Prof. Dr. Irakli Koçollari

1919 – SHQIPËRIA E KËRCËNUAR PËR COPËTIM DHE ZHBËRJE

Pikërisht, në vitin 1919, kur fatet e Shqipërisë kërcënoheshin në mënyrë serioze dhe territoret e saj copëtoheshin si pjesët e një prehu të majmë për të plotësuar orekset shoviniste të fqinjëve, dy ngjarje të rëndësishme priteshin me ankth dhe me shpresë prej shqiptarëve për fatin e ditëve dhe të ardhmes së tyre.

Ngjarja e parë ndodhte aty, nën qiejt e ngarkuar të jugut të Shqipërisë, ndërsa forca vullnetarësh nga të katër anët e vendit niseshin drejt Vlorës për t’u përballur me pushtuesit italianë, nën ritmin e këngës:

“Vlora, Vlora….Vlora, Vlora

Rroki armët bëja fora”

Ndërsa skena e dytë zhvillohej në qendër të Europës, në Paris, atje ku mbaheshin seancat e Konferencës së Paqes, në Lidhjen e Kombeve dhe përplaseshin pretendimet më cinike ekspansioniste të qeverive greke, serbe dhe italiane për copëtimin e trojeve të Shqipërisë, të këtij vendi pa mbështetje dhe fuqi shtetërore, të varfër dhe të kërcënuar nga të katër anët. “E mjera Shqipëri!… Ah, sa pak miq dhe sa shumë armiq!!!…”, do të shkruante në botimin e saj të titulluar “Paris 1919 – Gjashtë muaj që ndryshuan Botën”, historiania britanike Margaret McMillan.

Atje, në Paris, Shqipëria do të kishte edhe një mik të papërsëritshëm në histori! Do të kishte zërin e Presidentit amerikan, Uillson, që do të ndalonte duart e përgjakura të ekspansionit kundër coptimit të Shqipërisë.

Por, ai Woodrow Willson nuk do të ishte i vetmi në radhën e miqve të Shqipërisë. Diku, larg në Amerikë, do të ngriheshin zëra të tjerë, të kurajës njerëzore, në mbështetje të këtij populli martir. Mes tyre do të rreshtohej analisti politik dhe këshilltari i Presidentit amerikan Isaiah Boëman, Ambasadori, Xhorxh Williams, i cili protestoi si askush për masakrat dhe padrejtësitë që kryheshin kundër këtij populli, duke sakrifikuar edhe karrierën e tij si diplomat në shenjë proteste ndaj qëndrimeve indiferente të Europës.

NJË ZË I PANJOHUR NGA AMERIKA I JEP KURAJË DHE SHPRESË SHQIPËRISË

Pikërisht, në ato kohë dhe çaste gravitacionale, kur fatet e një kombi ishte e vështirë të besohej se do të riktheheshin në agimet e mbijetesës, kur shpresat rrekeshin të shuheshin, kur kurajua kërkonte më shumëse fuqi humane, një zë i panjohur do të ngrihej të merrte në mbrojtje këtë popull të vogël, të kërcënuar nga të katër anët dhe të pashpresë.

Ishte një ushtarak, një gjeneral amerikan që do të deklaronte qëndrimin e tij në mbështtje të popullit shqiptar dhe protestonte kundër politikave europiane për copëtimin e Shqipërisë.

Ai e ngriti zërin pikërisht atëhere kur Presidenti amrikan pritej që në një prej seancave të Konferencës së Paqes të merrte në mbrojtje Shqipërinë. Ai do ta thoshte fjalën e tij, përpara çasteve qe Presidenti të ngjitej në atë tribunë. Këtë messazh që rrokte brenda rreshtave protestën dhe mbështetjen e tij për shqiptarët, si rrallë kush e kishte bërë gjer atëhere, ai e botoi në një prej revistave më të rëndësishme amerikane të kohës “The Geographical Revieë”. Ajo ishtë një revistë e “American Geographical Society”, një institucion ku politika amerikane referohej për të ndërtuar politikën e saj të jashtme.

Ai shkrim ishte një analizë e vërtetë shkencore, një prospekt kronologjik i rrugës së shqiptarëve, një biografi historike nga ilirët dhe epirotët gjer tek shqiptarët e rilindjes, një evidencë e pasurive shpirtërore të popullit shqiptar dhe pasurive natyrore të tokës shqiptare, “një Zvicër me e bukur se Zvicra…” Ai ishte një shkrim që përcillte mesazhet e shpresës dhe ndizte dritat e besimit për të ardhmen e këtij populli…

Lexo po ashtu:  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

GJENERAL BRIGADE, XHORXH SCRIVEN

Ai quhej George Scriven! Ishte Gjeneral Brigade i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lindi në Filadelfia të Pensilvanisë, në shkurt të vitit 1854 dhe vdiq në mars të vitit 1940. Fillimisht ndoqi studimet e larta në Universitetin e Çikagos dhe mandej vazhdoi ato edhe në Institutin Politeknik Renselaer. Pas përfundimit të tyre u regjistrua dhe përfundoi studimet në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë gjithë jetës qëndroi i mobilizuar si një oficer karriere dhe arriti hap pas hapi funksionet më të larta në hierarkinë e ushtrisë amerikane. Nga viti 1913 gjer në vitet 1917 mori prej Presidentit Amerikan gradën e “Gjeneralit të Brigadës” dhe bashkë me të edhe funksionin më të lartë të Shefit Ushtarak të Sinjaleve, Komandant i Divizionit të Aeronautikës, pararendëse e “Unitet States Air Forces”. Në këtë funksion të lartë ushtarak u dekorua nga Presidenti amerikan me motivacionin “… për një karrierë dhe aktivitet të shkëlqyer, duke shërbyer në të njëjtën kohë në tre armët e ushtrisë amerikane, duke dhënë kontributin e tij në të gjitha anët e botës dhe shërbyer në frontet e luftimeve që nga koha e gradimit të tij si ushtarak në Akdademinë Ushtarake…”

Shërbeu si Atashe Ushtarak në Romë, i caktuar nga Sekretari i Shtetit të SHBA për Luftën, në konfliktet e Lindjes së Largët, në frontet e luftës Spanjë-Amerikë, në Kubë, Kinë, Filipine, Turqi, etj.

U caktua në dretimin e një grupi që do të ngrinte më pas strukturat e para të aviacionit (aeronautikën) ushtarak amerikan. Ishte i pari njeri që hodhi idenë e funksioneve dhe misioneve ushtarake që duhet të kishte aviacioni në SHBA. “ … ne duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për të zgjeruar misionin e aviacionit në shërbimin ushtarak, dhe të prefeksionojmë seksionin e aviacionit të Korpusit të Sinjaleve … … aviacioni mund të konsiderohet një lloj sporti nga njerëzit kudo nëAmerikë, por në thelb ai duhet të jetë një armë e një nevoje vitale…. aviacioni nuk duhet të jetë vetëm për të mbledhur informacione por duhet të drejtohet dhe marrë funksionet edhe të një arme sulmuese për të goditur forcat ushtarake dhe materiale të armikut….”

Pikërisht, më 1919, në kohën kur ai mbante funksioniet më të larta ushtarake, atë të Gjeneralit të Brigadës dhe Shef i Departamentit të Sinjaleve në Ushtrinë amerikane, që do të ishte pararendëse e NASA-s, ai botoi pamfletin e tij, në mbështetje të Shqipërisë dhe shqiptarëve të titulluar “Zgjimi i Shqipërisë”. Ky pamflet ndahet në nëntë nënkapituj tematikë, që synojnë të bëjnë të njohur përpara popullit amerikan dhe më gjërë historinë e popullit shqiptar dhe mandej t’u bëjë thirrje fuqive europiane të mbështesin atë në kërkesat dhe ëndrrat e tij për të qënë pjesëtar i familjes europiane dhe i botës moderne, si një e drejtë legjitime e shqiptarëve.

“ZGJIMI I SHQIPËRISË”

PAMFLET NË MBROJTJE TË NJË POPULLI

“Shqipëria, – e fillon Gjenerali Scriven pamfletin e tij, – është një vend i vogël, dhe jo i rëndësishëm në botën e sotme si shtet, por mjaft i rëndësishëm për paqen në famljen e kombeve. Ai është një vend nevojat dhe dëshirat e të cilit shkojnë krah për krah me gjeografinë, historinë dhe etnologjinë e vetë këtij populli, që për shekuj ka qënë jetimi i Europës, si i pa strehë në familjen e kombeve, si era në majat e maleve të saj, një popull pa qeveri, pa lidhje, pothuaj pa miq nga një kohë në tjetrën, por që prej kohëve të lashta që nuk mbahen mënd është mbështetur në mëmëdheun e vet dhe shtëpinë e tij dhe asnjëherë nuk synoi të vinte nën kontroll popujt e tjerë.

Lexo po ashtu:  Dante Aligeri: Poeti që shkroi ferrin dhe ngriti parajsën me vargje

Këta janë Shqiptarët, “Burrat e Maleve të Shqiponjave, prej të cilëve burri i madh i këtij vendi, Ismail beu thotë: “Ata kanë ruajtur me krenari pavarësinë e tyre, që asnjë fuqi nuk mundi t’ua hiqte. Me rënien e Perandorisë Romake ata u rishfaqën në skenat e botës për të provuar se ata ishin të një race që kohët e solidaritetit nuk do ta ndikonin dhe që zakonet e mrekullueshme kombëtare nuk do t’i humbisnin, – sot ata shfaqen si të vetmit që kanë ruajtur në mëyrë spektakolare të pastër karakteristikat e tyre nacionale të pa ndotura përgjatë të gjithë shekujve të pushtimeve nga Romakët, Bizantinët, Normanët, Bullgarët, Serbët, Italianët dhe Turqit.

SHQIPTARËT, VIRTUTET DHE TË METAT, DEFEKTET E TYRE

Pa mëdyshjen me të vogël, shqiptarët janë, me origjinë parahelenikedhe kanë mbetur të papërzier si asnjë tjetër popull që jeton sot në Europë. Ata janë një popull që zotëron në një shkallë të madhe virtytet bazike që shërbejnë si një bazament i fortë për stabilitetin dhe respektin ndaj kombeve të tjera, ashtu sikundër edhe për njeriun e thjeshtë. Mund të thuhet me të drejtë se ata janë kurajozë, të ndershëm dhe besnikë të vendit të tyre, të familjes dhe të të huajve që kanë pranuar t’u hapin portën dhe dhe t’i presin brenda vatrës së tyre, ata nderojnë gratë e tyre dhe familjen e tyre… Edhe vetë vendeta (gjakmarrja) për të cilën ata shpesh akuzohen, ka pjesën e nderit të saj, për të cilën ata luftojnë dhe e deklarojnë haptazi dhe nuk e kryejnë atë me akte tradhtie apo pabesie… Fajet apo defektet e tyre janë se ata janë një popull krenar sepse kanë trashëguar një vend të mrekullueshëm, të gatshëm përherë të përballen ndaj fqinjëve të fuqishëm, kundër të cilëve janë detyruar shpesh të luftojnë për t’u mbrojtur… që nga epokat kur fillon historia…

SHTRIRJA DHE KUFIJTË E SHQIPËRISË

Për popujt e perëndimit Shqipëria është një fjalë, një shprehje gjeografike që tregohet në hartë, një rajon të pa përcaktuar në brigjet lindore të Adriatikut , në veri të Greqisë, në jug të Serbëve , brenda sferës austriake të influencës dhe që shtrihet në thellësinë e kaosit të maleve drejt limiteve heterogjene të Maqedonisë.

Është një vend i rallë, i mbuluar nga kodra, male, lugina, lumenj dhe liqene, i begatë dhe një populli tërë sharm dhe me mënyrën e tij të jetesës, që është folur pak për të gjitha këto sikundër për të njohur bëmat e saj në histori, gjuhën dhe origjinën.

… shqiptaët kanë hedhur tej zgjedhën e pushtimit osman…

Konferenca e Londrës e vitit 1913 i dha Shqipërisë një sipërfaqe të vogël, kur më shumë se një e treta e popullsisë dhe territoreve të saj iu dha Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Por kohët e fundit përpjekje ekstreme janë duke u bërë nga qeveria shqiptare dhe SHBA për të rikthyer territoret e humbura shqiptare dhe besohet që së ashpejti Shqipëria të ketë të paktën një sipërfaqe prej 20 000 km katrorë dhe një popullsi prej 2. 5 milion banorë.

Përpjekjet për të arritur këto kërkesa të arsyeshme janë bërë evidente edhe në një deklaratë zyrtare të përfaqësuesit të Anglisë, drejtuar qeverisë së tij rreth trembëdhjetë vjet më parë, në të cilën theksohej që “distriktet që njihen nga emërtesa gjeografike (Albania), të cilat përfshihen kryesisht në dy vilajete atë të Shkodrës dhe Janinës , dhe …. ku duhet të përfshihen edhe vilajetet e Manastirit dhe të Prishtinës apo Kosovës…

Lexo po ashtu:  KRYEMINISTRI ZAEV, NJË BURRË SHTETI REFORMATOR DHE PAQËSOR, APO VAZHIMËSI E POLITIKËS SË VJETËR!?

Më tej studimi – pamflet i Gjeneralit Scriven vazhdon me nënkapitujt me tituj: – Migrimi i popullsisë, – Mbetjet romake dhe traditat, – Monumente dhe rrënoja, Pasojat e pushtimit turk, – Influenca latine, – Pasojat e luftës (ballkanike), – E ardhmja e shqiptarëve.

Në këtë nënkapitull të fundit, Skriven përfundon:

“Ka ardhur koha që Shqipërisë t’i jepet një qeveri, një vend dhe menjëherë një mandat siç do të ishte e nevojshme. Ajo do të ketë në këtë mënyrë mundësinë të ruajë dhe të zhvillojë karakterin e duhur – për t’u kther kështu një Zvicër e Europës Jugore, madje në disa aspekte vërtet më e bukur se vetë Zvicra, veçmas ajo pjesë e Alpeve të saj të veriut.

Lerini Shqiptarët e Shqipërisë të vendosin vetë për të ardhmen e tyre. Çfardo që mund të kenë qenë ndryshimet e bëra në skajet gjeografike të këtij vendi, nga popujt e tjerë që e rrethonin, përgjatë dymijë vejetëve, shqiptarët kanë mbetur një familje e lidhur me kushtet e pandryshuara që e rrethojnë në kushtet dhe rrethana bindëse të jetës.

Vërtet, që ata nuk janë dhe nuk kanë qënë një familje unike, dhe kanë pasur përherë ngatërresa në çështje të lidershipit, të fesë, dhe të politikës, por kjo përçarje do të kapërcehen me kalimin e kohës dhe në mënyrë të denjë, sikundër i kanë kapërcyer të njëjtat probleme edhe popuj të tjerë malësorë në të tjera vende, të cilët kanë vuajtur në procesin e rritjes dhe të maturimin e tyre nga të njëjtat fenomene, sikundër shqiptarët sot.

Sikundër Zvicra edhe Shqipëria është e dominuar nga këto vlera dhe virtute fondamentale, të cilat me kalimin e kohës, me siguri do t’i japin atyre një vend në familjen e kombeve për përfitimet e mëdha të Europës dhe të botës. I takon Parisit (Konferencës së Paqes) apo pak më vonë Gjenevës, për të përcaktuar se kur do të vijë kjo kohë, por ajo duhet të vijë, nëse Ballkanasit do të duhet të pushojnë (konfliktet).

SCRIVEN SHKROI KUR NE KISHIM NEVOJË!

TANI TË SHKRUAJMË NE PËR TË!

Kështu shkroi për ne ky burrë i vecantë, i kombit të madh amerikan. Ai e hartoi pamfletin e tij në kohën kur vendit tonë, Shqipërisë, i duhej një zë autoritar dhe i denjë, kur populli ynë kish nevojë për pak shpresë dhe mbështetje, tribunat e shtypit dhe medias në Amerikë e më gjerë kishin nevojë për një zë autoritar dhe të denjë. Dhe Scriven e bëri atë me shpirt dhe dinjitet.

Mbas kësaj ai heshti, ose ne të paktën ende nuk kemi gjetur kontributet e tij të mëtejme për vendin tonë.

Shumë të panjohura mbeten përpara nesh për këtë Gjeneral dinjitoz, dashamirës të popullit tonë, të historisë tonë dhe të fatit tonë. Nga dhe si e njohu ky njëri vendin tonë Shqipërinë? Çfarë e shtyu atë të merrej me fatet e një populli fare të vogël dhe pothuaj të panjohur? Ku i gjeti ai burimet e informacionit ? … këto dhe shumë të panjohura të tjera ndoshta do të na duhet t’i hulumtojmë në të ardhmen…

Le të shpresojmë se mes heshtjes së tij të dhimbshme por madhështore, përmes gjestit të një njeriu që bën aktin e dinjitetit të tij dhe largohet pa fjalë, ne të marrim detyrimin pas plot një shekulli heshtjeje, të kërkojmë edhe më tej për këtë njëri që i takon një vend në altarin e nderit të panteonit tonë./gazeta dita/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *