Mijëra njerëz në Britani të Madhe janë shprehur të gatshëm të dhurojnë qeliza për shërimin e një djaloshi 5-vjeçar, i cili po vuan nga kanceri.
Nevoja e djaloshit Oscar Saxelby-Lee për shërim i mblodhi 4855 njerëz, të cilët pritnin në radhë dhe në mot me shi gjatë fundjavës për të bërë teste mjekësore dhe për të parë se a kanë qeliza të përshtatshme për shërimin e sëmundjes së vogëlushit.
Mjekët thonë se ky fëmijë i ka vetëm tre muaj afat për ta gjetur dhuruesin e duhur nga i cili mund të merren qelizat e gjakut për ta trajtuar sëmunden e leukemisë akute limfoblastike, nga e cila vuan djaloshi.
Ai i është nënshtruar trajtimit me kemoterapi që nga koha kur ishte diagnostifikuar në dhjetor të vitit të kaluar, por për ta shëruar sëmundjen nevojitet edhe një trajtim tjetër më i rëndë.
Familja e tij po lufton me kohën për ta gjetur sa më shpejt një dhurues të përshtatshëm për djalin e tyre. Ata thonë se gjasat që vogëlushi të mbijetojë do të zvogëlohen tepër në rast se nuk gjendet dhuruesi i duhur brenda tre muajve të ardhshëm.
Leukemia akute limfoblastike, e cila njihet ndryshe si “kanceri i gjakut”, është sëmundje e rrallë. Vetëm 650 njerëz në vit preken nga kjo sëmundje në Britani të Madhe, ndërsa gjysma e tyre janë fëmijë.
/MekuliPress.com/
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress