Los Anxhelos – Nata e ndarjes së çmimeve Oscar solli befasi dhe emocione të forta, ku filmi dokumentar “No Other Land” triumfoi duke fituar çmimin për dokumentarin më të mirë.

Ky film, i bashkëprodhuar nga Norvegjia, tregon historinë e jetës së palestinezëve nën pushtimin izraelit në Bregun Perëndimor. Regjisorët, palestinezi Basel Adra dhe izraeliti Yuval Abraham, mbajtën një fjalim të fuqishëm në skenën e Oscar-it, ku kritikuan ashpër politikën e SHBA-së ndaj konfliktit në Lindjen e Mesme.

Filmi është shitur në mbi 60 vende, por përballet me vështirësi në shpërndarjen e tij në Shtetet e Bashkuara, një treg kyç për kinemanë botërore.

Ndërkohë, mbrëmja e Oscar-it pati një tjetër fitues të madh, regjisorin Sean Baker me filmin “Anora”, i cili mori pesë çmime.

Një fitore historike për kinemanë palestineze
Fitorja e “No Other Land” shihet si një arritje e madhe për kinemanë palestineze dhe një mesazh i fuqishëm mbi realitetin në territoret e okupuara. Filmi ka marrë vlerësime të larta nga kritikët ndërkombëtarë për qasjen e tij autentike dhe prekëse ndaj situatës së vështirë të palestinezëve.

Një dokumentar palestinezo-norvegjez është tani i shpallur si më i miri në botën e kinemasë, dhe kjo pavarësisht faktit se ata kanë realizuar një film me burime të kufizuara, – tha Kjersti Mo, drejtoresha e Institutit Norvegjez të Filmit (NFI), në një deklaratë për shtyp, citon MekuliPress gazetën norvegjeze, Dagbladet.

“No Other Land” përshkruan jetën në fshatin Masafer Yatta në Bregun Perëndimor, ku breza të tërë kanë luftuar kundër pushtimit izraelit, si dhe miqësinë mes dy prej krijuesve të filmit – një palestinezi, Basel Adra, dhe një izraeliti, Yuval Abraham.

Lexo po ashtu:  Shfletuesi i Microsoft bën një gjë që Chrome dhe Firefox e kanë injoruar

Gjatë fjalimit të tij të falënderimit, Abraham e shfrytëzoi rastin për të kritikuar qeverinë amerikane.

Ekziston një rrugë tjetër – një zgjidhje politike pa epërsi etnike, me të drejta kombëtare për të dy popujt tanë. Dhe më duhet të them, tani që jam këtu, se politika e jashtme e këtij vendi po ndihmon në bllokimin e kësaj rruge, – tha Abraham.

Me këtë çmim prestigjioz, “No Other Land” vjen si një dëshmi e fuqisë së artit për të treguar të vërtetën dhe për të sensibilizuar botën mbi padrejtësitë që ndodhin në Palestinë.