Mentor Kika

Sot kombi ynë ka një ditë të shënuar, Ditën e Pavarësisë. Qytetet janë dekoruar në mënyrë festive Kuq e Zi, dhe po kështu rrjetit gëlon nga postimet e urimeve me simbolet e kombit.

Përtej festës dhe urimeve, unë mendoj se kjo ditë duhet të jetë edhe një ditë reflektimi, për të parë dhe kuptuar më mirë raportin tonë me Atdheun.

Unë gjithmonë kam qenë kundër atij patriotizmit histerik, me britma e flamuj që pasi mbaron festa përfundojnë nëpër kanale.

Kam qenë kundër patriotizmit foklorik(ata që bëjnë harta etnike deri në Kaukaz, apo që bëjnë pellazgë gjysmën e udhëheqësve të botës) dhe mbi të gjitha, kundër patriotëve që gjejnë tek flamuri bezen për tu fshehur pasi i kanë bërë Atdheut një mijë të zeza.

Ndaj dita e sotme është edhe dita kur ne duhet të kuptojmë dhe të ndajmë patriotizmin nga sharlatanizmi. Patriot nuk bëhesh doemos nëse tund flamujt, bën shqiponjën me duar dhe bërtet për Atdheun, apo këndon këngë për Adem Jasharin e heronjtë e tjerë.

Lexo po ashtu:  Çka po fshehë arkeologjia serbe në Sanxhak?!

Do të doja që patriotizmit ti jepnim një tjetër kuptim, vlerë dhe dimension.

Në këtë kohë, kur nuk na duhet të përdorim pushkën, e cila dallon edhe trimin nga frikacaku, patriotin nga sharlatani e dallon sjellja dhe ndershmeria ndaj Atdheut.

Dhe unë patriot do të quaja sot atë që punon me ndershmëri, atë që i shërben familjes së tij dhe përmes saj vendit të tij.

Atë që nuk shkatërron, nuk vjedh, nuk bën demë ndaj gjithëckaje që përben atë që quhet Atdhe.

Atë që, në kohën kur Atdheu ka nevoje, nuk i kthen krahët por lufton, përpiqet, punon për ta bërë më të mirë.

Ndaj sot unë dua të uroj të gjithë ata që janë patriotët e vërtetë!

Gëzuar Kombit Shqiptar!