Kompania mëmë e Facebook, Meta Platforms, Inc, është në fazat e fundit të bisedimeve për krijimin e një filiali grek, nën ombrellën e së cilës mund të transferohen aktivitetet ndërkombëtare që aktualisht po zbatohen në vende të tjera.

Siç raporton grekja “Kathimerini”, po diskutohet edhe mbi blerjen e Accusonus, Inc, një kompani start-up greke që zhvillon softuer për prodhimin/performancën muzikore dhe riparimin e audios.

Meta Platforms do të blejë 100% të Accusonus nga themeluesit dhe aksionerët e saj, Alexandros Tsilfidis, Elias Kokkinis dhe Michael Tzannes, si dhe aksioneri tjetër i saj, Big Pi Ventures. Vlera e kompanisë është midis 70 dhe 100 milionë euro.

Marrëveshja pritet të nënshkruhet të premten pas disa muaj negociatash. Njoftimet përkatëse priten në fillim të javës së ardhshme.

Meta Platforms do të vazhdojë operacionet e Accusonus në Greqi, dhe veçanërisht në Athinë dhe Patra, ku ka aktualisht zyra.

Por, gjiganti amerikan do të investojë edhe për të zhvilluar më tej kompaninë, në mënyrë që të sigurojë zgjidhjet audio që kërkon bota e realitetit virtual, ose metaverse. Kjo do të bëjë që startup-i grek të kthehet në një shtyllë të rëndësishme globale të metaversit.

Lexo po ashtu:  Në Turqi nisin lëvizjet e para për paqen me kurdët

Që në shtator, drejtuesit e Meta Platforms ishin në kontakt me qeverinë greke për të vlerësuar mundësinë e krijimit të një filiali në Greqi dhe transferimit të një numri të konsiderueshëm punonjësish të tyre nga vende të tjera të botës në vend. Bisedimet me stafin qeveritar u drejtuan nga Alexis Patelis, shefi i zyrës financiare të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.

Diskutimet përfshinin prezantime të hollësishme të kuadrit tatimor dhe të punës në Greqi, si dhe mbulimin e sigurimit, përfitimet dhe stimujt që janë miratuar tashmë për të tërhequr punëtorë dhe kompani të huaja për t’u zhvendosur.

Suksesi i Greqisë në tërheqjen e investimeve nga gjigantët e teknologjisë si Microsoft, Amazon Web Services dhe Digital Realty, që bleu kompaninë greke Lamda Helix, mendohet të ketë luajtur rol vendimtar në vendimet e Meta Platforms.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *