjetër, thënë ndryshe, komunikojmë tërë jetën, gjithkund dhe gjithandej, madje komunikojmë edhe atëherë kur nuk komunikojmë, pra kur heshtim apo mërmërisim diçka më vete.

Fjala komunikim rrjedh nga latinishtja, communicare, që do të thotë, të bëhet bashkë, komunikim, paraqitje, ligjërim, (Mekuli, 2006:10),1 dhe e ka kuptimin e hyrjes në lidhje me tjetrin, për të shkëmbyer mendime në një gjuhë të përbashkët. Edhe në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, kjo fjalë ka të njëjtin shpjegim:  Komunikoj kal. libr. 1. Njoftoj, kumtoj.    2. jokal. Hyj në lidhje me dikë; shkëmbej mendime me dikë; merrem vesh mirë me dikë, gjej një gjuhë të përbashkët, kuptohem mirë me të. Komunikon me lexuesin (me spektatorin). Di të komunikojë me masat.

Komunikimi mund të jetë verbal dhe realizohet nëpërmjet bisedës, shkrimit apo komunikimit elektronik, si dhe komunikimi joverbal, që realizohet, nëpërmjet gjuhës së trupit, e që duket të jetë më i fuqishëm se sa komunikimi verbal.

Shumë studiues komunikimin e kanë cilësuar si art, apo siç thotë Syzana Lekaj, “komunikimi është aspekti kryesor i ekzistencës njerëzore, sepse njeriu është qenie shoqërore dhe komunikuese”.2   Nëpërmjet komunikimit shprehim kulturën, vlerat, por edhe nevojën për t’u realizuar. Me një fjalë, komunikimi na shërben si proces për transferimin e porosive prej një personi te tjetri. Ai realizohet nëpërmjet dy mënyrave:

Komunikim personal, apo dydrejtimësh (sy më sy);

Komunikim masiv, që zakonisht është njëdrejtimësh dhe realizohet nga drejtuesit profesionalë, apo mediat masive, që ndryshe quhen edhe organizata që prodhojnë dhe shpërndajnë porosi.

Komunikimi konsiderohet i suksesshëm, kur informata është përçuar dhe pranuar drejt. Me këtë kemi parasysh sidomos pengesat e natyrave të ndryshme që mund t’i hasim gjatë komunikimit apo përçimit të mesazheve të caktuara, e që mundë të jenë;

Pengesa psikologjike, ku bëjnë pjesë paragjykimet ose stereotipe të ndryshme,

Pengesa semantike, që ndërlidhet me përdorimin dhe interpretimin e gabuar të fjalëve, si dhe

Pengesa teknike, ku përfshihen të gjitha pengesat fizike, qoftë edhe një oshtimë e padëshiruar.

E meqë komunikimi është  vlerë e rëndësishme në përditshmërinë tonë, atëherë, edhe këmbëngulja për t’i evituar të gjitha pengesat e mundshme s’duhet të na mungojë. Ka shumë rëndësi sidomos sjellja e drejtë në kohë dhe situatë të caktuar, por edhe cila është gjendja jonë emocionale. Duhet njohur edhe elementet e komunikimit joverbal, dhe të kemi kulturë të mirësjelljes njerëzore. Duhet thënë se një komunikim i shëndoshë midis palëve, çdoherë nxit ndjenjën e disponimit dhe të lumturisë.

  Edhe komunikimi me publikun, si prezantimi, është pjesë e rëndësishme e komunikimit, kur në rend të parë kërkohet përzgjedhja e fjalëve, kontrolli i mimikës dhe  i zërit. Janë të shumta mënyrat e komunikimit me publikun, por siç thotë  Hajdin Abazi, “një komunikim me publikun për të qenë i suksesshëm, interesant dhe atraktiv, mbi të gjitha, kërkon një përkushtim, përgatitje dhe analiza për ato që do të fliten” (Abazi,2008:21). Kurse autori slloven,  Blaz Kos, thotë se, “në prezantim para publikut deri në 55%, e vëmendjes i kushtohet gjuhës së trupit, 30% zërit dhe vetëm 7% e fjalës së thënë”2

Sido që të jetë, që një komunikim të jetë i suksesshëm, në rend të parë duhet të duam të komunikojmë, të jemi racional dhe bindës në atë që themi. Këto që thamë gjithsesi vlejnë edhe për komunikimin politik, që thuhet të jetë më shumë se publik, për faktin se, komunikimi politik në vete përmban një fjalor të stërngarkuar me terme e koncepte, thuaja nga të gjitha fushat.

Lexo po ashtu:  Rusia dhe Gjermania ‘përplasje’ mediatike – Ndalojnë transmetimet televizive për...

Çfarë është komunikimi politik?

Historia e komunikimit politik është e hershme dhe thuhet që ka ekzistuar që kur se ka ekzistuar edhe bashkësia politike. Megjithatë, një zhvillim të dukshëm në komunikimin politik, e vërejmë tek gjatë shekujve 17 dhe 18, atëherë kur siç thotë McNail, ” kultura e kafeve dhe salloneve u bënë pronë publike dhe gazetat e para kishin nisur tashmë të kryenin funksionin e tyre modern, pra për të ofruar jo vetëm informacion, por edhe opinion, komente dhe kritikë” (2009: 32).

Gjithsesi, lindja e komunikimit të lirë politik, siç thotë Habermas, “lidhet me lindjen e sferës publike, term ky që për herë të parë u përdor më 1781, dhe i referohej reflektimit kritik të një publiku”( McNail, 2009:32).  Kështu, nga kjo kohë, “ngadalë por sigurt” filloi të rritet komunikimi politik, por me fitoren e demokracive gjatë shekullit XX, dhe transformimin që solli revolucioni teknologjik dhe masmediat, komunikimi politik ka ndryshuar tërësisht.

Në teorinë e komunikimit, ka disa vështirësi rreth përkufizimit të termit komunikim politik, për faktin se ky term, në vete përmban edhe dy të tjerë (komunikim dhe politikë), që kanë ndikim në shoqërinë politike, ndaj dhe dilema se “a është komunikimi politik komunikim mes bartësve të funksioneve politike, apo edhe të atyre që vetëm flasin për politikë”?3

Në kuptimin më të ngushtë të fjalës, komunikimi politik është komunikim vetëm midis bartësve të funksioneve politike. Përderisa në kuptimin më të gjerë të fjalës, me komunikim politik kuptojmë të gjitha komunikimet për politikën.

Që ta kemi më të qartë se çfarë kuptojmë me termin komunikimi politik, si dhe atë se kush ka të drejtë të komunikojë politikisht, kujtojmë Aristotelit, i cili thoshte se; “njeriu nga natyra është qenie politike”*  që  nënkupton se njeriu si qenie shoqërore e politike me plot kuptimin e fjalës, ka plotësisht të drejtë të komunikojë politikisht. E po të jetë fati që mendimi të mbështetet nga shumica, falë demokracisë liberale sot,  ky mendim, doemos do të mund të ndikonte në ndryshimin e kaheve politike, apo të paktën disa politikave në politikë.

Në përditshmërinë tonë shpeshherë dëgjojmë të thuhet se, komunikimi politik mundëson shprehjen e mendimeve politike nga grupe të caktuara politike. Por, lidhur me atë se çfarë në të vërtetë është komunikimi politik, Denton dhe Woodward, kanë shprehur mendimin se komunikimi politik është “qëllimi i përcjellësve politik për të influencuar mjedisin politik” (McNair, 2009:18). Përderisa, Brian McNair, në mendimin e tij përmbledhës thotë se, me mendim politik kuptojmë:

Të gjitha format e komunikimit të ndërmarra nga politikanë dhe aktorë tjerë politik, me qëllim arritjen e objektivave specifike.

Komunikimin e adresuar te këta aktorë nga jo-politikanët, siç janë votuesit dhe kronistët e veçantë të gazetave.

Komunikimi rreth këtyre aktorëve dhe aktivistëve të tyre, siç e përmban raportimi i lajmeve, editorialët dhe format e tjera të diskutimit mediatik për politikën” (Mcnair, 2009:18).

Thënë ndryshe, komunikimi politik është jo vetëm deklaratë verbale apo e shkruar, por edhe mjetet vizuale, siç janë veshja, make-up-i, modeli flokëve, hartimi i logos, pra gjithë ato elemente të komunikimit të cilat krijojnë një imazh, ose një identitet politik” (po aty).

Sot, burimi kryesor i informacionit janë mediat, të cilat luajnë rolin ndërmjetësues në komunikimin politik, përderisa varësia e proceseve politike nga masmediat tanimë është rritur aq sa edhe komunikimi politik. Prandaj lidhur me këtë Habermas thotë; “diskutimi politik që qarkullon media, duhet të jetë i “kuptueshëm për qytetarët” (Mcnair, 2009:34). Por, që kjo të jetë kështu, mediat duhet të jenë të pavarura dhe të paanshme.

Dominon bindja se komunikimin politik nuk duhet lidhur vetëm me profesionet e gazetarisë politike. Madje as me komunikimin publik. “Komunikimi politik i tejkalon, duke i përfshirë brenda vetes edhe mundësitë shprehëse të zëdhënësve të partive politike, të institucioneve politike dhe shtetit si të tillë”.4

Lexo po ashtu:  Ministrja Rozeta Hajdari paditë portalin shpifës Nacionale, "gazetarin" Berat Buzhala dhe zyrtarin e MINT, Enver Hajrullahun

Komunikimi politik dhe elementët e ndërvarësisë

Në fundshekullin e tetëmbëdhjetë, Edmund Bruke mediat i përshkruante si pushteti i katërt, shtetëror, pas legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit. Sot, është rritur roli i mediave në politikë, ndaj teoricienë të komunikimit politik, si element kyç të ndërlidhur dhe ndikues në komunikimin politik, kanë përcaktuar: organizatat politike, masmediat dhe qytetarët. E nga ana tjetër “profesionistë të shkencave të komunikimit dhe të mediave, rregullimin e sistemit politik të kohës e quajnë mediokraci. Sipas tyre ne kemi një shoqëri të udhëhequr, të përpunuar dhe të gatuar nga mediat masive e jo nga populli” (Mekuli, 2006.15). Por ne tanimë e dimë se po influencohen mediat nga politika dhe anasjelltas, sa që shpeshherë dëgjohet të thuhet se politika është duke e humbur autonominë e saj.

Në fakt, që nga shekulli i 18-të, e sidomos me përhapjen e televizionit nga vitet  ’50-të, mediat kanë luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e komunikimit politik. Parë nga kjo perspektivë, “studiuesit, më shumë e shohin anën negative të politikës së medias; Politikë e qëllimtë për të manipuluar opinionin publik” (Gjergji, 2000:52). Megjithatë, sot komunikimi politik, ka një shtrirje të gjerë jo vetëm në gazeta, televizion, radio, por edhe në rrjetet sociale në internet, Facebok e Twitter, Instagram e portale të ndryshme.

Edhe debatet politike sy më sy,  janë pjesë e rëndësishme e komunikimit politik, ku aftësia dhe zotësia e komunikimit  shprehet nëpërmjet formulimit dhe dhënies së informatës, megjithëse shpeshherë, gjatë debateve etika e komunikimit del krejt jashtë loje. E debati sipas Habermas, “ që të jetë në kuptimin e plotë të fjalës, duhet të jetë i lirë e me argumente, atje duhet të fitojë ai që është më bindës. Debati ka nevojë të bëhet mbi baza të barabarta,”5 sepse debatet, kanë ndikim të madh në informimin dhe edukimin e opinionit publik. E publiku siç thotë McGee, “është si një lloj produkti politik, ideologjik dhe retorik, ndaj jo rastësisht, fjalimet politike, kushtetuta, epika, këngët, dhe mediat masive, konsiderohen si elemente retorike, me qëllim që të krijohen, identitete, kombe e pakica tjera  (Mekuli, 2006:58,59).

Në diskutimin tonë rreth ndërvarësisë midis organizatave politike, masmediave dhe qytetarit, doemos duhet theksuar se, fuqia e mediave sa vjen e rritet. Sot mediat, pos tjerash, kanë ndikim të konsiderueshëm edhe në proceset zgjedhore, ku aftësia dhe zotësia e aktorëve politikë për të komunikuar gjatë fushatave, “mund të jetë e rëndësishme dhe me ndikim në sjelljen politike dhe vetë rezultatin” (McNair, 2009.47). Këtu përfshihet transmetimi i zgjedhjeve nëpërmjet mediave, pastaj paraqitja e kandidatëve që shpesh herë realizohen nëpërmjet reklamave e spoteve të kushtueshme, por edhe intervistat e shumta që realizohen gjatë fushatës zgjedhore.

Organizatat politike, për fat të keq, shpeshherë e shohin qytetarin vetëm si votë, kurse mediat si mjete propagande për veten e tyre. Kështu edhe shpresa e qytetarit për një komunikim politik, të ndershëm, të paktën gjatë fushatave, shuhet shpejt. Organizatat politike dhe politika në përgjithësi, duhet të kenë konsideratë ndaj mediave dhe t’i trajtojnë ato ndershmërisht. Liderët politikë në bashkëpunim me mediat, gazetarët, raportuesit e intelektualët tjerë, duhet që komunikimin politik ta orientojnë në luftë kundër së keqes, kundër korrupsionit, nepotizmit dhe fenomeneve tjera dëmtuese të idealeve qytetare.

Komunikimi politik në Kosovë

Pas çlirimit  nga Serbia më 1999, në vitet e para të lirisë së saj, Kosova u ballafaqua me problematika të shumta të karakterit ekonomik, social dhe politik. Përkundër të gjithave, ndër prioritetet e prioriteteve nga secila klasë politike, ishte vendosja e pushtetit shtetëror dhe konsolidimi i demokracisë.

Si pengesë e parë për realizimin e këtyre synimeve, ishte Rezoluta 1244, sipas së cilës, Kosova u vendos nën administrimin e përkohshëm ndërkombëtar. “Ishte ky model i parë në botë i OKB-së, që administratën civile dhe ushtarake e kombinoi me vetëqeverisje vendore, megjithëse, autoriteti përfundimtar në tri shtyllat kryesore të pushtetit (legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori), i mbetej  UNMIK-ut” (Bajrami, 2014: 75).

Lexo po ashtu:  Analiza e gazetës gjermane: Perëndimi është babai i krizës në Kosovë

Në Kosovën e sapodalë nga pushtimi shekullor serb, ku sistemi i arsimit në gjuhën shqipe, ishte rrënuar tërësisht, pastaj mungesa e përvojës në qeverisje, por edhe mangësitë tjera siç është mosnjohja e teorive politike nga ana e lidershipit kosovar, shkaktuan jo vetëm një anarki të llojit të vet, por edhe mosbesim ndër qytetarët, rreth asaj që siç thoshte Aristoteli; ”të ketë rend midis njerëzve që jetojnë në një shtet”*. U desh të kalojnë disa vite, e të organizohen disa palë zgjedhje, derisa Kosova të merrte orientimin e duhur të shtet ndërtimit.

Shpallja e shtetësisë së Kosovës më 2008 dhe miratimi i kushtetutës po atë vit, gjithsesi shihej si realizim i synimeve shekullore të shqiptarëve dhe hapje e perspektivave të reja drejt zhvillimit të shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës.

Por, perspektivat e reja nuk mund të ndërtohen me politika të vjetra. Përkundër shkollave e fakulteteve që me të drejtë po hapeshin kudo në Kosovës, dëshira për mësim nxënie, apo kualifikime profesionale, si ai i politikanit apo lidershipit, ishte preokupimi i fundit në Kosovë. Dominoi bindja se teoritë politike, nuk luajnë rol në praktikat politike, qasje kjo shumë e gabuar për politikën kosovare.  Gjithsesi lidershipi kosovar u gjend në udhëkryq, ndërsa e tëra kjo çoi në vërshimin e një klase “politikanësh” pa formimin bazë në politikë dhe politikëbërje. E si pasoj e kësaj, dëmi ishte këtu. Korrupsioni shënoi shkallën më të lartë në rajon, nepotizmi dhe keqqeverisja gjetën shtratin e vet kudo në institucionet e Kosovës. Ndërkaq, fati i qytetarit si konsumues i kësaj (jo) politike “varej në teh”.

Nga mungesa e komunikimit të shëndoshë politik u thelluan edhe ndarjet partiake, lokale e krahinore. Kurse disa nga mediat, në kundërshtim me parimet etike dhe demokratike, iu nënshtruan politikës.

Komunikimi politik dhe kultura politike në përgjithësi, edhe 20 vite pas çlirimit të Kosovës lënë shumë për të dëshiruar. Sot klasa politike në Kosovë në të shumtën e rasteve, komunikimin politik e realizon nëpërmjet rrjeteve sociale, përderisa takimet e hapura me qytetarët janë shumë të rralla, apo mungojnë fare. Edhe debatet televizive që organizohen kryesisht gjatë fushatave zgjedhore më shumë i ngjajnë një  “show televiziv” se sa një debati të mirëfilltë, ku dominon gjuha e ashpër dhe e pahijshme mes debutuesve, të cilët akuzojë njëri-tjetrin duke krijuar kështu një shembull jo të mirë  para qytetarëve.

Gjithsesi, Kosova nuk e ka komoditetin, të ndihet rehat dhe e pabrengosur, për prapështitë dhe papërgjegjësitë e klasës politike, që më shumë se çdo gjë tjetër, kanë brengën e pasurimit.  Nga e tëra kjo, zhvillimi i Kosovës është duke ngecur në të gjitha fushat, e për këtë fajin nuk e ka Zoti.

Në Kosovë, duhet ndryshuar praktikat e komunikimit politik dhe kultura politike në përgjithësi, me rolin e mediave si transmetues të mendimit politik dhe faktori kryesor në ndërtimin e  opinionit publik. Mediat duhet të jenë të lira, të paanshme dhe të pavarura. Një komunikim ndërmjetësues i shëndoshë do të krijonte raporte të shëndosha shoqërore dhe të formësonte sjellje politike dhe kulturë politike e  qytetare.

Bibliografia

“Aristoteli, “Politika” shtëpia Botuese, Elta&Artini, Përktheu Dr.Myrteza Luzha

Abazi Hajdin, Hyrje në shkrimin akademik, Kolegji Universitar “Victory”, 2008, Prishtinë

Bajrami Arsim, Sistemi Kushtetues i Republikës së Kosovës, “Kolegji AAB”, 20014, Prishtinë

Gjergji Bashkim, Gazetaria 1, Njohuri të përgjithshme, “Libri universitar”, 2003, Tiranë

Mekuli Gëzim, Mediat dhe politika, “Mekuli press, 2006, Osllo

McNair Brian, Hyrje në komunikimin politik, “UET-Press” 2009, Prishtinë. Titulli origjinal: In Introduction to Plotical Communication /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *