Marrëdhëniet në çift janë mishërim i pasigurisë. Nëse takojmë dikë që nuk e kemi parë prej muajsh, hezitojmë t’i themi: Të fala Frankos!

E mira është që nëpërmjet pyetjeve me takt të marrim vesh nëse marrëdhënia me Frankon vazhdon ende, që Franko nuk është zëvendësuar nga ndonjë Xhani apo Xhorxhio.

Të gjitha marrëdhëniet, edhe ato më të gjatat apo në dukje më të fortat, mund të përfundojnë papritur dhe askush nuk ka një formulë për të siguruar përjetësinë e martesës.

Por një mikja ime e vjetër, e martuar me një burrë të mirë për fiks 48 vjet, thotë se në fakt ka një formulë: dashuria për njëri-tjetrin. Duket klishe, apo jo? Problemi, sipas saj, është që dashuria në çift për një kohë shumë të gjatë është… e lodhshme.

Së pari, duhet që gjithmonë të jeni tërheqës për njëri-tjetrin, kudo, edhe në shtrat, edhe pse ai pasioni i flaktë i fillimit nuk është më.

Së dyti, përveçse të duhet të vlerësoni virtytet e partnerit, duhet të pranoni edhe të metat e tij, edhe ato që në fillimet e lidhjes me mund të madh u përpoq t’i fshinte.

Lexo po ashtu:  Babai, i biri dhe 37 gozhdat

Së treti, duhet ta shfaqni gjithmonë respektin për të, edhe kur jeni të bindura se ai nuk e meriton respektin tuaj, edhe kur nën zë e quani idiot.

Së katërti, duhet të ktheni kokën nga ana tjetër kur me raste besnikëria juaj shpërblehet me tradhti.

Së pesti, duhet t’i rezistoni dëshirës së herëpashershme për të shkatërruar gjithçka dhe për t’u larguar, duhet të bindni veten se fëmijët kanë nevojë për baba edhe kur ai nuk e meriton; se të plakesh vetëm është shumë më keq se të plakeni bashkë dhe se të rritesh do të thotë ta pranosh jetën ashtu siç është.

Dhe e fundit, duhet të besoni se të dashurosh, të dashurosh me këmbë në tokë, jo me kokën në ajër si në adoleshencë – është sakrificë e përhershme, një punë praktike e përditshme.

– Prandaj martesa juaj ka zgjatur gati 50 vjet? – e pyeta miken time.

– Ç’do të thuash? – m’u përgjigj si e bezdisur. – Ne kemi qenë me fat, kemi një lidhje të fortë dhe e duam shumë njëri-tjetrin. Ka çifte që janë të lumtur dhe të qëndrueshëm dhe ne hyjmë në këtë kategori.

Lexo po ashtu:  10 Gjërat që Paratë Nuk Mund t’i Blejnë

Nuk e diskutuam më. Nisëm sërish duke folur për çiftet dhe tradhtitë, për të tjerët. Njerëzit e bëjnë gjithmonë këtë, edhe kur flasin për tragjedi të rënda.

Ajo buzëqeshja e lehtë është gjithmonë e dobishme, është shpëtim kur për disa sekonda, nga historitë e të tjerëve na vjen ndër mend një pjesë e dhimbshme e jetës sonë./Përktheu: Elona Qose /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *