Në vazhdim të vënjes në praktikë të idesë së publikimit të një pjese prej fjalimeve të  shkrimtarëve Nobelistë në ditën e marrjes së çmimit , këtë javë është menduar të publikohet një pjesë e fjalimit të shkrimtares nobeliste Herta Müller.

Herta Müller është një shkrimtare gjermane me origjinë rumune. Fituese e çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2009, për veprat e saja rreth jetës në Rumani, Evropën Juglidore pas Luftës së dytë botërore, dëbimin e pakicës gjermane në pjesën rumune në Banatë, si dhe për esetë e saja për traumat e luftës dhe ikjen e saj në Gjermani.

Një pjesë nga fjalimi i saj në Stockholm:

“KE SHAMI ? më pyeste nëna tek dera e kurtit, për çdo ditë, në mëngjes, para se të dilja në rrugë. Nuk kisha. Duke qenë pa shami, kthehesha dhe merrja një në dhomën time. Nuk kisha kurrë, sepse për çdo ditë, prisja këtë pyetje. Shamia ishte prova se nëna ime më mbronte në mëngjes. Pjesën tjetër të ditës, për çështjet e tjera, kullurdisesha vetë. Pyetja KE SHAMI ? ishte një fjalë e ngrohtë e thënë ndryshe. E drejtpërdrejtë, ajo do të kishte qenë bezdisëse, kjo nuk bëhej tek fshatarët. Dashuria ishte fshehur nën petkat e pyetjes. Ajo nuk mund të shprehej ndryshe veçse thatë, me një ton urdhëror, si gjestet e punës. Madje ishte befasia e zërit ajo që theksonte dashurinë. Për çdo mëngjes, tek dera, isha fillimisht pa shami, dhe prisja të kisha një të tillë për të dalë në rrugë ; ishte njëlloj sikur, falë shamisë, nëna ime të ishte e pranishme.

Dhe njëzet vjet më vonë, në qytet, isha që prej kohësh vetëm, përkthyese në një uzinë mekanike. Ngrihesha në pesë të mëngjesit dhe e merrja punën në gjashtë e gjysmë. Në pushimin e mesditës, dëgjoheshin kore punëtorësh. Kurse punëtorët e ulur në tavolinë, i kishin sytë të zbrazët si të aluminta, duart të latërzhyera në graso, dhe bukën të mbështjellë në letër gazete. Para se të hanin copën e tyre të sallamit, kruanin bojën e shtypshkronjës që kishte mbetur mbi të. Dy vjet rrodhën kështu, zvarrë-zvarrë.

Lexo po ashtu:  EQREM ÇABEJ – HIMNI I FLAMURIT

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Viti i tretë shënoi fundin e barazisë së ditëve. Në hapësirën e një jave, pashë të më vijë tre herë në zyrë, herët në mëngjes, një trupmadh i gjatë shpatullgjerë, me një vështrim blu përshkëndritës : një kolos i sigurimit.

Herën e parë, më shau duke ndenjur në këmbë dhe iku.

Herën e dytë, hoqi fëshfëshen, e vari në dorezën e raftit dhe u ul. Atë mëngjes, kisha sjellë tulipanë nga shtëpia, dhe po i ndreqja në saksi. Ndërkohë që më vështronte, ai mburri përvojën time të veçantë në natyrën njerëzore. Kishte një zë të butë që m’u duk i dyshimtë. Ia ktheva mbrapsht komplimentin : merrja vesh në tulipanë, por jo në qenie njerëzore. Ma ktheu me një pamje tallëse se ai dinte më tepër mbi mua sesa unë mbi tulipanët. Dhe doli, fëshfëshen në lak të krahut.

Herën e tretë, ai u ul dhe unë ndenja në këmbë, ngaqë dosjen e vet e kishte vënë mbi karriken time. Nuk guxova ta zbres në tokë. Më quajti idiote të ngordhur, përtace, të përdalë, po aq të pistë sa një buçe rrugësh. E shtyu saksinë në buzë të tavolinës dhe, në mes, vuri një laps dhe një fije letre. Dhe ulëriti : shkruani ! Në këmbë, i diktuar nga ai, shkrova emrin, datëlindjen dhe adresën time. Pastaj : çfarëdo qoftë shkalla e afërsisë apo e lidhjeve të gjakut, unë nuk do t’i them askujt se… dhe ja fjala e frikshme rumune : colaborez, se unë bashkëpunoj. Këtë fjalë, nuk e shkrova. Ula lapsin, vajta tek dritarja dhe vështrova jashtë rrugën e pluhurt. Nuk ishte e asfaltuar, kishte gropa dhe shtëpi të shtrembëra. Kjo rrugicë e zvetënuar quhej ende Strada Gloriei, rrugë e Lavdisë. Një mace ishte ngjitur mbi një man të zhveshur, në rrugën e Lavdisë. Ishte macja e uzinës, ajo me vesh të grisur. Përsipër saj, një diell mëngjesor, si një daulle e verdhë. Ia bëra : n–am caracterul. Nuk është ky karakteri im. Këtë ia thashë rrugës, jashtë. Fjala “karakter” e acaroi sigurimsin. E grisi fletën dhe i hodhi copat përtokë. Por duke menduar se do të duhej t’ia paraqiste eprorit të vet këtë orvatje rekrutimi, u ul dhe i mblodhi të gjitha copat, duke i rrasur në dosje. Pastaj lëshoi një psherëtimë të gjatë dhe, krejt i shprishur në fytyrë, e flaku saksinë e tulipanëve për muri : saksia u thye, dhe u dëgjua një si kërcëllim dhëmbësh në fluturim. Dosjen nën krah, mërmëriti : do të pendohesh për këtë, do të të marrë lumi. Thashë me vete : po të nënshkruaj, nuk do të mund të jetoj më me veten time, pra do të jetë njëlloj. Kështu që më mirë më hidhni ju në lumë. Dera e zyrës, duke qenë tashmë e hapur, ai kishte dalë. Jashtë, në Strada Gloriei, macja e uzinës kishte kërcyer nga pema mbi çatinë e shtëpisë. Një degë luhatej si një trampolinë.

Lexo po ashtu:  "Rri urtë, o Dhëmbja ime, dhe bëju m’e duruar" - Poezia e Bodlerit në shqip nga Lasgush Poradeci

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Të nesërmen, filluan kokëçarjet. Donin që ta braktisja përfundimisht uzinën. Për çdo mëngjes në orën gjashtë e gjysmë, duhet të paraqitesha tek drejtori. Dhe gjithmonë, në zyrën e tij gjeja kryetarin e bashkimeve profesionale dhe sekretarin e Partisë. Njëlloj si nëna ime me pyetjen e saj të dikurshme ke shami ?, drejtori më pyeste çdo mëngjes : ke gjetur ndonjë punë të re ? I përgjigjesha njëlloj : nuk kam kërkuar, ndihem mirë këtu, do të doja të rri deri në pension.

Një mëngjes, kur mbërrita, gjeta fjalorët e mi të trashë përtokë në koridor, përpara derës së zyrës. E hapa, tani ishte një inxhinier aty brenda. Më tha : këtu trokitet para se të hyhet. Këtu jam unë tani, ti s’ke punë. Nuk mund të kthehesha në shtëpi : nuk iu duhej dhënë asnjë shkas, do të më kishin pushuar nga puna për mungesa të paarsyeshme. Nuk kisha më zyrë, por duhej me çdo kusht që të vija të punoja normalisht, për çdo ditë, dhe s’bëhej fjalë ndryshe.”

Lexo po ashtu:  Karta e re grafike e AMD tremb Nvidia

Fjalimi i nobelistes Herta Müller përfundon si vijon :

“Për ata që diktatura i zhvesh nga dinjiteti i tyre për çdo ditë, deri sot, unë do të doja të them, qoftë dhe një fjali të vetme që përmban fjalën “shami”. T’i pyes thjesht : KENI NJE SHAMI ?
Ka mundësi që kjo pyetje, në çdo kohë, të mos ketë asnjë lidhje me shaminë, por me vetminë e mprehtë të qenies njerëzore…”

Nobelistet 2001-2009, perkthyer nga Urim Nerguti/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Nobelistet 2001-2009, perkthyer nga Urim Nerguti/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *