Marin Barleti

Ju epirotët, mund të gjenit një tjetër mbrojtës të lirisë, një tjetër përkryes të qëllimeve dhe të aspiratave tuaja, sepse, në këtë vend, s’kanë munguar mendjet e ndritura. Ju, si burra aq të fortë, të rritur në liri, që qëndruat kaq kohë nën mynxyrën barbare, nuk u mërzitët derisa të më shihnit. Po përse doni që unë ta mbaj për vete me të padrejtë emrin e çlirimtarit? Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu. Sapo më shkeli këmba truallin tuaj, sapo dëgjuat emrin tim, m’u derdhët me vrap të gjithë, më dolët përpara kush e kush më parë…

Ju më latë prapa, ju m’i lidhët menjëherë duart, ju më mbytët me shërbime aq të mëdha dhe me një gaz shpirtëror aq të madh, saqë duket se ju më keni bërë tani aq rob, sa edhe të lirë.

Mbretërinë dhe këtë qytet nuk jua dhashë unë, por ju gjeta të armatosur. Lirinë e pashë se e keni kudo, në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat, dhe si kujdestarë të pashoq, të lënë nga ati im, e vutë përsëri në vend, me kujdes e besnikëri të pandryshuar, skeptrin, që ma ruajtët gjer në këtë ditë, dhe më bëtë përsëri, me mundin e punën tuaj të papërtuar, zotërues të mbretërisë së të parëve të mi, pa derdhur gjak…

Lexo po ashtu:  Hasan Prishtina dhe zgjerimi i kryengritjes nga Kosova deri në Shkup

Pjesën më të madhe të punës e kemi mbaruar. Kruja është fituar, krahina e gjithë është jona, Dibrat dhe pastaj popullsitë e tjera janë bashkuar me ne dhe emri i armiqve është zhdukur nga fusha; mbeten qytetet.

Po të mendoj gjendjen e tyre të vështirë, duke parë se të gjitha janë të rrethuara nga ne, të zëna në befasi, se të rrethuarve u kanë mbetur vetëm muret e zhveshura, kam shpresa të mira. Po të marr parasysh vështirësitë që paraqitin këto vende dhe trupat që janë vendosur brenda nga Tirani, duket se do të jetë nevoja të përdorim ndonjë zgjuarsi apo këmbëngulje shumë të madhe.

Por këto do t’i gjykojmë më mirë, kur të ndodhemi në vend e të kemi përpara armikun e kur të mbajmë shpatën në këtë të djathtën tonë shkrumbuese, sesa për së largu e në tym. Të nisemi, pra, pa ngurrim dhe kudo të tregohemi me guxim prej fitimtarësh; fati do të na ndihmojë në përpjekjet tona, fati, që gjer më sot s’na është ndarë në çdo punë e na ka ecur për bukuri.

Lexo po ashtu:  Kufijtë e Lindjes së Mesme pas Luftës së Parë Botërore

Megjithëkëtë, duhet t’ia nisim, para së gjithash, nga Petrela, jo sepse kjo kështjellë mbetet prapa të tjerave për nga vështirësia e pozitës apo nga mbrojtja natyrore, por sepse është më afër këtij qyteti.

Unë besoj se ne do t’a gjejmë atje emrin dhe frikën e fatit të Krujës më të madhe, sepse ata i panë me sy edhe trimëritë tuaja, edhe fatkeqësitë e veta. Këto do të mund t’u kallin atyre një frikë ndoshta jo të vogël e, në mos ua kallshin tamam këtë, atëherë do të veprojë sigurisht këmbëngulja jonë. Një gjë vetëm duhet të na ngulet mirë në kokë dhe të mos na dalë asnjërit nga mendja; në mos u pushtoftë ai qytet e në mos qofshim të aftë t’i plotësojmë dëshirat tona, atëherë s’kemi sepse të kthehemi prapë në shtëpi.

Na duhet të provojmë çdo mjet, mundin, durimin, shpatën, arin dhe argjendin, me qëllim që fitores sonë t’ia fillojmë që këndej…Në qoftë se do të na jepet mundësia që ta shtiem qytetin në dorë pa derdhur gjak, duke na e dorëzuar vetë vendasit, atëherë do të na duhet që të gjithëve të veprojmë me urtësi të madhe si publikisht ashtu dhe privatisht, me qëllim që të nxitim kështu edhe të tjerët për dorëzim.

Lexo po ashtu:  Fati i Europës, në dorë të Gjermanisë

(Nga Marin Barleti: “Historia e Skënderbeut”, përkthyer nga Stefan J. Prifti)
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *