Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, pas takimit të sotëm me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se përkrah vendimet e Qeverisë së Kosovës për për targat dhe dokumentet hyrëse-dalëse dhe shtyrjen e zbatimit të tyre për datën 1 shtator në koordinim me SHBA-në dhe BE-në.

Rohde ka thënë se vendimet e Qeverisë së Kosovës janë legjitime dhe plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.

“Pata kënaqësinë që takova sot presidenten e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ku diskutuam për zhvillimet aktuale dhe për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për targat dhe dokumentet hyrëse-dalëse për datën 1 shtator në koordinim me SHBA-në dhe BE-në. Theksova se vendimet janë legjitime dhe plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit”, ka shkruar ambasadori gjerman, transmeton Telegrafi.

Ndërsa, presidentja Osmani, ka thënë se në takim ambasadorin gjerman ka biseduar për situatën e përgjithshme në vend dhe rajon.

Siç njofton Presidenca, Osmani ka theksuar se në raport me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, institucionet e Kosovës janë të përkushtuara ta vazhdojnë koordinimin e plotë me partnerët ndërkombëtarë, ashtu siç janë koordinuar edhe deri më tani.

Lexo po ashtu:  Paralajmërimi për luftë/ Pse po e dërgon Moska shefin e sigurisë në Ballkan?

Osmani në takim me ambasadorin e Gjermanisë: Serbisë t’i dërgohen mesazhe të qarta se s’do të tolerohet nxitja e dhunës në veri
Sipas Presidentes Osmani, Kosova është gjithnjë e gatshme që të ndërmarrë hapa, të cilët kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit.

Poashtu, Presidentja Osmani ka potencuar se është me rëndësi t’i dërgohen mesazhe të qarta Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar se nuk do të tolerohet retorika e saj nxitëse dhe veprimet e saj të dhunshme nëpërmjet strukturave ilegale në veri të Kosovë.

Serbët lokalë më 31 korrik vendosën në rrugë kamionë dhe mjete të tjera të rënda për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Pas kësaj, Qeveria u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për një muaj, nëse serbët largojnë barrikadat e vendosura, ndërkaq në mesnatë u lëshuan dokumentet e para për hyrje-dalje.

Vendimi i 29 qershorit i ekzekutivit kosovar parasheh lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë personat që posedojnë dokumente serbe.

Lexo po ashtu:  *Edhe në pandemi për liri/ Dhjetëra mijëra bjellorusë marshojnë për lirinë pas zgjedhjeve të diskutueshme

Praktikë të njëjtë Serbia ka aplikuar ndaj qytetarëve të Kosovës për vite me radhë.

Ndërkaq, vendimi i dytë parasheh që të gjithë pronarët e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga Serbia – të mund të riregjistrojnë makinat e tyre në targat RKS (Republika e Kosovës).

Pas rritjes së tensioneve në veri, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe për një muaj.

“Ne mendojmë se një shtyrje e tillë do të ishte e rëndësishme, sepse duket se ka dezinformim dhe keqkuptime për këto vendime”, tha Hovenier pas një takimi që zhvilloi në orët e vona të së dielës me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.

Pak minuta pas kësaj, Qeveria njoftoi se do të shtyjë zbatimin e dy vendimeve deri më 1 shtator, “kur do që të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”.

Lexo po ashtu:  Paratë ruse/ Berisha nuk i ndahet Bashës

Ndërkaq, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, mirëpriti vendimin e Kosovës, për të pranuar, siç tha ai, propozimin e shefit të bllokut evropian, Josep Borrell, për shtyrjen e zbatimeve.

“BE-ja pret që të gjitha pengesat rrugore të hiqen menjëherë. Borrell ka ftuar Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog për rrugën përpara. Falënderues ndaj Ambasadës amerikane në Kosovë për mbështetjen e fuqishme”, ka shkruar ai në Twitter.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *