Kjo vepër i kushtohet pakënaqësisë, mund të thuhet,
madje, dëshpërimit që ka populli shqiptar sot ndaj politikës së
brendshme të oligarkisë politike të Shqipërisë dhe të Kosovës,
e cila të këqijat e shumta dhe dështimet e rënda po përpiqet t’i
fshehë pas politikës së jashtme.

Pse mund të thuhet kështu?

Në politikën shqiptare të fundit të shekullit njëzet dhe të
fillimit të shekullit njëzet e një, përpos një numri të vogël
individësh, do të gjenden shumë mendje të ngushta me pak
a aspak kulturë politike, me pak a aspak mendje historike,
me pak a aspak dije për organizim shtetëror, me pak a aspak
qartëpamje për sfidat e së ardhmes, kurse disa prej tyre
edhe me jetëshkrime politike pothuaj të komprometuara për
gjendjen, qëllimet dhe vlerat e kohës së re.

Liria me të cilën na ndriçoi fillimshekulli premtues, prej
pushtetarëve të ndryshëm do të kuptohet në mënyra shumë
të ndryshme, duke e dëshmuar atë mençurinë e të urtëve
evropianë se lirinë më lehtë e fitojmë se ç’dimë ta përdorim.
Në këtë fillimshekulli për shumëçka nuk kemi menduar kur
do të duhej të kishim menduar, prandaj shumëçka nuk do të
dimë, që do të duhej tashmë ta dinim.

Nuk kemi menduar se, siç e kanë thënë të tjerë para
meje, liria mund të shfrytëzohet në mënyra të ndryshme prej
njerëzve të ndryshëm: prej dikujt shfrytëzohet në radhë të parë
për shprehje të lirë të mendimit; prej dikujt në radhë të parë
për të fituar pasuri; prej dikujt në radhë të parë për të krijuar
karrierë politike pavarësisht me çfarë mjetesh; prej dikujt për
të penguar ngritjet e të merituarve dhe të diturve; prej dikujt
për të urrejtur; prej dikujt në radhë të parë për të gënjyer e prej
dikujt për të sharë e për të fyer të madh e të vogël, burra e gra!

Lexo po ashtu:  “Annabel Li”, poezi e mrekullueshme, - nga Edgar Allan Poe

Dhe për shumëçka tjetër.

Nuk kemi ditur se demokracia, sidomos ajo e shtetit që
nuk është bërë ende shtet i së drejtës, por i shtetit që është
ende shtet i pushtetarëve, që shtetin e shikojnë pafytyrshëm si
shtëpinë e tyre private, demokracia bëhet e pafuqishme ndaj
shumë të këqijave.
***
Nuk kemi ditur dhe, natyrisht, nuk kemi pritur se tribunat
e quajtura demokratike do të mund të jenë të pushtuara jo
vetëm për diskutime të kulturuara, të argumentuara, me të
cilat paraqiten dhe mbrohen e drejta dhe e vërteta, por edhe
për ulërima parahistorike të disa prijësve partiakë, të cilët për
të mirën e përgjithshme mendojnë sa për borën e parvjetme!
***
Nuk kemi ditur dhe nuk kemi pritur se sovrani –
populli shqiptar nuk do të mund të bëjë asgjë, bash asgjë,
për të penguar primitivizmin, arrogancën, pangopësinë,
korrupsionin, nepotizmin e klasës politike dhe plaçkitjen e
vjedhjen e pasurisë kombëtare nga ana e saj!

Nuk kemi ditur dhe nuk kemi pritur se partitë politike
në vend se forca politike, që mendojnë se si dhe se sa do
ta ndryshojnë për të mirë shoqërinë, do të bëhen firma që
mendojnë se sa do të pasurohen vetë dhe se sa do të pasurohen
udhëheqjet e tyre!
***
Nuk kemi ditur dhe nuk kemi pritur se klasa e mesme, pa
mendjen e së cilës asnjë shoqëri dhe asnjë shtet nuk mund të
gjejë as gjedhen e duhur të qeverisjes së sotme, as të ardhmërisë
vërtet premtuese, do të jetë kaq e shpërfillur, madje, kaq e
mosduruar prej klasës politike, prej klasës politike të pajisur
pamoralshëm me magjistratura e me doktorata në sajë të
mjerimit shpirtëror të pjesës së korruptuar materialisht dhe
moralisht të kësaj shtrese të mesme!

Lexo po ashtu:  Miliarderi i teknologjisë ngelet pa shtëpi

***
Nuk kemi ditur dhe nuk kemi pritur se pushtetarë të
rendit të parë pushtetar do të shfrytëzojnë korrupsionin e
nepotizmin për interesa të ndryshme vetjake, do të zhvasin
pasuritë kombëtare, do të bëjnë uzurpime të ndryshme, do të
shfrytëzojnë konfliktin e interesit e, megjithatë, do të mbesin
të pandëshkuar e të pandëshkueshëm si cezarët në Perandorinë
Romake e despotët në despotitë orientale!

Nuk kemi ditur dhe nuk kemi pritur se edhe mbas turpit
me të cilin e kishin shënuar përgjithmonë veten Esat Toptani
dhe Ahmet Zogolli duke i falur tokë kombëtare e sovranitet
kombëtar pushtuesit serb dhe malazez, do të kemi aq
pushtetarë, dhe aq çerekintelektualë, dhe aq çerekakademikë,
që pa aspak brejtje të ndërgjegjes do t’i falin Greqisë tokë e
dete të Shqipërisë e do t’i falin Malit të Zi tokë të Kosovës,
duke cenuar kështu jo vetëm pasuritë natyrore po edhe sigurinë
e tyre!
***
Nuk kemi ditur dhe nuk kemi pritur se oligarkia politike
e Kosovës do t’i shpallë të vjetruara pas tre vjetësh krimet
ekonomike dhe krimet e bëra me konflikt të interesit dhe do t’i
shpallë ashtu, të vjetruara, për të shpëtuar vetë, me trabantët
e vetë, prej ndëshkimeve prej të cilave ligjet e demokracisë
kurrë s’do t’i lenin të shpëtojnë.

Lexo po ashtu:  Duke shkuar dit’ e net, E duke ndërruarë moti, Vemi si lumi në det, Nga Zoti, prapë te Zoti.

Nuk kemi ditur dhe nuk kemi pritur se Njëmendësia jonë
do të jetë e shënuar, o sa dëshpërueshëm: prej përmbysjes
intelektuale, prej mjerimit ekonomik dhe prej rënies morale,
që do t’i nxisin shqiptarët më masivisht se kurrë në historinë e
tyre që të kërkojnë shpëtim në Botë!

***

Nuk kemi ditur dhe nuk kemi pritur që ish të burgosurit
politikë, aq vetëflijues dikur, do të heshtin siç po heshtin,
kryevarur, do të bëhen të shurdhër siç po bëhen, kryevarur, ndaj
të këqijave të shumta, të gjithfarëllojshme, ndaj padrejtësive,
ndaj shpifjeve, gënjeshtrave, mashtrimeve, korrupsionit,
nepotizmit, krimeve të ndryshme politike dhe materiale të
oligarkisë së sotme politike të Kosovës!

Kanë harruar të thonë çka është tepër e rëndësishme të
thuhet sot: Mjaft më!

Por…? Por…? Por…?

Por tani po shihet se larg më të shumta se ato shpresat
që kemi ditur dhe se ato shpresat që kemi pritur janë ato të
këqijat për të cilat as nuk kemi ditur as nuk kemi pritur se
do të na dalin, se do të shumohen siç janë shumuar në këtë
Njëmendësinë tonë!

Pse, megjithatë, të gjitha këto të papritura, të gjitha këto të
këqija janë bërë e po bëhen, kanë ndodhur e po ndodhin në
Kosovë dhe në Shqipëri? Pse? Pse? Pse?

Pse? – do të provoj të tregojë në krerët vijues të librit.

Fragmente nga parathenia e librit “Pushteti i korruptuar – protagonistet dhe viktimat”, 2016

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *