Që nga momenti që Gert Shehu goditi Sali Berishën mes protestuesve të 6 Dhjetorit, ndaj tij nisi një skanim deri në detaj, për të gjetur se çfarë përfaqëson ky njeri? Ku banon? Cila është e shkuara e tij? Kontaktet që ka dhe puna që bën…

Në lojë janë dy versione; ai i Berishës, që e përshkruan Shehun si një agjent të përdorur nga policia si i infiltruar dhe versioni i dytë sipas të cilit, Gert Shehu është thjesht një i sëmurë mendor, version që e mbron policia, nëna e të arrestuarit dhe psikiatri që e trajtoi.

Debati për epikrizën
Mbi vlefshmërinë e epikrizës shëndetësore të Gert Shehut janë ngritur dy versionet e historisë së goditjes së Berishës. Dokumenti doli në media pak minuta pasi Shehu goditi Sali Berishën.

Fakti që u shpërnda aq shpejt në mediat pranë qeverisë ishte provë, sipas Berishës, se ekzistonte një skenar i parapërgatitur nga zyrat e kryeministrisë.

“Fakti që zyra e Fugës shpërndau me urgjencë këtë dokument shëndetësor dëshmon se gjithçka ishte e përgatitur, Fakti se zyra e tij e kishte gati shkresën për t’ia dhënë gazetarëve” u shpreh Berisha në konferencën për mediat.

Sipas Partisë Demokratike, Gert Shehu ishte profili tipik, njeriu i përshtatshëm për t’u përdorur nga policia. I arrestuar në 2015 me një sasi të vogël droge dhe i pajisur me dokumentin mjekësor, që e zhvesh nga ndëshkimi ligjor.

“Përdoret për të shmangur arrestimin në flagrancë kur kapet nga punonjës policie që nuk kanë dijeni se është i infiltruar në grup. Pra, e arrestojnë i nxirret ky lloj vërtetimi dhe e lirojnë” tha Berisha.

Lexo po ashtu:  Norvegjezët i gjuajnë në mbeturina prodhimet ruse

Por nëna e Gert Shehut tha se i biri kishte kohë që kurohej për shëndetin mendor. Në jetën e përditshme sipas saj, ai punonte motorist dhe shpërndante pica. “Absolutisht nuk është përdorur. Problemet e tij ai i ka pasur të ndryshme. Absolutisht nuk kishte ndonjë simpati politike. As për të votuar nuk shkon. Unë nuk e di pse ka shkuar sot në protestë”.

Më të besueshme e bëri dokumentin, psikiatri që e kishte firmosur, Sadik Lala. Duke folur për Euroneës Albania, ai tha se Gert Shehu vuante nga halucinacionet dhe se dokumenti ishte firmosur prej tij.

“Forma më e keqe e halucinacioneve janë halucinacionet dëgjimore urdhëruese, kur personat dëgjojnë zëra që i komandojnë dhe ato kanë frikë nga komandimet, ose ndërpresin komunikimin, ose u binden verbërisht në këto situate” u shpreh psikiatri.

Por për Partinë Demokratike, çështja e dokumentit nuk është kaq e thjeshtë. Sepse në kontradiktë me problemet që i shkakton sëmundja mendore, Gert Shehu kishte rinovuar patentën në shkurt të vitit 2022.

Si shpjegohej që një i sëmurë mendor kualifikohej për rinovim patente ndërkohë që trajtohej me ilaçe? Kush kishte ndërhyrë që t’i bëhej një favor i tillë? Kur ligji e ndalon një person me probleme mendore të përdorë mjetet motorrike, kush kishte dalë garant për rinovimin e patenës?

Sërish këtu, Partia Demokratike shikon përdorimin nga policia.

“Ky i sëmuri kriminal i Edi Ramës, në vitin 2022. Si i sëmurë psikik nuk mund të merrte kurrë patentën. Ky është një akt i përgatitur personalisht nga Edi Rama, Bledi Çuçi dhe natyrisht Ardi Veliu” u shpreh Berisha.

Lexo po ashtu:  Si ja mbylli telefonin rusi Macronit/ Publikohet biseda e tensionuar mes Putin dhe Macron 4 ditë para luftës!

Sjellja e Gert Shehut
Në media u publikuan pamjet e Gert Shehut para nisjes së protestës së PD-së dhe ai duket teksa del nga xhamia tek Ura e Tabakëve. Shehu duket që ecën normalisht mes njerëzve dhe drejtohet nga selia e PD-së.

Pak sekonda para se Berisha të goditej, Shehu u filmua duke qëndruar me duart e vendosura në pozicion dyluftimi në rreshtin e parë të protestuesve. Një person tjetër i qëndron afër dhe tenton ta ndalojë, por Shehu përfiton nga hapësira e krijuar nga kameramanët e televizioneve dhe i del përballë Berishës duke e goditur me grusht. Reagimi i truprojave dhe i njerëzve që mbrojnë Berishën nuk arrin të parandalojë grushtimin e kreut të PD-së. Pas goditjes ai neutralizohet dhe dërgohet në selinë e PD-së. Mes atyre që e shoqërojnë dallohet ish-polici Erzen Breçani.

Në konferencë për mediat, Berisha tha se Gert Shehu ishte shprehur se kishte marrë “porosi nga një vëlla musliman”. Sipas Erzen Breçanit, kur e kishin marrë në pyetje në selinë e PD-së, ai përsëriste të njëjtat fjalë “bëra atë që duhej bërë”.

“Shumë normal dukej. Unë kam kaluar lloj lloj krimineli dhe psikopati, por nuk m’u duk i çmendur me thënë të drejtën” u shpreh Breçani natën e kaluar në Opinion. Edhe adresën e banimit, Gert Shehu e kishte dhënë në mënyrë të saktë, kur e morën në pyetje. Nuk kishte thënë asnjë fjalë përçar, sipas Breçanit.

Por çfarë i shton dyshimet në lidhje me parapërgatitjen e goditjes ishte fakti se Gert Shehu nuk kishte as dokument identifikimi dhe as cellular me vete. Nëse do të kishte pasur celular, do të ishin zbuluar menjëherë kontaktet e tij të fundit në 6 Dhjetor.

Lexo po ashtu:  Ne e dijmë, se, një ditë popujt do të na kuptojnë, perandor, kryegjyqtar, krejt do të na gllabërojnë.

Reagimi i policisë
Policia arrestoi Gert Shehun këtë të mërkurë, ndërsa ai qëndron në Spitalin e Traumës. Prokuroria pritet të kërkojë ekspertim psikologjik për të, ndërsa më herët, drejtori i policisë Muhamet Rrumbullaku tha se Gert Shehu kishte “precedentë të mëparshëm kriminal, për plagosje, prishje të qetësisë publike dhe në fushën e narkotikëve”.

Por Rrumbullaku iu referua familjarëve për diagnozën klinike të 31 vjeçarit, kur tha se ai “vuan nga çrregullime psikotike dhe trajtohej prej vitesh”.

Propaganda para incidentit
Vendimi i Partisë Demokratike për të protestuar në datën 6 Dhjetor shkaktoi pakënaqësi tek mazhoranca, pasi në të njëjtën ditë në Tiranë erdhën liderët e Bashkimit Europian. Arsyeja kryesore e propagandës qeveritare, se pse nuk duhej të mbahej protesta e opozitës ishte çështja e sigurisë.

Nga studio të ndryshme deputetë socialistë dhe gazetarë pranë qeverisë ngritën opsionin se “një person i papërgjegjshëm mund të shkaktonte incidente” në një ditë të rëndësishme si kjo për Shqipërinë.

Pikërisht për paralajmërimet e këtij lloji nga njerëz pranë qeverisë, shfaqja e Gert Shehut dhe grushti i tij ndaj Sali Berishës, mban ende sot gjallë dyshimet, nëse ai ishte thjesht një i sëmurë mendor apo një person i përgatitur dhe i infiltruar për të shkaktuar incidente me pasoja të paparashikuara./Lapsi.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *