Getoar Mjeku

Sipas të gjitha gjasave, Kosova nesër do të ketë një kryeministër të ri. Albin Kurti pritet të votohet për kryetar qeverie, duke marrë një detyrë të cilën ai e ka përshkru — sipas etimologjisë — si kryeshërbëtor ose kryndihmës.


I pari që ka përdorë emrat ministër e kryeministër në shqipen e shkruar mund të jetë rilindasi Sami Frashëri, që si ideolog i Lidhjes së Pejës përvijoi një kushtetutë të shtetit shqiptar në veprën Shqipërija, ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë më 1899.


Si shumë fjalë të tjera të shqipes, emri ministër ka rrënjë latine, ndonëse mund të ketë mbërri në gjuhën tonë përmes frëngjishtes. Latinisht minister është ndërtu nga dyzimi i bazës minus dhe mbaresës teros. Minister, që përfjalshëm domethënë i vogël, përdorej në lashtësi me kuptimin e shërbyesit, ndihmësit a kamarierit. Kurse zyrtarët e rëndësishëm të republikës quheshin magister, nga magis dhe teros, që nënkupton të kundërtën e ministrit.


Ministrin e pushtetshëm e hasim tek në shkrimet e Mesjetës, si shërbesëtar kishe ose shërbyes të monarkut sovran në Angli e Francë. Ministri politik ngarkohej me detyra të caktuara, që me kohë përbënin një dikaster të veçantë qeveritar.
Njëherësh, emri ministër zuri me u përdorë në diplomaci për një rang të lartë të diplomatit, pas ambasadorit. Deri pas Luftës së Dytë Botërore, shumica e përfaqësuesve diplomatikë kishin titullin ministër, ndërsa rangu ambasador u njihej vetëm të dërguarve të mbretërve të fuqishëm.

Lexo po ashtu:  Të drejtat e pakicave në Serbi: Korniza ligjore për themelimin e asociacioneve

Faik Konica (Faïk Konitza), për shembull, shërbeu si ministër në Uashington, ku për arsye historike anëtarët e kabinetit qeveritar bartin titullin sekretar (secretary).
Kur Shtetet e Bashkuara shpallën pavarësinë, kryeministri britanik shihej me aq përçmim për qëndrimet e tij jodemokratike sa themeluesit e republikës amerikane zgjodhën një terminologji të re për të emërtu zyrtarët e vet. Ndër termat e rij është edhe presidenti apo kryetari i Juesejit.
Ngjashëm, Revolucioni Francez përdori termin drejtor (directeur) për pjesëtarët e organit përmbarues, kurse Bonaparta ringjalli emërtimin romak konsull (consul) para se të shpallte veten perandor. Revolucioni socialist në Rusi zëvendësoi për një kohë titullin ministër me komisar i popullit (narodnyj komissar).
Por titulli i pushtetarëve nuk pasqyronte çdoherë atë që mëtonte. Një ministër nuk është vetiu i keq, e as një komisar populli nuk bëhet i mirë pse ka flakë tej emrin me ngjyrime monarkike. Sepse, tek e mbrama, emrin e bën vetë njeriu.
Por etimologjia është e bukur kur na ndihmon të kuptojmë se si janë ndërtu fjalët që përdorim, se qysh dhe pse u janë shtrembu kuptimet, dhe si mund t’i drejtojmë punët që lidhen me fjalë.

Lexo po ashtu:  Saliu se fut dot kullën në thes


Krejt për kureshtje, meqë i hymë kësaj pune, kalk i përshtatshëm për ministër më ngjan sajesa ndihtar. Sepse këta duhet ta ndijnë, ta ndihin, e ta ndihmojnë popullin. Në ballë të tyre, me barrën ma të rëndë, qëndron kryeministri apo kryendihtari i republikës.
Republikë — nga res publica — domethënë gjë, çështje, lëndë apo punë botore, pra e publikut ose popullit. Republika është e të gjithëve, jo e një njeriu. Nëse ndonjërin nga shkrimtarët tanë të vjetër do ta pyesnim me gjetë një emër për republikën, do mund të na përgjigjej: nëse mbretni sundon mbretninë, polemi polemninë. Sepse thelbi është kush e mban pushtetin dhe për të mirë e kujt qeveriset. Sa për shpjegim, sërish, polem domethënë popull.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *