Në Shqipëri ai është bërë legjendar për pesë shekuj dhe gjithashtu e kanë quajtur me të drejtë “kampion i krishterimit”, titull ky që ia kanë dhënë papët e Romës, sepse ishte veprimtaria e tij për t’u bërë një ledh, që ndihmoi të shpëtonte Evropa e krishterë nga pushtimi turk, një katastrofë kjo që do të kishte qenë shkatërrimtare për botën e qytetëruar.

Ndoshta mënyra më e mirë për të vlerësuar Skënderbeun është t’u drejtohesh fjalëve që kanë thënë për të disa shkrimtarë dhe ushtarakë të shquar.

Diku në veprën e tij të vëllimshme Volteri ka guxuar të shprehet se sikur ta kishte mbrojtur Skënderbeu Konstantinopolin, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin në maj 1453. Gjenerali Xhejms Volfi, heroi i Kuebekut, ka thënë: “Ai (Skënderbeu) ua kalon gjithë oficerëve, të lashtë e të sotëm, për drejtimin e një ushtrie të vogël mbrojtëse”.

Autori anglez i shekullit të shtatëmbëdhjetë, Sër Uiliam Tempël, në punimin mbi “Virtytin heroik”, e rendit Skënderbeun me shtatë mbretër të pakurorëzuar të Evropës:

“… bëmat dhe virtytet e të cilëve mund t’u lejojnë atyre me të drejtë të renditen krahas kaq mbretërve e perandorëve… Gjergj Kastrioti, i quajtur zakonisht Skënderbeu, princ i Epirit, dhe Huniadi, mëkëmbës i mbretit të Hungarisë, që kanë qenë dy kapedanët më ngadhënjimtarë dhe burra të shkëlqyer, kampionë të vërtetë të krishterimit sa qenë gjallë dhe tmerr i turqve, sepse me forca të pakta iu bënë ledh për aq shumë vjet gjithë fuqive të Perandorisë Osmane… dhe Skënderbeu asnjëherë nuk mblodhi bashkë mbi gjashtëmbëdhjetë mijë veta për të gjitha fitoret e famshme që korri kundër turqve, të cilët ishin disa herë si numër mbi njëqind mijë”.

Vetë Sulltani Mehmeti II, pushtuesi i Stambollit, ka thënë një herë: “Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë”.

***

Sipas legjendës Skënderbeu, siç njihet me këtë emër turk Gjergj Kastrioti, lindi në vitin 1403 dhe, siç na thotë peshkopi Noli, por pa e besuar plotësisht, “e mori peng Muradi II në moshën nëntë vjeç. Kjo do të ketë ndodhur më 1412, meqë Skënderbeu kishte lindur më 1403″. Më pas peshkopi Noli shton duke e shpjeguar: “Por më 1412 në Turqi sundonte Mehmeti I dhe jo Muradi II, që erdhi në fron nëntë vjet më vonë, më 1421″.

Lexo po ashtu:  Çfarë është Stalingradi për rusët, edhe sot pas 75 vjetësh

Po ta ndjekim më tej legjendën, Skënderbeu u edukua në shkollat më të mira të Perandorisë Osmane, ku ai shfaqi një talent ushtarak të shquar dhe në mënyrë paradoksale, u bë njeriu më i dashur për Portën e Lartë.

Ishte ky djalosh nëntëvjeçar, që tridhjetë e një vjet më vonë u kthye në Shqipëri dhe i mundi turqit për afër njëzet e pesë vjet deri sa vdiq më 1468.

Në mendjen e lexuesit mund të lindë kjo pyetje: a është e mundur për një djalosh nëntëvjeçar, të rritur në luks, të trajtuar si hero dhe që i dhanë një titull princëror, t’i hidhte mënjanë këto gjëra tridhjetë e një vjet më pas dhe të kthehej për të shpëtuar vendlindjen nga bamirësit e tij?

Kjo pyetje nuk mund të marrë një përgjigje të drejtë e të përshtatshme, derisa të mos kemi më shumë fakte konkrete, që mund të jenë diku, ndoshta në Bibliotekën e Vatikanit.

Peshkopi Noli e hedh fjalën, por nuk e shpjegon plotësisht këtë mister. Megjithatë ai beson me të fortë se Skënderbeu e ka kaluar pjesën më të madhe të kohës nga viti 1412 deri më 1443 ose në Shqipëri, ose në kufijtë pranë Shqipërisë. Po të jetë e drejtë kjo teori, atëherë do të kemi çelësin për dashurinë dhe përkushtimin e Skënderbeut ndaj vendlindjes.

Po të pranohej se Skënderbeu kaloi tridhjetë e një vjet diku në Perandorinë Turke, çfarë shoqërie gjeti ai kur u kthye në Shqipëri?

Peshkopi Noli mendon, por nuk e përpunon më tej, se shtresat shoqërore shqiptare mund të kenë qenë atëherë këto: fshatarët e lirë në viset malore, një lloj sistemi feudal në tokat fushore pjellore dhe “qytete të lulëzuara” gjatë bregdetit.

Sipas peshkopit Noli, ka pasur disa “aristokratë të vegjël, ose më mirë prijës patriarkalë të malësorëve”. Por shumica e shqiptarëve kanë qenë të lirë, meqë “bujkrobëria dhe skllavëria as mund të mendoheshin për ta”.

Një vëzhgues i mprehtë ka thënë me mençuri: “Një shqiptar nuk mund të ishte një skllav”. Dhe lidhur me këtë, është mjaft interesante që: “Në tregjet e skllevërve të Turqisë askush nuk mund të blinte një shqiptar… sepse ishte e pamundur t’i urdhëroje ata dhe ishin tepër të rrezikshëm për pronarët e tyre”.

Lexo po ashtu:  Shqiptarët, të panjohur në kulturën serbe

Vëzhgimet e mësipërme mund të shpjegojnë përse popujt e tjerë të Ballkanit iu nënshtruan Turqisë fare lehtë, ndërsa shqiptarët u bënë ballë me sukses turqve për një çerek shekulli.

Me gjithë fitoret e panumërta, Skënderbeu gjatë gjithë kohës ka pasur telashet e veta me kuislingë. Herë pas here krerë të tij e tradhtonin dhe bashkoheshin me armikun. Disa këmbëngulnin për “bisedime për paqe”, siç na thotë peshkopi Noli, por “Skënderbeu as nuk donte të dëgjonte për to. Megjithatë shpesh shumica mbizotëronte”. Paqja u arrit më 27 prill 1463, pikërisht pesë vjet para se ai të vdiste. Por më 27 nëntor të po atij viti ai e rifilloi luftën kundër turqve, që vazhdoi deri në vdekjen e tij.

Disa nga veprimet luftarake më të mëdha të Skënderbeut lidhen me përpjekjet e turqve për të pushtuar Krujën, kryeqytetin e tij. Përpjekja e parë për të marrë Krujën u bë më 1450 nga Murati II, i cili pësoi disfatë pas një lufte epike prej pesë muajsh.

Duke përshkruar madhështinë e rrethimit të Krujës, autori amerikan Agnes Replajer në një artikull me titullin “Skënderbeu”, botuar në “Catholic World” të dhjetorit 1889, shkruan: “Vetë përmasat në të cilat qe planifikuar pushtimi i Krujës, tregojnë se sa i thellë qe zemërimi i sulltanit dhe sa ngulmues qëllimi i tij. U mblodhën njëqind e gjashtëdhjetë mijë veta… ushtria pushtuese marshoi drejt Krujës, i mbuloi gjithë fushat përreth, përpara portave masive të kështjellës vendosi topat, që atëherë ishin një risi imponuese për punët e luftës, dhe i kërkoi garnizonit të dorëzohej. Ata morën një përgjigje sfiduese dhe osmanët sulmuan muret, por u zmbrapsën me një tërbim aq të madh, sa mbi tetë mijë jeniçerë ranë në luftim, ndërsa Skënderbeu fluturonte si shqiponjë mbi shkëmbinj, priti sa beteja të arrinte kulmin dhe atëherë u lëshua teposhtë mbi armikun e hutuar, i çau llogoret e tij, i vuri zjarrin fushimit dhe gjithçka para tij e shkatërroi dhe i vrau e i preu”.

Përpjekjen e fundit për ta marrë Krujën e bëri në korrik 1467 Mehmeti II, i biri dhe trashëgimtari i Muratit, pikërisht më pak se një vit para se vdekja ta hiqte heroin nga skena e betejës. Për këtë sulm peshkopi Noli thotë se Mehmeti “e la ushtrinë e tij të madhe të lirë dhe shkatërroi me zjarr e hekur çdo cep të Shqipërisë ku mundi të shkelë”. Por shpejt ai “e kuptoi se çmimi për repartet që binin në kurthe dhe i shfaroste Skënderbeu, ishte shumë i lartë” dhe … “u kthye në Stamboll i poshtëruar e i mundur”.

Lexo po ashtu:  Në Gjakovën e Shqipërisë përfundoi jetën njeri nga shtetarët, ushtarakët dhe diplomatët më të shquar të Perandorisë Osmane...

***

Gjithë autorët për Skënderbeun, që nga Marin Barleti e deri te Eduard Giboni dhe peshkopi Noli, kanë ngritur lart heroizmin e tij luftarak, por pak gjë është thënë për aftësinë e tij që të punonte me njerëzit.

Në kohën e tij Shqipëria ka qenë e ndarë në disa principata dhe çdo prijës ishte ziliqar e krenar, siç mund të jetë një shqiptar, për rëndësinë e vet në tablonë e gjërave.

Në këtë pështjellim e përleshje, që afrohej me anarkinë, erdhi Skënderbeu më 1443. Për të sjellë rregull në këtë kaos, ai thirri një kuvend të gjithë princave në Lezhë më 2 mars 1444, ku formoi Lidhjen e Princave Shqiptarë, duke u bërë vetë kryekomandant i ushtrisë së Lidhjes. Ishin më shumë se një duzinë princash, por me anë të diplomacisë e të shpirtmadhësisë ai ia doli t’i mbante ata të bashkuar derisa vdiq. Një njeri më i vogël nuk do t’ia arrinte dot.

Herë pas here disa prej tyre u lëkundën, por personaliteti i tij dinamik i mbajti ata të bashkuar fort si në mengene. Por mengeja u prish sapo ai u varros në Katedralen e Shën Nikollës së Leshit më 17 janar 1468. Pak kohë më pas Lidhja e tij u përça dhe bashkë me të ra edhe Shqipëria, për të mos u ngritur dot më deri më 1912, pas katërqind e dyzet e katër vjetësh.

Kështu Shqipëria qe vendi i fundit në Ballkan që iu nënshtrua turqve dhe i fundit që rifitoi lirinë e vet.

*Marrë me shkurtime nga libri “SHQIPËRIA – KOPSHTI SHKËMBOR I EVROPËS JUGLINDORE DHE SHKRIME TË TJERA). /MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *