Gjeopolitika dhe riformësimi i rendit botëror: Opozita kosovare dhe “nata e gjerdekut”
Dy regjionet e Europës që do të duhej të ishin përfituese të disfatës ruse në Ukrainë janë: Polonia dhe Ukraina në njërën anë dhe Ballkani Perendimor në anën tjetër.
Në këtë kuadër duhet shikuar dhe analizuar betejën brendaeuropiane që po zhvillohet ndërkohë dhe sidomso qëndrimin e Francës kundruall Kosovës.

Nga Dr Sadri RAMABAJA
Një nga kërkesat që shtrohet shpesh, ndërkohë sa po vazhdon raketimi intenziv i Ukrainës nga Rusia, është edhe ajo që shtetet evropiane do të duhej krahas ndihmës në rritje për mbrojtjen e Ukrainës, të investojnë më shumë në sigurinë e tyre dhe të bashkëpunojnë më ngushtë në lëmin e mbrojtjes. Megjithatë, debatin e vazhdueshëm për vështirësitë e bashkëpunimit evropian, edhe arritjet e pamohushme në këtë plan, lufta në Ukrainë disi i ka davaritur. Evropianizimi i mbrojtjes nuk është lënë anash; ai tashmë është realitet në shumë fusha — këtë mësojmë nga libri i Hans-Peter Bartels “Deutschland und das Europa der Verteidigung“ të publikuar së fundmi.
Por sipas autorit në fjalë, megjithatë, “një ushtri evropiane mund të plotësojë NATO-n — por kurrë nuk e zëvendëson atë”.[1]

Lufta në Ukrianë po i jep të drejtë edhe më shumë këtij konkluzioni racional.

Mrekullitë ekonomike të pasluftës
Janë dy regjione të Europës që do të duhej të ishin përfituese të disfatës ruse në Ukrainë: Polonia dhe Ukraina në njërën anë dhe Ballkani Perendimor në anën tjetër.
Në këtë kuadër duhet shikuar dhe analizuar betejën brendaeuropiane që po zhvillohet ndërkohë dhe sidomso qëndrimin e Francës kundruall Kosovës.

Demokracitë perëndimore duan fitoren e Ukrainës — por a janë të gjithë të lumtur që qendra e gravitetit të Evropës po migron në lindje, pyet media britanike The Guardian në artikullin e saj të djeshëm.

“Nëse rezultati i luftës mund të përcaktohej duke hedhur një monedhë, kampet do të ishin të qarta: demokracitë do të donin që Ukraina të fitonte, autokracitë do të dëshironin që ajo të humbiste. Por rezultatet politike në botën reale nuk janë aq binare. Ata zakonisht shtrihen në një spektër midis shkatërrimit dhe fitores totale. Kjo i lë demokracitë të ndahen në të paktën tre kampe: anglishtfolëse, evropianoperëndimore dhe europianolindore pa Hungarinë. Ajo që Putin e quan “Perëndimi kolektiv” të gjithë duan që Ukraina të fitojë. Por jo domosdoshmërisht në të njëjtën masë”, është paragrafi hyrës nga teksti i një analize të publikuar në një prej mediave me reputacion në Britanin e Madhe, që citohet në një koment të kryeredaktorit të portalit kroat të specializuar për gjeopolitikë [geopolitik news]. [2]

Në po të njejtin koment potencohet gjithashtu se “Polonia dhe Ukraina sot janë shumë më të varfëra se Franca dhe Gjermania”. Si mund të bëhen vërtet një kundërforcë në BE? Ashtu si shumë mrekulli ekonomike të pasluftës — si ato të Koresë së Jugut, Japonisë dhe Gjermanisë Perëndimore — edhe kjo ka të ngjarë të sponsorizohet nga një superfuqi që do të përfitonte shumë nga riformësimi i rendit politik.”[3]
Në këtë rast, është e qartë se fjala është për SHBA-të.

Prandaj në këtë kontekst, pohon analisti britanik, Shtetet e Bashkuara pikërisht për këtë po “pompojnë para dhe teknologji” në Evropën Lindore dhe se Uashingtoni në këmbim kërkon atë që Parisi dhe Berlini nuk mund të japin: “një pozicion të qartë në marrëdhëniet me Kinën”.

Lexo po ashtu:  Gabimi i pafalshëm me pakicat kombëtare

“Lituania ishte e gatshme të rrezikonte marrëdhëniet tregtare me Kinën për të kënaqur Uashingtonin, Ukraina dhe Republika Çeke kaluan në karburantin bërthamor nga Shtetet e Bashkuara. Polonia së fundi nënshkroi një kontratë me një kompani amerikane për të ndërtuar centralin e saj të parë bërthamor”, thuhet ndër të tjera në tekstin e britanikes The Guardian.

Në këtë garë për ripozicionim gjeopolitik Berlini ndërkohë është kujtuar edhe për Ballkanin Perendimor. Procesi i Berlinit dhe tri marrëveshjet që nënshkruan shefat e qeverive e shteteve të gjashtëshes së Europes Juglindore, në mesin e të cilave ishin edhe dy republikat shqiptare, dëshmon për një lloj vetëdijsimi e rishikimi për rolin e Gjermanisë në rajon.

Por, si duket, këtë ngarendje të Berlinit po vazhdojnë ta pengojë aleancat tradicionale të Serbisë me Francën dhe Rusinë dhe interesat gjeopolitike të paakorduara. Shih për këtë, Brukseli, përmes J.Borrelit dhe A.Lajçakut, duke anuar qartë pro Serbisë, vazhdon tutje të tallet me Kosovën. Rrjedhimisht Berlini dhe Parisi, të frustruar me këtë zhvendosje gjeopolitike para syve të tyre, të turbulluar edhe nga ky realitet i hidhur, po aq sa edhe të zhgënjyer nga loja e dyshes diplomatike të Brukselit që përfaqësn BE-në në këtë dialog, ofruan planin e tyre për tejkalimin e krizës së provokuar nga Serbia dhe shmangien e një lufte të re të mundshme.

Evropianët perëndimorë, me theks francezët dhe gjermanët, natyrisht të pakënaqur me zhvendosjen e qendrës së gravitetit gjeopolitik të Evropës në lindje, e me këtë edhe forcimin e ndikimit të SHBA-së në kontinent, po bëjnë përpjekje të sforcuar që të rikthehen më fuqishëm në paqtimin e Europës Juglindore dhe natrshëm të shenjojnë prezencën e tyre.
“Franca dhe Gjermania aktualisht mbështesin një politikë të autonomisë strategjike për Evropën, një ide e mbrojtjes dhe sigurisë që një ditë mund të çojë në krijimin e një ushtrie të BE-së. Rusia kishte synimin për krijimin e një Bashkimi Euroaziatik që do të shtrihej nga Vladivostok në Lisbonë. Ajo që të dyja strategjitë kanë të përbashkët është një neveri ndaj dominimit anglo-sakson në Evropë”, përfundon The Guardian.[4]

Por, realiteti dëshmon se gjakimi i Parisit dhe Berlinit për të krijuar një ushtri të përbashkët, megjithëse është një ëndërr e bukur që po vazhdon të nanurisë dëshirat e boshtit të BE-së tutje (ajo pat filluar menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe personifikohej me personalitetin e De Golit), është vështirë e paramenduar të bëhet realitt në një të ardhme të afërt.
Krejt çka ofron rendi i ri botëror në ardhje, ky krah i kësaj armate të re, do të mund të ishte si “armë” plotësuese e alenacës aktuale ushtarake — NATO-s. Ndërkaq roli idy armatave shqiptare në këtë mes, sado tepër modest, do të mund të ishte në rritje, duke qenë pjesë e boshtit përafrues të Aleancës Transatlantike dhe garancë jo e pavlerësuar nga gjeneralët e NATO-s.

Veprimet e fundit për të forcuar bashkëpunimin në lëmin e mbrojtjes
Që nga viti 2016 Parisi dhe Berlini janë përqëndruar më me ngulm për t’i dhënë peshë strategjisë për ngritjen e krahut të sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së. Iniciativat në këtë sferë kishin dhe kanë për qëllim nxitjen e bashkëpunimit dhe forcimit të aftësitë mbrojtëse të Evropës.

Politikat e përbashkët a të mbrojtjes së BE-së janë parashikuar në Traktatin e Lisbonës (neni 42(2) TEU). Por, për t’shmangur çfardo keqkuptimi të mundshëm, traktati thekson përparësinë e politikave të mbrojtjes kombëtare, duke përfshirë anëtarësimin në NATO ose neutralitetin.
Në përputhje me këtë gjakim orjentues, shtetet e Ballkanit Perendimor, me përjashtim të Serbisë, të gjitha kanë shprehur dëshirën për aderim në NATO ndërkaq Kosova, duke pas parasysh rrezikun e ndikimit rus në rajon dhe luftën që po vazhdon tutje në Ukrainë, ka shprehur gadishmërinë e saj për aderim të përshpejtuar. Ndërkaq dy prej shteteve skandinave të njohura për qëndrimin e tyre neutral për dekada, tashmë ndodhen në prag të aderimit në NATO. Janë vetëm parlamentet e dy shteteve anëtarë të aleancës (ai I Hungarisë dhe i Turqisë) që priten ta ratifikojnë aktin e pranimit.

Lexo po ashtu:  Macron, jepja Kosovës liberalizimin e vizave tani!

Në vitet e fundit, shkruan portali europarl.europa.eu, BE-ja ka filluar të zbatojë iniciativa ambicioze për të liruar më shumë burime, për të rritur efikasitetin, për të lehtësuar bashkëpunimin dhe për të mbështetur zhvillimin e kapaciteteve si vijon:

– Permanent Structured Cooperation (SSZ) u themelua në dhjetor 2017. Që nga qershori 2019, kanë marrë pjesë 25 shtete anëtare. PESCO aktualisht operon mbi bazën e 47 projekteve bashkëpunuese me angazhime të detyrueshme, duke përfshirë një Komandë Mjekësore Evropiane, një Sistem të Mbikëqyrjes Detare, Asistencën e Ndërsjellë të Sigurisë Kibernetike dhe Forcat e Reagimit të Shpejtë.

– Fondi Evropian i Mbrojtjes u krijua në qershor 2017. Për herë të parë, buxheti i BE-së do të përdoret për të bashkëfinancuar bashkëpunimin në mbrojtje. Më 29 prill 2021, eurodeputetët ranë dakord që fondi të bëhej pjesë e buxhetit afatgjatë të BE-së (2021–2027) me një lartësi prej 7.9 milionë euro. Fondi Evropian i Mbrojtjes synon të plotësojë investimet kombëtare dhe të ofrojë stimuj praktik dhe financiar për bashkëpunimin kërkimor dhe zhvillimin dhe blerjen e përbashkët të pajisjeve dhe teknologjive të mbrojtjes.

– Bashkimi Evropian forcoi bashkëpunimin me NATO-n për 74 projekte në 7 fusha, duke përfshirë sigurinë kibernetike, stërvitjet e përbashkëta dhe kundër terrorizmit.

– Në qershor 2017, u vendos krijimi i një strukture të re komandimi dhe kontrolli (MPCC) për të përmirësuar menaxhimin e krizave të BE-së. [5]

Megjithëse dëshirat e Parisit dhe Berlinit për të krijuar një ushtri të përbashkët të BE-së mbesin tutje vetëm dëshira. Prandaj formimi eventual i armatës europiane, qoftë edhe vetëm si plotësues i forcimit të aleancës së NATO-s, do të mund të konsiderohej një sukses i madh.

Rusia ka braktisur projektin për bashkimin e Euroazisë!?
Lufta në Ukrinë ka përmbysur edhe planet e Kremlinit për të ashtuquajturin “Bashkim Euroasiatik”. Moska, de fakto ka braktisur jo pa dhimbje qëllimin e saj fillestar për krijimin e një Bashkimi Euroaziatik nga Lisbona në Vladivostok, duke pretenduar që ta zëvendësoj atë me “Botën Ruse”. Ajo, e vetëdijshme për pamundësinë e realizimit të ati megaprojekti gjeopolitik, e ka kufizuar gjakimin e saj në këtë sferë, me pushtimin e katër rajoneve “rusishtfolëse” të Ukrainës dhe futjen e tyre nën ombrellën mbrojtëse të armëve të saj bërthamore, duke e cilësuar këtë fakt si të kryer . Tashmë këta kufijë të atij megaprojekti, janë rrudhur nga kufijtë perëndimorë të Rusisë dhe Bjellorusisë deri në Vladivostok.

Në këtë rrafsh të zhvillimeve të reja, mbetet të shihet në javët e muajt në vazhdim, se si do të sillet ruleti ndër-evropian (BE) i vendeve më me ndikim.

Në garën se kush do të jetë partneri më i besueshëm i SHBA-ve në përpjekjet për garantimin e zbatimit dhe sigurimit të interesave amerikane në Evropë, Rusia nuk do të ketë më asgjë për të pretenduar në hapësirën gjeopolitike europiane.
Moska është plotësisht e vetëdijshme për këtë, prandaj ajo po e zhvendosë me shpejtësi drejtimin e saj të përgjithshëm strategjik të veprimit gjeopolitik drejt Lindjes dhe Jugut, duke mos hequr ende dorë nga Ballkani Perendimor. Gjendja në Malin e Zi, por edhe ajo në Bosnjë, e dëshmojnë edhe një herë se, prezenca e Rusisë këtu është e ndjeshme. Ndërkaq drama e stisur nga Beogradi përmes tërheqjes fillimisht të Listës Serbe nga Parlamenti i Kosovës dhe rikthimit të tyre pas ca ditëve, është edhe një fakt shtesë për nuancat në luftën e Beogradit për aneksimin e veriut dhe mbetjen e Rusisë tutje si forcë me ndikim në Ballkanin Perendimor!

Lexo po ashtu:  Pse është egoiste të bëhesh baba në moshë shumë të thyer

Opozita kosovare dhe gara e bukurosheve në konkursin për mis
Në këtë konglomerat interesash, i kombinuar me mundësinë e mënjanimit të Rusisë nga kjo hemisferë e interesave gjeopolitike perendimore (amerikane e europerendimore), Serbia e sheh veten tutje si lojtarë me peshë specifike. Ajo po taktizon për t’u rikthyer në fushbetejën e të mëdhenjëve për dominim si faktor që çon peshë për rajonin. Prandaj nuk përjashtohet mundësia fare që, në momentet e fundit, ajo të rreshtohet pro Perendimit, duke e rikthyer lavjerrësin e historisë tek fillet e Luftës së Lindjes (1875), me kushtin që të marrë garancione për zgjerim në perendim, që d.t.th për aneksimin e Republikës Serbska.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Christopher Hill, më 25.07. 2022, sikur paralajmroi mundësinë e rreshtimit serb pro Perendimt. Ai në deklaratën që u citua nga shumë media, nuk hezitoi të përkujtojë presidentin serb se, “nuk ka alternativa të tjera”, shkruanin mediat serbe. [6]

Në përputhje me këtë gjakim të Perendimit, mentorët e Vuçiqit, duke qenë të vetëdijshëm se elita politike shqiptare, respektivisht tajkunët që mbajnë peng këtë klasë të papërgjegjshme, ka vite që kanë investuar që veriun e Kosovës ta shndërrojnë në mollë sherri, jo vetëm në raportet Kosovë-SHBA, por edhe në ato brendashqiptare.

Vizitën e pompuar të dyshes opozitare kosovare — Krasniqi & Abdixhiku në SHBA, sa edhe heshtjen ogurzezë të Tiranës zyrtare për gjendjen e krijuar në veriun e Kosovës dhe paralajmrimin e luftës, prandaj jam i prirë t’i shikoj disi në prizmën e garës së bukurosheve në konkursin për mis, e që objektiv kanë “grabitjen” e bandillit qoftë ai edhe bandit, mjafton që ato ta gëzojnë “natën e gjerdekut”, rspektivisht pushtetin për ca vite.
Kjo çoroditje e klasës politike shqiptare, respektivisht e një pjese të saj, po ndodhë meqë, duket se krerët e saj me kohë kanë marrë arratinë nga idealet fisnike të rilindasve tanë. Prandaj ata Shtetin nuk e shohin si konstrukt të qëllimit racional: një institucion që garanton mbrojtjen dhe interesat e qytetarëve, rrjedhimisht të Kombit, por vetëm si mundësi për ta gëuzuar pushtetin.

Gjeneratat që punuan në krijimin e Shtetit Shqiptar, por edhe ajo armatë idealistësh që ishte e angazhuar për gati dy dekada në projektin e krijimit të UÇK-së, udhëhiqeshin nga koncepti i racionalitetit të pastër, duke krijuar parakushte reale për dominim të racionalitetit politik në dobi të Lirisë. Ky koncept, tashmë ka ardhur koha, të rikthehet me fuqinë e tij, duke përjashtuar riciklimet e forcave të paparashikueshme të politikës.

_______________

1.Shih intervistën me autorin e librit: https://www.atlantik bruecke.org/eine- europaeische-armee-kann-die-nato-ergaenzen-aber-nie-ersetzen/

2. https://www.geopolitika.news/razgovori/z-meter-zasto-bi-poljska-mogla-najvise-profitirati-od-ruskog-poraza-u-ukrajini/

3. Po aty

4. Po aty

5. https://www.europarl.europa.eu/news/de/headlines/security/20190612STO54310/verteidigung-kommt-eine-europaische-armee

6. https://telegrafi.com/christopher-hill-serbia-duhet-te-kthehet-kah-perendimi-nuk-ka-alternativa-te-tjera/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *