Në studion e emisionit “Top Talk” të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar me anë të një lidhje “Skype” analisti Frrok Çupi.
Gjatë fjalës së tij analisti tha se roli i opozitës në këto kohë ku mbarë vendi është “mbërthyer” nga virusi korona është që të kërkojë tek pjesëtarët e saj dhe tek qeveria aktuale, të gjithë pasurinë e vjedhur për këto 30 vite, duke filluar që nga floriri dhe përfunduar tek pallatet e vilat.
Ai tha se është momenti, që të gjitha këto para të “vilen” dhe nënkuptoi që të vendosen në ndihmë të situatës.
I pyetur nga gazetari Dyrnjaja, se e gjitha kjo gjë është shumë idealiste, pra që dikush të dorëzojë pasurinë? Çupi u shpreh se nuk është idealiste, por është një “Spartë”, ka ardhur koha që të bëhemi si “Sparta”, e mijëvjeçarëve më parë që mundi Athinën. Gjithashtu ai shtoi se është momenti që i gjithë vendi të bëhet bashkë, i varfër apo i pasur qoftë, intelektual apo qytetar i thjeshtë, vetëm kështu, thotë Çupi, mund t’i bëjmë ballë kësaj të keqe që na kanoset.
Denis Dyrnjaja: Ju këtu jeni në fazën e solidaritetit njerëzor që shqiptarëve nuk i mungojnë kurrë, qoftë edhe sikur të kenë pak thërrmija buke në shtëpinë e tyre, do t’i ndajnë. Çështja është se çfarë bën shteti për ta. Në qoftë se njerëzit kontribuojnë gjatë gjithë kohës me sigurime, me gjithçka tjetër, me detyrime ndaj shtetit dhe shteti në një moment kritik ka detyrë që të mbrojë njerëzit e tij. Ky është rasti që duhet treguar kjo gjë apo jo?
Frrok Çupi: Padyshim nuk duhet lënë asgjë pa bërë, madje nëse do të pushojë sadopak situata e sëmundjes, unë do të doja të isha pak më radikal sesa opozita dhe opozita nuk po e thotë këtë gjë. Opozita duhet të kërkojë tek të vetët dhe tek qeveritarët aktualë, që të nxjerrin pasurinë e vjedhur. Kanë vjedhur pasuri prej 30 vjetësh. Kjo pasuri duhet të dalë, të vendoset në tavolinë, që nga floriri deri tek paratë e vjedhura kudo që janë. Askush nuk po dorëzon asnjë pallat të ndërtuar, asnjë vilë, asnjë gjë. Kjo pasuri duhet të thërritet, prandaj po lëshon rendi botëror. Rendi botëror kërkon që duhet të rikthehet pasuria.
Denis Dyrnjaja: Është shumë idealiste të pretendosh që dikush të dorëzojë pasurinë.
Frrok Çupi: Jo me ideal. Është fjala për një Spartë. Edhe Sparta kundër Athinës për shkak të virusit fitoi, sepse ra Athina. Domethënë është fjala për një shtet Sparte, për një shtet të fuqishëm ku të bëhen bashkë, jo vetëm opozita me mazhorancën, por çdo polic me shkollarin, çdo intelektual me punëtorin, çdo njeri me njeriun. Dhe të kthehen sepse të gjithë e dinë se ku është pasuria e vjedhur prej 30 vjetësh. Duhet të kthehet, ose të kthehet tani ose të mos të kthehet kurrë.