Gazetari gjerman Michael Martens në një shkrim në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung me titull “Rusia jashtë, Kosova brenda?”, ka raportuar se Kosova së shpejti mund të jetë anëtari më i ri i Këshillit të Evropës.

Martens në shkrimin e tij më tej thekson se Qeveria e Kosovës po planifikon të aplikojë për anëtarësim në KiE pas zgjedhjeve në Francë, ndërsa kjo pastaj mund të çojë në pranimin e Kosovës në vitin 2023.

Gazetari gjerman në një analizë për FAZ thekson se një fushatë e suksesshme e Beogradit kundër përfshirjes së Kosovës në Këshill të Evropës është më pak premtuese, ndryshe nga Kombet e Bashkuara, ku Rusia, me fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit.

“Këshilli i Evropës mund të ketë së shpejti një anëtar të ri. Sipas informatave të FAZ nga Prishtina, Qeveria e Kosovës po planifikon të aplikojë për anëtarësim pas zgjedhjeve në Francë, ndoshta në maj. Kjo mund të çojë në pranimin e Kosovës në vitin 2023. Perspektivat vlerësohen si të mira në kryeqytetin e Kosovës, sepse përjashtimi i Rusisë, do të thotë se aleati më i rëndësishëm i Serbisë ka dalë nga Këshilli i Evropës”, shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Lexo po ashtu:  Historiku i veçantë i Urës së Mesit në Shkodër, e preferuara e turistëve

Prandaj, një fushatë e suksesshme e Beogradit kundër përfshirjes së Kosovës Këshill të Evropës është më pak premtuese, ndryshe nga Kombet e Bashkuara, ku Rusia, me fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit, po bllokon pranimin e Kosovës, apo rrethanat tjera në BE.

Pas përjashtimit të Rusisë, Këshilli i Evropës ka 46 anëtarë. Nga këto, 34 e njohin pavarësinë e Kosovës, e që është më shumë se ajo që kërkohet, dy të tretat, 31.

“Kosova tani ka një mundësi të madhe për të aplikuar për anëtarësim menjëherë. Rusia dhe aleatët e saj nuk janë më në gjendje ta bllokojnë Kosovën”, është shprehur ish-diplomati Petrit Selimi, ish-ministër i Jashtëm në detyrë i Kosovës.

Ai thekson se aplikimi nuk ka të bëjë vetëm me mundësinë matematikore, por edhe me domosdoshmërinë politike të një hapi të tillë: Argumenti kryesor duhet të jetë nevoja që qytetarët e Kosovës, duke përfshirë edhe pakicat, të gëzojnë qasjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Mbajta e izoluar e Kosovës nuk është në interesin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.

Lexo po ashtu:  Qeni Alabay nderohet me statujën gjigande prej floriri

Ndryshe, Martens dje kishte paralajmëruar se Kosova shumë shpejt do të iniciojë procesin e anëtarësimit të plotë në Këshillit të Evropës.

Ai në një postim në Twitter, duke iu referuar burimeve të tij thoshte se matematikisht dhe politikisht, shanset për sukses konsiderohen të jenë të mira.

“Rusia jashtë, Kosova brenda? Disa burime të besueshme konfirmojnë se Kosova ‘shumë shpejt’ do të iniciojë procesin e anëtarësimit të plotë në Këshillit të Evropës. Matematikisht dhe politikisht, shanset për sukses konsiderohen të jenë të mira…”, kishte shkruar Martens.

Dy javë më parë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani është shprehur optimiste për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës por sipas saj nga aplikimi deri në anëtarësim duhet një periudhë kohore.

“Ne tashmë kemi dakordimin si institucione, dhe unë si drejtuese e Politikës së Jashtme kam kërkuar që sivjet të bëhet aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Jemi në fazën e fundit të përgatitjeve për aplikim, por ta keni parasysh se për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shteteve të ndryshme, iu është dashur kohë e ndryshme për pranim. Dikujt i është dashur 1 vjet e dikujt tjetër 5 vjet për anëtarësim. Ne po punojmë që me partnerët tanë kjo kohë të jetë sa më e shkurt”, ishte shprehur ajo, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu:  Kumbulla e zezë e Veriut, ndër frutat më të kërkuara nga tregu europian

“Siç e dini më shumë se 2/3 e shteteve anëtarë të këshillit të Evropës e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës dhe ne shpresojmë se këto do të votojnë në favorin tonë”, ishte shprehur presidentja.

Ndryshe, më 16 mars Federata Ruse është përjashtuar nga Këshilli i Evropës.

Këshilli është organi më i vjetër politik i Evropës dhe synon të mbështesë të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në të gjithë kontinentin.

Në një deklaratë nga Komiteti i ministrave të Këshillit thuhej se pas një takimi “të jashtëzakonshëm”, anëtarësimi i Rusisë ishte pezulluar.

Procedura për t’i dhënë fund anëtarësimit të Rusisë filloi fillimisht më 25 shkurt – një ditë pasi forcat e presidentit rus, Vladimir Putin pushtuan Ukrainën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *