Pas takimit të tyre në New York në fundin e muajit të kaluar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e priti tashmë në Prishtinë Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.

Kurti shprehu vlerësimin e lartë për marrëdhëniet e fuqishme bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kontributit të tyre në çlirimin, pavarësimin dhe zhvillimin e shtetit tonë.

Sipas njoftimit nga Kryeministria, gjatë takimit me Kasanof Kurti tha se “me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajmë vlera dhe qëllime të përbashkëta, si miq, aleatë e partnerë, e cila reflektohet edhe nga dëshira e perceptimi edhe i vetë qytetarëve të vendit tonë”.

Kryeministri falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, energjisë, sigurisë e më gjerë. Theksoi edhe progresin demokratik, ekonomik e shoqëror që ka njohur vendi ynë përgjatë këtij mandati qeverisës, me ç’rast veçoi edhe rëndësinë e sigurisë dhe të sundimit të ligjit.

Kurti theksoi edhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal në pritje edhe të samitit të Procesit të Berlinit të hënën e ardhshme, ku trajtoi nevojën e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila i kontribuon qytetarëve të dy vendeve.

Lexo po ashtu:  “Bëhet i gjallë” ministri rus i Mbrojtjes, shfaqet në publik për herë të parë pas disa ditësh mungesë

Duke folur për marrëdhëniet bilaterale, kryeministri Kurti trajtoi mundësitë e bashkëpunimit edhe me emisarin e ri Alexander Kasanof si dhe partnerët tanë evropianë pas zgjedhjeve të mbajtura dhe komisionerëve të rinj.

Ai shtoi dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe bashkëpunimin e dyanshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim.

Përgjatë takimit u trajtua dhe dialogu me Serbinë, ku kryeministri shprehu konstruktivitetin e Kosovës në proces dhe nevojën për zbatimin e plotë dhe sa më parë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit.

Në këtë takim, Kasanof shoqërohej nga ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, kurse kryeministri Kurti shoqërohej dhe nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, thuhet në njoftim.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.

“Në takimin me Kasanof, presidentja Osmani diskutoi edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, siç është fusha e mbrojtjes dhe sigurisë”, tha zyra e Osmanit në një njoftim për media.

Lexo po ashtu:  KMDLNj kundërshton ndalimin e mundshëm të kandidimit të Kurtit dhe të tjerëve në zgjedhje

Kasanof po e viziton Kosovën për herë të parë si i dërguar amerikan për Ballkanin Perëndimor – pasi e pasoi Gabriel Escobarin – ku pritet të zhvillojë konsultime të rregullta me Kurtin dhe me zyrtarë të Qeverisë, liderë të opozitës, shoqërinë civile dhe bizneset.