Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka marrë pjesë në pritjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë me rastin 246 vjetorit të pavarësimit të SHBA-së. Aty, kryeministri ka folur për çështje të ndryshme, por kryesisht është orientuar te traditat e filozofitë e vjetra politike amerikane.

Kurti ka folur për virtytin, sipas shpjegimit të Presidentit të tretë të SHBA-së, Thomas Jefferson, i cili ishte edhe autor i Deklaratës së Pavarësisë.

“Miq të dashur, virtyti është themeli i lumturisë dhe virtyti përbëhet nga urtia, maturia, qëndresa dhe drejtësia. Përsëri, këto janë fjalë të Thomas Jefferson, autor i Deklaratës së Pavarësisë. Në këtë kohë, fjala virtyt do të thotë moral, por në kohën e baballarëve të Amerikës, do të thoshte mendësi publike, apo në fjalë të tjera prioritizim i interesit publik përpara atij personal”, ka theksuar Kurti.

Madje, për më tepër, Kurti ka thënë se fjala virtyt ka figuruar 6 mijë herë në arkivat amerikane, teksa ka cituar dhe ish-presidetin tjetër amerikan, James Madison.

“S’është aspak befasuese që në epokën e revolucioneve, në shkrimet që mbaheshin të ruajtura në arkivat amerikane, fjala “virtyt” gjendet 6 mijë herë. Me gjasë, duhen njerëzit e virtytshëm për ta ndërtuar një shoqëri të drejtë. Siç e ka thënë edhe James Madison, nëse njerëzit do të ishin engjëj, asnjë qeveri nuk do të ishte e nevojshme”, ka thënë tutje ai.

Lexo po ashtu:  Përveç Asociacionit, PDK dhe LDK kanë nënshkruar edhe këto marrëveshje; 43 zona të "Kishes serbe" rrëmbejnë këto territore shqiptare të Kosovës...

Pesë minutat që i ishin dhënë Kurtit për fjalimin e tij ishin të pamjaftueshme, por edhe pesë të tjerë do të kishin qenë të pamjaftueshëm, pasi që, siç tha ai, kishte shumëçka për të folur.

“Zonja dhe zotërinj, janë pikërisht idetë radikale ndriçuese mbi të cilat është ndërtuar SHBA-ja, të cilat tani duket shqetësojnë liderët autoritarë të së djathtës ekstreme. Mirë që m’u dhanë vetëm 5 minuta për fjalimin tim, përndyshe edhe 5 të tjerë s’do të mjaftonin për çfarë kisha ndërmend të flas: New Orleans, jazz’i, literatura e Mississipit, bulevardi Sunset e jeta e natës”, tha Kurti në fund.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *