Në një intervistë për gazetën “Republika”, sociologu Gëzim Tushi thotë se: “Është koha për të menduar se çfarë duhet të bëjmë për të parandaluar fenomene të tilla, çfarë duhet të bëjmë me shoqërinë për të rregulluar mekanizmat socialë që po deformohen në shoqërinë shqiptare”. Unë besoj që kohët e fundit kanë filluar të jenë prezente disa shqetësime që kanë të bëjnë me morfologjinë e seksualitetit.

Kjo do të thotë që ka dy probleme kryesore:

Së pari, një problem ka të bëjë me kujdesin që duhet të tregojmë ndaj fëmijëve dhe e dyta ka të bëjë me problemin e masave që duhet të marrim për të frenuar këto mostra si këto qenie të shprishura moralisht”,- thotë Tushi. Ndërkohë, nga ana tjetër, ai tërheq vëmendjen tek kujdesi që duhet të tregojnë prindërit: “Ka ardhur koha që të komunikojmë më fort me fëmijët, t’i largojmë pak skrupujt që është shpejt apo është vonë për të biseduar me ta”, sepse në qoftë se nuk bisedon prindi, mësuesi, edukatori, atëherë do të thotë që zhvillimet e seksualitetit të tyre do t’i lihen spontanitetit. Fëmijët do të jenë të çoroditur nga presioni që iu bën mishi, nga dëshirat që kanë vetë dhe nga rreziqet që vijnë nga jashtë. Kështu, pra, krijohet një situatë që rreziqet e brendshme bashkë me rreziqet e jashtme do të sjellin si pasojë që fëmijët të viktimizohen, pra të bëhen viktima të pedofilëve apo edhe të rreziqeve të tjera që i kërcënojnë ata.

Së dyti, besoj që fëmijët e sotëm në Shqipëri janë nën peshën e një bombardimi të fortë mediatik me problemet e seksualitetit. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm, prindërit duhet të jenë të ndërgjegjshëm, edukatorët dhe shoqëria po kështu. Mjetet e sotme të informacionit dhe edukimit, rrjetet sociale, interneti janë shndërruar në instrumente në funksion të dëshirave të seksualitetit të fëmijëve. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që propaganda që bëhet në rrjetet sociale së bashku me lidhjet që krijohen shtojnë rreziqet”,- thotë sociologu Gëzim Tushi. Ja se si është shprehur ai gjatë kësaj interviste.

– Cili është komenti juaj në lidhje me ngjarjet që kanë ndodhur së fundmi?

Unë besoj se ngjarja që ka ndodhur me pedofilin është një ngjarje tronditëse, që realisht, ka prekur gjithë opinionin publik dhe praktikisht është bërë një temë kryesore në këtë opinion. Më vjen mirë që i gjithë opinioni i shoqërisë shqiptare, opinioni publik, opinioni politik, mediatik dhe social është sensibilizuar jashtë mase me këtë akt makabër dhe me këtë precedent të rrezikshëm të shoqërisë tonë. Kjo ndihet në tonet e këtij reagimi në qëndrimet që mbajnë, në kërkesat që kanë për të radikalizuar qëndrimin ndaj një fenomeni të tillë, kaq të shëmtuar, siç ishte akti i pedofilit, Ardian Prrenjasi.

Besoj se përveç hidhërimit të madh që kemi ndjerë, dëmit shumë të madh që ka pësuar familja e djalit. Unë mendoj që ky rast duhet të shërbejë si një precedent social për të reaguar, në mënyrë publike dhe për të bërë atë që duhet në mënyrë që të merremi jo vetëm me dënimin e këtij akti barbar, por njëkohësisht, të shikojmë edhe cilat janë shkaqet e shfaqjes së një fenomeni të tillë. Është koha për të menduar se “çfarë duhet të bëjmë për të parandaluar fenomene të tilla, çfarë duhet të bëjmë me shoqërinë për të rregulluar mekanizmat socialë që po deformohen në shoqërinë e sotme shqiptare”. Unë besoj që kohët e fundit kanë filluar të jenë prezentë disa shqetësime që kanë të bëjnë me morfologjinë e seksualitetit në shoqërinë shqiptare. Realisht, në emër të lirisë, të së drejtës së njeriut për të bërë çfarë dëshiron, duket se ka teprime të tilla që janë antihumane dhe janë veprime gati kafshërore.

Lexo po ashtu:  Prindërimi, si t’i edukoni sa më mirë fëmijët tuaj

– Po, në fakt, çfarë duhet bërë për të parandaluar këtë fenomen?

Fakti që ne në shoqërinë tonë, herë pas here kemi pasur precedentë të pedofilisë dhe të incesteve, në marrëdhënieve seksuale me fëmijë brenda familjes ose brenda lidhjeve të gjakut, kjo tregon se diçka serioze ndodh dhe duhet të përbëjë një shqetësim të madh social për të gjithë shoqërinë. Unë mendoj që kur ndodhemi përballë një fenomeni të tillë siç ishte rasti i pedofilit kriminel, nuk mjafton t’ia lëmë çështjen vetëm sensibilitetit mediatik që zgjat vetëm disa ditë. Për fat të keq, shoqëria shqiptare ka filluar të ketë një kujtesë të shkurtër dhe ka reagime momentale, madje edhe ato janë instiktive të shfaqura nga ngjarja. Më pas, fenomeni i harresës fillon të ndihet, ose ndodh që të mbahet një qëndrim që “kjo nuk më përket mua ose nuk ka lidhje me mua”. Fenomenet me precedencë sociale janë zile alarmi për shoqërinë.

Në këtë kontekst, do të thosha se rreziku i pedofilisë, i cili po shfaqet nuk është një fenomen i ri, por kohët e fundit ka filluar të shfaqet gjithnjë e më shumë. Kjo do të thotë që ka dy probleme kryesore:

Së pari një problem ka të bëjë me kujdesin që duhet të tregojmë ndaj fëmijëve dhe e dyta ka të bëjë me problemin e masave që duhet të marrim për të frenuar këto mostra si këto qenie të shprishura moralisht. Normalisht, kujdesi ndaj fëmijës në kohët e sotme është ndryshe, sepse koha ka ndryshuar, po kështu ka ndryshuar edhe tipologjia e fëmijëve tanë. Ne jetojmë në kohë të reja ku shumë probleme dhe fenomene kanë një tjetër morfologji, kanë një tjetër mënyrë shfaqjeje dhe një tjetër mënyrë realizimi. Fëmijët e sotëm nuk janë më fëmijët e djeshëm. Nuk janë më fëmijët e paditur, por janë fëmijët që kanë shumë njohuri, janë fëmijët që kanë një zhvillim shumë të madh fizik dhe hormonal. Kanë një raport të ndryshëm midis zhvillimeve të tyre fizike, intelektuale dhe hormonale. Ne jemi të ndërgjegjshëm që tek fëmijët e sotëm është shfaqur niveli i pjekurisë seksuale të parakohshme. Gjithashtu, jemi të shqetësuar për faktin se aktiviteti seksual tek fëmijëve ka prirjen të ulet nga pikëpamja moshore. Të gjitha këto nuk janë fenomene që duhen kuptuar vetëm në aspektin biologjik.

– Zoti Tushi, a mund të na thoni se çfarë duhet bërë për të mbrojtur fëmijët nga fenomeni i pedofilisë?

Aspekti biologjik i strukturës së fëmijëve të sotëm duhet të na bëjë të mendojmë përtej saj, d.m.th. si mund të ndikojmë ne që këta fëmijë këtë raport të ri që kanë midis mishit, mendjes dhe shpirtit, këtë ekuacion të ri të ndryshuar, të transformuar të modernitetit të mund t’i ndihmojë që të vetëdisiplinohet brenda qenies së tij. D.m.th. që fëmijët e sotëm të kuptojnë që trupi i tyre, dëshirat e tyre nuk janë thjeshtë në funksion të realizimit të tyre të jenë në çdo kohë në çdo mënyrë, me çdo mjet dhe në çdo rast. Sepse në qoftë se nuk do tregohemi të kujdesshëm dhe nuk do t’u mësojmë fëmijëve rreziqet që ju vijnë nga brenda, nga vetja dhe që i kërcënojnë nga jashtë, atëherë do të thotë qe ne i kemi lënë pa mbrojtur. Pra, në këtë kontekst, së pari, për të shmangur dhe për t’i mbrojtur fëmijët nga rreziqet e pedofilisë dhe rreziqet e tjera të seksualitetit të tyre është e nevojshme që ata t’i bëjmë të ndërgjegjshëm. Ka ardhur koha që të komunikojmë më fort me fëmijët, “t’i largojmë pak skrupujt që është shpejt apo është vonë për të biseduar me ta”, sepse në qoftë se nuk bisedon prindi, mësuesi, edukatori, atëherë do të thotë që zhvillimet e seksualitetit të tyre do t’i lihen spontanitetit. Fëmijët do të jenë të çoroditur nga presioni që u bën mishi, nga dëshirat që kanë vetë dhe nga rreziqet që vijnë nga jashtë. Kështu pra krijohet një situatë që rreziqet e brendshme bashkë me rreziqet e jashtme do të sjellin si pasojë që fëmijët të viktimizohen, pra të bëhen viktima të pedofilëve apo edhe të rreziqeve të tjera që i kërcënojnë ata.

Lexo po ashtu:  Gjyshi plak dhe nipi

Së dyti, besoj që fëmijët e sotëm në Shqipëri janë nën peshën e një bombardimi të fortë mediatik me problemet e seksualitetit. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm, prindërit duhet të jenë të ndërgjegjshëm, edukatorët dhe shoqëria po kështu. Mjetet e sotme të informacionit dhe edukimit, rrjetet sociale, interneti janë shndërruar në instrumente në funksion të dëshirave të seksualitetit të fëmijëve. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që propaganda që bëhet në rrjetet sociale, lidhjet që ata krijojnë shtojnë rreziqet. Një nga mënyrat, me të cilat pedofilët lidhen me fëmijët dhe krijojnë ura lidhëse me ta janë rrjetet sociale dhe komunikimi nëpërmjet internetit. Rrjetet sociale janë rrjete që ne nuk i mbyllim dhe nuk i kontrollojmë dot, por prindërit, në këtë rast, duhet të luajnë një rol shumë të madh sepse këto lidhjet anonime i bëjnë lidhjet shumë të rrezikshme. Në një farë mënyre, grackat e pedofilëve janë bërë të sofistikuara. Pedofilët e sotëm nuk janë këta manjakët e thjeshtë, por janë ata persona si rasti i fundit kriminal. Ne duhet të mendojmë se mund të ketë raste më të sofistikuara, prandaj duhet të mendojmë se çfarë duhet të bëjnë me fëmijët tanë kur bien në sofistikimet e pedofilëve, të cilët i fillojnë lidhjet në mënyrë elektronike, më pas në mënyrë virtuale dhe më pas i bëjnë në mënyrë reale. Prandaj fëmijët nuk janë në gjendje të kuptojnë rreziqet që iu vijnë nga joshjet. Joshjet mund të jenë të karaktereve të ndryshme, mund të jenë duke i prekur në sensibilitetet erotike fëminore, mund të jenë nëpërmjet premtimeve materiale të ndryshme. Njëkohësisht, një problem tjetër është edhe përkëdhelia e tepruar që tregon familja ndaj tyre. Për fat të keq, familja shqiptare ka filluar të tregojë një bujari shumë të madhe, duke i plotësuar të gjitha dëshirat fëmijëve dhe ky është një tjetër rrezik që i çon ata drejt këtyre gjërave, sepse, me sa duket, fëmijët sa më shumë kanë, aq më shumë duan dhe sa më shumë u jep, aq më shumë ata konsumojnë.

Lexo po ashtu:  4 periudhat e jetës që nënat dhe vajzat duhet t’ikalojnë bashkë, për të gjetur Harmoni

Kjo tentativë e fëmijëve për të pasur gjithçka dhe për të konsumuar çdo gjë është një gracë që mund ta shfrytëzojnë pedofilët të cilët kanë mundësi t’i joshin me para, me dhurata dhe gjëra të tjera për ti futur në gracën e abuzimit seksual. Një element tjetër i rëndësishëm, i cili përbën një shqetësim social është që realisht fëmijët bombardohen nga televizioni i cili është bërë një instrument shumë i madh i seksualitetit. Televizionet tona po punojnë jashtë çdo lloj kodi etik, pasi filmat me skena të hapura të seksualitetit nisin që në orët e para të mëngjesit dhe deri në darkë vonë. Natyrisht, fëmijët kanë filluar të bombardohen nga këto sekuenca filmike, të cilët i nxitin dhe i prekin në këto elemente ku gjenerojnë dëshirat e tyre që lidhen me seksin. Natyrisht, ngacmimi i fëmijëve në këto komponentë delikatë të tyre i bën me të prirur që t’i afrohen këtyre rreziqeve, jo vetëm të seksualitetit moshor, por dhe lidhjeve incestuale apo pedofilike.

Pra, ka ardhur koha që mos të themi vetëm çfarë bën ligji. Kjo, pasi e kam vënë re me shumë shqetësim që këto ditë të gjithë diskutojnë vetëm çështjen e ligjit dhe qëndrimi radikal që duhet mbajtur nga pedofilit në fjalë. Unë mendoj se një shoqëri e shëndoshë duhet të mendojë jo vetëm për shkaktarët, por në fillim duhet të mendojë për shkaqet.

– Çfarë duhet të bëjnë institucionet shtetërore për mbrojtjen e fëmijëve?

Unë mendoj që problemin duhet ta shohim pak më gjerë. Jam dakord që shteti duhet të bëjë gjithçka për t’i mbrojtur fëmijët nga rreziqet e pedofilisë. Por së pari, do të doja të përmendja institucionet e para që kanë në dorë fatin e fëmijëve. Kështu, institucioni i parë është familja, e cila kultivon tek fëmijët ndjenjën e kujdesit, ndjenjën e vigjilencës, vetëvlerësimin dhe rreziqeve që i kanosen. Shkollë më të mirë sesa familja nuk di që të ketë. Së dyti, institucioni tjetër i rëndësishëm është shkolla, sidomos ato të arsimit 9-vjeçar. Kjo për arsye se rreziku më i madh për pedofili është për minorenët, pasi të rinjtë dhe adoleshentët janë më pak të rrezikuar nga ky fenomen. Shkolla duhet të flasë hapur për rreziqet që i kanosin fëmijët dhe në lëndët e edukimit që nxënësit trajtojnë duhen marrë parasysh. Po ashtu, dhe media ka një vend specifik të saj. Shteti, pa dyshim, që jo vetëm autoriteti më i madh ligjor që mbron qytetarët e tij, por është dhe një autoritet i madh moral, i cili ndikon në rikonceptimin e rreziqeve që janë për këto mosha. Unë besojë se ka për të bërë më shumë në forcimin e masave penale, investigimin e drejtpërdrejtë dhe tërthortë të maniakëve të seksit, të cilët në shumë raste është e vështirë ti dallosh, pasi veprimtaria e tyre është e fshehtë, janë çështje që duhet të ndikojnë. Duhet thënë se masat penale janë shumë të rrepta, duke përjashtuar mungesën e dënimit kapital, që nuk ekziston.

Përgatitën: Edlira Mema dhe Osman Dedja

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *